Një protestë e organizuar nga banorë të fshatrave në anë të autostradës Lushnje-Fier ka krijuar radhë kilometrike automjetesh. Protesta është zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune. Pas fillimit të trafikut, Policia shkoi në vendngjarje për të bërë të mundur lirimin e rrugës.
Banorët e zonës kundërshtojnë vendosjen e barrierave metalike, prandaj dhe janë mbledhur në protestë duke bllokuar rrugën. Ata kanë bllokuar për rreth 20 minuta aksion nacional.
Në mbështetje të banorëve ka qenë edhe deputetja e Divjakës, Ilda Dhori, e cila kërkon nga qeveria një zgjidhje të shpejtë të situatës së krijuar.
Kryqëzimi i autostradës Lushnje-Fier, në vendin e quajtur ‘pushimi i shoferit’, është mbyllur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ditën e djeshme. Ky kryqëzim ka shërbyer si nyjë lidhëse nga autostradë në drejtim të qytetit të Divjakës si dhe nga autostrada në njësitë administrative Krutje, Allkaj, Bubullimë, Fiershegan e më tej për në Kuçovë e Berat, ndërsa pas bllokimit nuk ka as një rrugë alternative.
Në këtë mënyrë banorëve të zonës u duhet të kryejnë më shumë se 30 deri ne 40 km rrugë shtesë për të shkuar në destinacion nga rrethrrotullimi i Kolonjës. Banorë dhe fermerë të zonës kundërshtojnë këtë veprim, me argumentin se për ta zgjatja e rrugës është humbje kohe e po ashtu edhe financiare.
Autoriteti Rrugor Shqiptar i kontaktuar nga Report Tv bëri të ditur se “kryqëzimi është mbyllur me kërkesë të Policisë Rrugore për shkak të aksidenteve të shumta dhe të vazhdueshme, me qëllim rritjen e sigurisë në këtë aks”. Sa i përket pretendimit të banorëve për mbikalimin, ARRSH-ja bën të ditur se është pjesë e projektit të ri që po hartohet për autostradën Milot-Fier. Pak kohë më parë Kryeministri Rama është shprehur se gjatë mandatit të tretë qeverisës do të nisë ndërtimi i kësaj autostrade.
Ndërtimi i autostradës në projekt ka një mbikalim i cili është 200 metra larg kësaj nyje, e cila prej gati 20 vitesh nuk funksionon. Ndërtimi i këtij mbikalim do të ishte alternativë për mbi 100 mijë banorë të zonës që preken nga mbyllja e kryqëzimit të pushimit të shoferit.
“Protesta e sotme ishte inxitur nga indinjata e drejte e banorëve të këtyre zonave që çdo ditë lidhen me qytetin e Lushnjes, dhe e kanë kontaktin me Lushnjën jetike për veprimtarinë e tyre shëndetësore dhe ekonomike. Isha e ftuar si qytetare e zonës. Për mua mbyllja e papritur, e palajmëruar, dhe pa i dhënë një zgjidhje qytetarëve është e padrejtë. Më parë duhej bërë mbikalimin dhe duke i dhënë zgjidhje qytetarëve, duke lehtësuar faturat dhe jo duke i rënduar. Zgjidhja duhet të ishte bërë mbikalimi, të sigurohej lidhja me qytetin e Lushnjës. Është e vërtetë që ka qenë burim aksidenti, mbyllja duhet të ishte shoqëruar me gjetjen e një zgjidhje që e kanë jetike lidhjen me qytetin e Lushnjes. Faturimi mbi 30km shtesë, knë kushtet e një karburanti të shtrenjtuar, nuk është gje tjetër veçse rritje e fatures së banorëve”, deklaroi Dhori.