MENU
klinika

Konstatohet prezencë e amoniakut mbi normë

Helmimi në Krujë, dalin analizat paraprake të ujit të pijshëm

26.10.2021 - 18:44

Hetimet për ngjarjen e rëndë në Krujë, ku deri më tani 320 banorë janë paraqitur me simptoma helmimi, janë zgjeruar në një tjetër pistë.

Sipas Ujësjellës Kanalizime Krujë, kontaminimi i ujit të pijshëm nga reshjet e dendura të shiut janë një pistë që po hetohet si shkak i mundshëm për helmimin e qindra qytetarëve. Paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

UJËSJELLËS KANALIZIME KRUJË:

NJOFTIM

Në vijim të situatës së ndodhur në qytetin e Krujës, ku gjatë ditës së djeshme, e Hënë datë 25/10/2021, janë paraqitur për ndihmë mjekësore një numër i konsiderueshëm banorësh pranë Spitalit Bashkiak “Stefan Gjoni” Krujë me komplikacione shëndetësore, të cilat dyshoheshin si shkak prej konsumimit të ujit të pijshëm, sqarojmë si vijon :

Menjëherë, si masë e parë prej dyshimit të ngritur, në orën 10:30 të ditës së Hënë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës dhe nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës. Gjithashtu, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë marrë mostra të ujit dhe disa kampione tek pacientët e hospitalizuar për të analizuar dhe gjetur shkaqet më të detajuara.

Nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së dielë, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Gjithsesi ky rast mbetet për tu verifikuar pasi analizat periodike te kryera nga laboratorët e NjVKSh përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale. Dje janë analizuar edhe mostrat e ujit nga veprat e marrjes në Shkretë dhe në burimin e Livadheve, ku parametrat fiziko – kimike të të cilëve kanë rezultuar të jenë vazhdimisht brënda normave. Sot, janë analizuar nga NjVKSh mostrat e marra nga depozitat e qytetit të cilat kanë rezultuar brënda normave të lejuara. Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro – biologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për çertifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm.

Përsa i përket furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm në ditët në vijim, sqarojmë se UKK Krujë po vijon me dezinfektimin e depove të qytetit me anë te proçesit të klorinimit, ndërkohë analizat fiziko–kimike dhe ato mikrobiologjike do të çertifikojnë ri-fillimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët.

Në mënyrë që të shmanget çdo rast i mëtejshëm kontaminimi, kërkohet që të mos konsumohet uji në depozitat familjare dhe dhe të bëhet zbrazja e tyre me qëllim pastrimin përfundimtar të rrjetit deri në pikat fundore.

Ndërkohë që autorizimi i përdorimit të ujit të pijshëm do të njoftohet nga UKK Krujë dhe Bashkia Krujë, pas çertifikimit të analizave përfundimtare nga ISHP të pikave fundore të shpërndarjes në të gjitha zonat e qytetit të Krujës.

Ekipi i punës i ngritur për manaxhimin e situatës me specialistët e UKK Krujë, Spitalit bashkiak të Krujës, Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetësor si dhe Institucioneve të tjera lokale dhe Qendrore, janë në gatishmëri për t’Ju përgjigjur kësaj situate deri në normalizimin e saj, situate e cila fatmirësisht po shkon drejtë stabilizimit pas komunikimeve të fundit me Spitalin Bashkiak.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku dhjetëra pacientë u paraqitën me simptoma helmimi në spitalin e Krujës, ku dyshohet që mund të ketë ardhur nga uji i pijshëm.

Bëhet me dije se mbi 300 banorë kanë marrë mjekim në spital pasi dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm, ndërkohë pritet të dalin edhe përgjigjet e analizave për të përcaktuar shkakun e vërtetë të helmimit të banorëve.

“Pres që të forcojmë më tej bashkëpunimin…”

Zgjedhjet në SHBA/ Presidenti Begaj uron Trump për fitoren

Rutte: Lidershipi i tij do të jetë çelësi…

Shefi i NATO-s përgëzon Trumpin për fitoren!

Netanyahu: Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri

Donald Trump merr urimet e para nga arena ndërkombëtare!

E quan Melania Trump “Zonja e Parë” e Amerikës

Donald Trump shpall fitoren e zgjedhjeve!