Ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark ka zhvilluar një intervistë të rrallë për emisionin “Opinion”. Ai ka rrëfyer detaje nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë përgjatë luftës së Kosovës. Clark vijoi duke paraqitur një panoramë tjetër të Millosheviçit, një gangster lider i mafies. Intervista e Clark ndonëse e përqëdnruar në prizëm historik theksoi edhe me shumë rolin e NATOS dhe rëndësinë e unitetit të saj. Gjenerali, përpos detajeve eksluzive u ndal gjithashtu në “konfortimin” me Hashim Thaçin.
Blendi Fevziu: Mirë se erdhët në Shqipëri, gjeneral Clark!
Wesley Clark: Faleminderit.
Blendi Fevziu: Vizitë tepër interesante, edhe në Maqedoni e Kosovë.
Wesley Clark: Dy ditë të mrekullueshme dhe mahnitëse kur sheh progresin që është bërë këtu.
Blendi Fevziu: Emri juaj është shumë i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si komandant i NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Para luftës me Milosheviçin, keni pasur shumë takime. Si ishte ai njeri?
Wesley Clark: Ishte si një gangster, si lider i mafies. I manipulonte dhe i detyronte njerëzit të bënin gjëra, pa folur fare. “S’po them ta vrasësh. Bëj atë që është e nevojshme”. Dhe faji u mbetej atyre.
Blendi Fevziu: E kishte frikë ushtrinë amerikane?
Wesley Clark: Po, e kishte.
Blendi Fevziu: Por rezistoi deri në fund. Kujtonte se NATO-ja s’do ta bombardonte kurrë Jugosllavinë.
Wesley Clark: Mendoj se është e vërtetë dhe po ashtu besonte, ndoshta ia kanë thënë edhe rusët që edhe nëse NATO-ja bombardon, zgjat dy a tri ditë.
Blendi Fevziu: Nuk mendoi që e kishit seriozisht?
Wesley Clark: Mendoi se pas një a dy ditësh mund t’ia mbushte mendjen ndonjë shteti në NATO të hiqte dorë nga fushata. Besonte se Kosova ishte më e rëndësishme për të sesa për NATO-n. Pse po i intereson Spanjës Kosova? S’e dinë as se ku është.
Blendi Fevziu: Pse Franca për shembull? Ishte çudi a mrekulli si u bashkuat të gjitha vendet e NATO-s gjatë fushatës. Patët probleme?
Wesley Clark: E dinim se uniteti ishte gjithçka. Uniteti i NATO-s ishte më i rëndësishëm se çdo objektiv. S’doni ta bombardojmë këtë, s’ka problem. Së pari, ruajtëm unitetin. S’ishte thjesht fushatë ushtarake ku një objektiv i dhënë duhet të shkatërrohet brenda 48 orëve e zëmë. Jo, s’kishte trupa tokësore. Ne u përpoqëm të përdornim forcën për t’i dhënë pushtet diplomacisë, të bindnim Millosheviçin se kjo gjë s’do të vazhdonte përgjithmonë dhe ai nuk mund të fitonte kurrë. Sapo ai ta kuptonte, e dinte se duhej të dorëzohej.
Blendi Fevziu: Pra, luftë e ndërthurur me diplomaci. E menduat që në fillim se fushata do të zgjaste 3 muaj e disa ditë, aq gjatë?
Wesley Clark: Në fillim disa kombe besuan se Milosheviçi do të dorëzohej që në bombardimet e para, por… Nuk dihej asgjë. I telefonova gjeneral Ojdeniç, shefit ushtarak serb pas natës së parë të bombardimeve. I thashë se doja vetëm të flisja me të, ta kuptonte se bombardimet do të vazhdonin, prandaj duhet të dorëzoheshin. Ma mbylli telefonin, sigurisht.
Blendi Fevziu: Asnjë MIG -29 në atë kohë?
Wesley Clark: Në konferencën e parë për shtyp me sekretarin Solana thashë se do të sulmojmë dhe do të shkatërrojmë të gjitha ato asete me të vlefshme për Millosheviçin derisa ai të dorëzohej.
Blendi Fevziu: U shkatërruan dy MIG-ët e parë në ditën e parë. Në libër thoni se në takimin e parë Millosheviçi dhe ushtria jugosllave po ju shpjegonte fuqinë e UÇK-së. Pse ishte e pamundur për Millosheviçin fitorja kundër UÇK-së kur kjo kishte 400, ja 1 mijë vetë përballë ushtrisë së madhe jugosllave.
Wesley Clark: Kur i trajton njerëzit keq, të ngrihen kundër më shumë. Sa herë luftonte me UÇK-në, vriste shqiptarë dhe e acaronte më shumë popullin shqiptar. Në mars 1998 shkova në Maqedoni të shihja taskforcën, mbi 1 mijë ushtarë në kufi. Kur u ula, mora një telefonatë nga ambasadori amerikan. Më kërkoi të takohesha menjëherë me presidentin Gligorov. Ai më tha se diçka shumë e keqe do të ndodhë. Serbët kanë bërë një gabim shumë të madh duke vrarë familjen Jashari. Shqiptarët nuk janë si boshnjakët. Këta do të luftojnë. Këtu do të ketë vërtet konflikt.
Blendi Fevziu: Diskutimi juaj me Milosheviçin të cilin e jepni në libër, është shumë i rëndësishëm për ne edhe pas luftës. Millosheviçi ju tha “Gjeneral, nëse ju na lini, ne do t’i vrasim të gjithë ata. I vramë në ’46-ën. Na u desh shumë kohë, por i vramë të gjithë.” Si shkoi ky diskutim?
Wesley Clark: Ishte vizita e treta që bëra në Beograd, pasi NATO-ja nxori urdhrin e aktivizimit, “Activation Order”, Shtator, 1998. Në vizitën e parë, gjeneral Naumani i kërkoi Milosheviçit të tërhiqte forcat shtesë. Solana i tha po ashtu. Millosheviçi u mundua ta mohonte që ato forca ishin atje. Nuk u tërhoqën. Në vizitën e dytë, i udhëzuar nga Shtëpia e Bardhë, shkova ta takoja Millosheviçin dhe i thashë se do ta bombardonim, nëse s’i tërhiqte ato forca. Tha, në rregull, fol me gjeneralët e mi. Kur flisnim me ta, thoshin se ka terroristë këtu, këtu e këtu dhe na tregonin me gisht hartën. U thosha se ishin thjesht njerëz që mundohen të mbrojnë familjet e tyre. Sa herë të vrisni, do të bëni më tepër armiq. Nuk mund të fitoni me këto taktika. Jo, nuk dëgjonin ata. Herën e tretë mora gjeneral Naumanin. Debatuam gjithë natën me Milosheviçin. Mëngjesin tjetër të së dielës, më në fund shtypin memorandumin e marrëveshjes. Doja të shkruanin që serbet do të tërhiqeshin dhe do të ndalonin sulmet. E shkruam marrëveshjen dhe pak para se ta firmosnim, u shfaq Milosheviçi. Me gotën në dorë, të dielën në mëngjes, ora 10:00. Po fryhej, gjithë ai. Më tha: Gjeneral Clark, dimë ne si të sillemi me këta shqiptarët, këta vrasësit, përdhunuesit, kriminelë si vetë ata. E kemi bërë edhe më parë. “E keni bërë?”, i thashë. Po, tha, në 1946. Po si kështu? “I vramë. I vramë të gjithë”. Ma tha drejtpërdrejt, në fytyrë. I thashë që kjo është vërtet shumë e rëndë. Pastaj më sollën memorandumin. E pashë dhe i thashë: “Z. president, emri juaj nuk është fare këtu”. Tha se s’ishte e nevojshme. Do ta firmoste z. Shajnoviç. I thashë: jo, do ta firmosni ju. Mirë më tha dhe e firmosi. Kjo ishte më mira e mundshme që mund të bënim për diplomacinë në vjeshtën e 1998-ës. Disa javë më vonë erdhën trupat ushtarake ruse. Ata si duket i thanë të mos e vriste mendjen për NATO-n, se ata bombarduan në Afganistan dhe nuk funksionoi. Do të bëjmë çdo gjë që ta përçajmë koalicionin, NATO-n. Mendoj se Millosheviçit aty iu la një dorë e lirë për të nisur pastrimin etnik.
Blendi Fevziu: Ju ishit pjesë e grupit të Holbrukut, edhe për paqen në Bosnje le të themi. Millosheviçi ishte më i vendosur për çështjen e Bosnjës apo të Kosovës?
Wesley Clark: Në rastin e Bosnjës ai donte ta ndalonte luftën, po kërkonte një rrugëdalje. Por në çështjen e Kosovës, për çfarëdo lloj arsye, politike, shëndetësore… Ndoshta se kishte një tufë serbësh që i hapnin probleme të brendshme. Nuk e di arsyen, por refuzonte ta linte NATO-n të vendosej aty dhe të vendoste paqen në provincë. Patëm negociata nën udhëheqjen franceze në Rambuje. Presidenti Chirac tha se amerikanët kishin bërë shumë. Na lini edhe neve të veprojmë. Pala shkoi në Rambuje. U thamë kur filloi. Nëse të dyja palët binin dakord, NATO-ja do të fuste forcat paqeruajtëse dhe do të zgjidhte problemin. Nëse shqiptarët nuk do të binin dakord, NATO-ja s’do t’i mbështeste më. Nëse s’do të binin dakord serbët dhe shqiptarët po, NATO-ja do të mbështeste shqiptarët. Pas 3 a 4 javësh, shqiptarët me Hashim Thaçin në krye thanë se ishin dakord. Lë të vijë NATO-ja.
Blendi Fevziu: Takimin me Hashim Thaçin dhe delegacionin e patët pasi firmosi.
Wesley Clark: Serbët refuzuan me kokëfortësi.
Blendi Fevziu: Në atë kohë e keni pyetur Hashim Thaçin a mund ta mbronte UÇK-ja popullin brenda Kosovës dhe ai ju është përgjigjur: “Po”. E besuat?
Wesley Clark: Dëshira ishte e tillë, por… Si mund të krijonte UÇK-ja menjëherë një forcë për të mbrojtur popullsinë? U përpoqën ata? Po. Dhe në fakt, kanë ardhur disa mijëra shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja për të përforcuar UÇK-në, për të ndihmuar popullin. Por ndodhi kaq shpejt, para se ta kuptonim. 1 milionë e gjysmë kosovarë dolën nga vendi. 900 mijë erdhën në Shqipëri dhe ndoshta në Maqedoni. Dhe ndoshta 500 mijë jetonin në male.
Blendi Fevziu: Nga pikëpamja luftarakë, cili ishte sekreti i suksesit të UÇK-së?
Wesley Clark: UÇK-ja ka luajtur një funksion vërtet të rëndësishëm. Kanë ushtruar presion tokësor që e kufizonte fushatën ajrore. E vetmja gjë me të cilën nuk donte të përballej Millosheviçi, një forcë e armatosur shqiptarësh. E dinte se ajo forcë, e mbështetur nga forcat ajrore të NATO-s, do ta shkatërronte ushtrinë serbe. Në javën e parë të Qershorit, ndërsa ata filluan të përparonin, munda të kërkoj mbështetje ajrore, sollëm bombat. I dëmtuan rëndë serbët. Aty u cenuan forcat tokësore serbe. Milosheviçi e shihte që s’mund të fitonte, s’mund ta mbante territorin, të fitonte politikisht. Por një nga dëmet më të mëdha që iu bë Millosheviçit… U akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimit. Ajo e dëmtoi vërtet.
Blendi Fevziu: Po, para përfundimit të luftës.
Wesley Clark: Pasi u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare si kriminel luftë, cili diplomat do të bisedonte më me të? Ishte kundër ligjit edhe një takim me të. Gjithmonë Millosheviçi ka besuar tek vetja më tepër se ç’duhej. Gjithmonë besonte se mund t’i manovronte diplomatët europianë, të bënte çfarë donte ai duke përdorur me zgjuarsi gjuhën e trupit, fjalët që përdorte. Fliste shumë rrjedhshëm anglishten. Ishte vërtet një lider mafie i zgjuar dhe manipulues.
Blendi Fevziu: Është normal mendërisht?
Wesley Clark: Po, po. Bëri një gabim të madh.
Blendi Fevziu: Keni thënë se Hashim Thaçi në atë takim kishte moshën e djalit tuaj në atë kohë. Besoni se ishin shumë entuziastë për të ardhmen e vendit?
