MENU
klinika

Helmimi në Krujë/ Dalin analizat

Zëvendësdrejtori i ISHP: Në një pikë rezultoi bakteri enterokok!

29.10.2021 - 10:15

Pas 4 ditësh, Krujës i është rikthyer furnizimi me ujë, megjithëse qytetarët rekomandohen që të mos e konsumojnë. Ndërkohë, numri i qytetarëve me simptoma helmimi ka vijuar të rritet, pasi edhe 130 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital që nga mbrëmja e së mërkurës e deri mëngjesin e djeshëm.

Fluksi më i madh i qytetarëve ka qenë gjatë darkës. Aktualisht, në spital nuk ka qytetarë që po marrin ndihmë mjekësore për intoksikim. Ndërsa në total, janë 671 qytetarë që kanë marrë trajtim mjekësor që nga dita e parë kur nisën problemet.

Pas ndërprerjes për shkak të helmimit të qindra qytetarëve, në Krujë rifilloi furnizimi me ujë mbrëmë në orën 20:00. Me anë të një njoftimi, Ujësjellësi lajmëroi se qytetarët do të furnizohen me ujë, por jo për të pirë. Sipas Ujësjellësit të Krujës, uji rekomandohet vetëm për përdorim sanitar.

“Furnizimi me ujë do të rifillojë ditën e enjte, datë 28.10.2021 ora 20:00 për banorët e qytetit, me kapacitet të reduktuar në mënyrë që të kryhen analiza të tjera në vijim për furnizimin e radhës”, thuhet ne njoftim. Po ashtu, Ujësjellësi kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatim të protokolleve të higjienës dhe sigurisë së shëndetit publik, që uji i rrjedhshëm nga rrjeti, si dhe uji në depozitat familjare të përdoret vetëm për nevoja sanitare shtëpiake dhe jo për konsum për pirje dhe gatim, deri në një njoftim të dytë nga ana e Ujësjellës Kanalizime Krujë.

ANALIZAT

Nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, e cilësoi dje situatën shëndetësore të banorëve në Krujë, një epidemi të shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh.

Sipas tij, kjo gjë ka bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të Ujësjellësit të Krujës. Në një deklaratë për mediat Ulqinaku tha se nga analizat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar që në një pikë të Ujësjellësit të Krujës ka rezultuar bakteri enterokok, i cili mendohet që mund të jetë shkaktari i këtyre shqetësimeve gastrointestinale të banorëve.

“Më lejoni t’ju konfirmoj në emër të Institutit të Shëndetit Publik, i cili ka ndjekur nga afër situatën epidemiologjike të shkaktuar në Krujë, situatë e cila solli një numër të lartë personash të cilët kishin çrregullime gastrointestinale. Situatë e cila do të vazhdojë të ndiqet me rigorozitet edhe në ditët e ardhshme. Nga analizat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar që në një pikë vetëm të Ujësjellësit të Krujës ka rezultuar bakteri enterokok, i cili mendohet që mund të jetë shkaktari i këtyre shqetësimeve gastrointestinale që qytetarët e Krujës kanë pasur.

Nga ana tjetër, më lejoni t’ju them se situata sot që ne flasim është shumë e qetë. Pothuajse ka mbaruar çdo shqetësim në qendrën shëndetësore dhe në spitalin e Krujës. Do të vazhdojmë ta ndjekim me rigorozitet. Mendojmë që është një epidemi e shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh dhe që kanë bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Këto janë rezultatet zyrtare”, deklaroi Ulqinaku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN