Udhëheqësi i izoluar i talibanëve në Afganistan bëri një paraqitje të rrallë publike më 30 tetor.
Ai vizitoi një shkollë fetare në qytetin e Kandaharit.
Udhëheqësi suprem i talibanëve, Mawlawi Haibatullah Akhundzada, nuk është shfaqur në publik që kur u bë lider i talibanëve në vitin 2016.
Ai nuk ka bërë paraqitje edhe pasi lëvizja që udhëheq mori kontrollin e Afganistanit në muajin gusht, pas tërheqjes së forcave amerikane dhe vendeve tjera aleate.
Akhundzada gjatë vizitës së tij në medresenë Darul Uloom Haakimah, u lut për “dëshmorët” talibanë dhe i kërkoi Zotit që “të shpërblejë popullin e Afganistanit që luftoi pabesimtarët dhe shtypësit për 20 vjet”.
Ceremonia u mbajt nën masa të rrepta sigurie dhe aty nuk u lejua xhirimi apo shkrepja e ndonjë fotografie.
Në mediat sociale janë publikuar vetëm audio incizime të deklaratave të tij. Gjatë fjalimit të tij 10-minutësh, Akhundzada u lut për zyrtarët që po kalojnë në “provën e madhe” të ndërtimit të “Emiratit Islamik të Afganistanit”.
Akhundzada u emërua lider i lëvizjes pas vdekjes së paraardhësit të tij, Mullah Akhtar Mansour, nga një sulm me dron të SHBA-së më 2016.
Deri në atë kohë ai ishte një figurë fetare relativisht e profilit të ulët.
Paraqitja e tij në Kandahar ka nxitur spekulime se ai synon të marrë një rol më aktiv në drejtimin e vendit.