Wesley Clark: Shumë entuziastë ishin, tepër të vendosur. Nuk mund të krijosh një shtet të ri, nëse nuk je gati të luftosh dhe të vdesësh për të. Në Siri në 2010, 2011, 12 a 2013… jam takuar me raste me liderët e opozitës siriane. Ata nuk futeshin ne Siri. Njerëzit luftonin brenda ne Siri, po ata nuk futeshin. U kam thënë në atë kohë… Alija Izetbegoviçi nuk do ta kishte mbajtur kurrë të bashkuar Bosnjën, po te mos kishte qëndruar në Sarajevë. Nëse je udhëheqës politik duhet të jesh atje, ku është konflikti. S’mund të rrish në Paris, duke ngrënë kruasan e pirë kapuçino e duke u mundur të komandosh se çfarë do të ndodhë. Ata thjesht nuk shkonin, nuk rrezikonin. Si rezultat Harasadi është në pushtet.
Blendi Fevziu: Keni pasur gjatë luftës njësi speciale brenda territorit të Jugosllavisë, brenda territorit të Kosovës?
Wesley Clark: Po le të themi se po ndodhnin shumë gjëra.
Blendi Fevziu: Thaçi me armë.
Wesley Clark: Po, por nuk e di a ka luftuar vërtet. Më thonë se ka qenë më tepër si një lider politik.
Blendi Fevziu: Pra, keni pasur njësi brenda territorit të Kosovës?
Wesley Clark: Jo. Në mënyre romantike imagjinohej se kishte forca tokësore, spiunë, por jo.
Blendi Fevziu: Po pse zgjati aq shumë lufta? 3 muaj. Moti, diplomacia, ndonjë problem?
Wesley Clark: Ajo nuk ishte luftë sipas standardeve amerikane. Të donim të bënin një luftë të vërtetë, do të kishim sjellë trupa, do të nisnim sulmet ajrore e çdo gjë do të merrte fund brenda një jave, pak a shumë. Do të ishte bërë luftë e ashpër, por ama me shumë humbje, me shumë të vrarë. Po ne kurrë s’kemi pasur si qëllim të pushtonim Serbinë. Donim vetëm t’i jepnim fund konfliktit në Kosovë. Millosheviçi duhej vetëm të pranonte paqeruajtësit e NATO-s. Përkundrazi, ai nisi pastrimin etnik ndaj shqiptarëve. Ishte një gabim i tmerrshëm. Përdornin ushtrinë, rrethonin fshatin, fusnin brenda policinë speciale, arrestonin dhe vrisnin njerëz. Vidhnin, përdhunonin e gjëra të tilla si këto. Ishte një sistem i organizuar dhe kur nisi në javën e dytë të Marsit, na u desh t’i evakuonim diplomatët. Më duket se ka ndodhur në 19 Mars. U mor vendimi sepse ata ishin çmendur. Sulmonin civilë. Donte NATO-ja të hidhte bombat? Po sigurisht që jo. Ne nuk duam të vrasim njerëz e të nisim luftën, por s’mund të lejojmë një tjetër episod të pastrimit etnik në Ballkan. Na u deshën vite për ta ndaluar atë në Bosnjë. Kryesisht ishim të suksesshëm, por ja, i njëjti person po e nis sërish atë. Në asnjë mënyrë! NATO-ja u bashkua dhe pas ditës së dytë u bë e qartë që Millosheviçi nuk kishte ndër mend ta anulonte këtë fushatë. Shkova të takoja sekretarin Solana, mbrëmjen e së dielës, pas natës së 4-tërt të bombardimeve. I thashë se duhet të përshkallëzonim goditje ushtarake kundër Millosheviçit.
Blendi Fevziu: E kishit fjalën për forca tokësore?
Wesley Clark: Jo, do të qëllonim objektivat në Beograd. Ai më tha; Më premton se nëse sulmojmë objektivat në Beograd, merr fund? Këtë nuk ta premtoj i thashë, por të premtoj se nëse nuk e bëjmë, nuk ka për të marrë fund kurrë. Mirë, më tha, të sjell objektivat dhe kështu nisi përshkallëzimi. Ishte një strategji që e kisha përpunuar në mendjen time 20 vite më parë, ishte një strategji që e quajmë “Dominimi i përshkallëzimit”. Më fjalë të tjera, objektivi i vërtetë i fushatës ishte mendja e Sllobodan Millosheviçit. Nëse ia mbushje mendjen që ai kurrsesi nuk ka për të fituar, ai do të ndalojë luftën.
Blendi Fevziu: Kush vendosi për objektivat në tokë? Forcat ushtarake apo politike?
Wesley Clark: Të gjitha objektivat e NATO-s u miratuan nga liderët politikë të NATO-s. Po, para se të qëlloheshin.
