Kërkesa e Partisë Socialiste për ndryshim të Kushtetutës që synon zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut të magjistratëve, do nisë të shqyrtohet sot në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit parlamentar të Ligjeve.
Në amendamentet kushtetutese, të cilat u depozituan zyrtarisht më 15 tetor në Kuvend me firmat e mbi 28 deputetëve socialistë, parashikohet që mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë, i cili përfundon në qershor të vitit 2022, të shtyhet deri në fund të vitit 2024.
Në nisjen e mbledhjes, së pari do bëhet prezantimi i nismës, duke ofruar arsyet dhe përse është i nevojshëm ky amendim. Ligji aktual parashikon që në momentin kur mandati i organeve të vettingut përfundon, atëherë verifikimin e gjyqatërëve dhe prokurorëve e bën KLGj dhe KLP. Por publikisht mazhoranca ka bërë të qartë nevojën për të pasur një trajtim të njëjtë për të gjithë magjistratët përmes organeve të vettingut.
Më pas në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit të Ligjeve, do miratohet procedura që do të ndiqet dhe kalendarit për shqyrtimin e nismës, si dhe do caktohen relatorët dhe ekpertët konstitucionalistë.
Shtyrja e mandatit të organeve të vettingut ka gjetur mbështetje edhe nga faktori ndërkombëtar, mandje duke bërë thirrje për miratimin e tyre.
Kjo nuk është nisma e vetme për ndryshime të ligjit themeltar të shtetit. Partia Demokratike nga ana e saj, ka depozituar edhe ajo kërkest e saj për rishikim të Kushtetutes. Demokratët kërkojnë ndryshime që prekin reformën zgjedhore, atë territoriale dhe sanksionimin në Kushtetutë te vettingut në politikë.
Mazhoranca ka thënë se është gati dhe e hapur të diskuojë mbi kërkesat e opozitës, por kurrsesi të bëjë pazare politike, në kurriz të zgjatjes së mandatit të organeve që kontrollojnë gjyqtarët e prokurorët. Sipas PS-së, këto ndryshime duhet të votohen në parlament deri në fund të këtij viti. Por për kalimin e ndryshimeve kushtetutese, kërkohen 94 vota dhe kësisoj palët kanë nevojë për votat e njëra-tjetrës.