Mesnatën e sotme do të hapet për qarkullimin e automjeteve segmenti nga mbikalimi i Farkës deri te materniteti i ri, segment i Unazës së Madhe të Tiranës.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës pa nga afër punimet duke deklaruar se përfundimi i plotë i punimeve nuk do ketë në fokus vetëm qarkullimin e mjeteve por edhe ndriçimin dhe gjelbërimin duke qenë se është zonë e banuar.
“Nuk po trajtohet si një rrugë shpejtësie por edhe si një rrugë urbane që ka zona të banuara në dy anët e saj. Edhe gjelbërimi dhe ndriçimi kanë rëndësinë e vet”, tha Balluku.
Ajo tha se do të vazhdojnë punimet në lotin e dytë duke kërkuar kujdes maksimal nga drejtuesit e automjeteve.
Kreu i ARRSH Ergys Verdho i bëri thirrje qytetarëve, kryesisht banorëve të zonës të cilët deri dje e kanë përdorur këtë rrugë si shëtitore duke qenë se ishte ende në rikonstruksion, që nga nesër të mos dalin më në këmbë në këtë segment.
“I bëjmë thirrje qytetarëve që nga nesër të mos e përdorin më këtë rrugë si shëtitore, pasi deri më sot është përdorur nga ana e tyre për shkak se nuk ka pasur lëvizje”, u shpreh Verdho.