Blendi Fevziu: Gjatë Samitit të NATO-s, i kthehemi trupave tokësore. Ka pasur një diskutim të gjatë për këtë. Bill Clintoni dhe Toni Blair kanë bërë një diskutim të gjatë për përdorimin e trupave tokësore. Bill Clintoni ka thënë se Gjeneral Clarku mund t’i përdorë trupat tokësore për të pushtuar Jugosllavinë nga Shqipëria, Maqedonia dhe madje nga Hungaria. Pse nuk i përdorët ato forca tokësore? Ishit gati po të kishin lejen?
Wesley Clark: Po forcat tokësore do të shkaktonin një shkatërrim tepër të madh. E gjithë ideja ishte të bindnim Millosheviçin të dorëzohej, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Gjatë Samitit nuk u përmendën “trupa tokësorë” por thamë që NATO-ja do të bënte ç’të ishte e nevojshme. Pra, më fjalë të tjera, vazhdonim të ndikonim në mendjen e Millosheviçit. Pastaj bëmë planin se si të fusnim trupat tokësorë. Plani ishte të fusnim disa nga Shqipëria, disa nga Maqedonia dhe disa nga Hungaria. Dhe nuk do të kishte ndaluar derisa ta mposhtnim, pushtonim Jugosllavinë dhe Serbinë nëse nuk do të dorëzohej Millosheviçi. Në të njëjtën kohë nisim një farë diplomacie sekrete me Millosheviçin për ta bindur. Ai mund të ishte kokëfortë, me gotën e cigaren në dorë dhe ndoshta nuk po e kuptonte realitetin. Këtë propozim duhet t’ia bënin presidenti dhe zv/presidenti rus. Ata do t’i thoshin: President Millosheviç, ju nuk keni për ta mundur kurrë NATO-n, nuk do të fitoni kurrë. Nuk do ta arrini kurrë një gjë të tillë.
Blendi Fevziu: Ishte lufta e parë për NATO-n pas 50 viteve. Gjithashtu ju keni bombarduar edhe bunkerin e Milosheviçit, në qendër të Beogradit në atë kohë.
Wesley Clark: Po, e bëmë edhe sepse shërbente si seli, kishte shumë antena. Ja se ç’është vërtet interesante për të. Disa ditë më vonë isha në Bullgari duke u takuar me presidentin atje. Ai më tha. Na kanë ardhur informacione që një pjesë e popullit serb është i kënaqur që ia keni bombarduar shtëpinë Millosheviçit.
Blendi Fevziu: Po, interesante. Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë e hapur për ju, portet, aerodrome, gjithçka. A ishte e përshtatshme infrastruktura në Shqipëri për të lëvizur trupat nga portet drejt veriut?
Wesley Clark: Së pari, i jam shumë mirënjohës lidershipit shqiptar që e hapën vendin e tyre në atë kohë, kryeministrit Nano, ministrit të Mbrojtjes, Ilir Meta… Ata mikëpritën helikopterët tanë Apash, në aeroportin e Rinasit, forcat ajrore atje. Binte shi, baltë, errësirë. Disa helikopterë fluturuan në male dhe janë rrëzuar. Po ata helikopterë ishin një kërcënim i madh për Millosheviçin. Të ishin futur brenda ata, do ta dëmtonin rëndë forcën e tij ushtarake. Nëse ata qëlloheshin, do të ndiqeshin nga trupat tokësore. Pra, akoma ishin një forcë e rëndësishme për t’i mbushur mendjen Millosheviçit të dorëzohej. Edhe pse ne në fakt, nuk e kaluam kurrë kufirin me ta.
Blendi Fevziu: Dhe problem u zgjidh. Gjeneral, keni qene i vetmi lider ushtarak i një lufte që u fitua pa trupa tokësore. Nuk ka qenë paksa e çuditshme?
Wesley Clark: Arsyeja që fituam pa trupa tokësore ishte fakti se unë isha më fat ta kuptoja armikun dhe e dija që armiku nuk ishte ushtria serbe, por president Millosheviçi. I duhej mbushur mendja atij që e kishte të humbur atë luftë. Ai ishte tip avokati, si një lider mafie. Sapo ai e kuptoi se e kishte të humbur atë luftë, i fshiu duart.
Blendi Fevziu: Është e vërtetë që Gjeneral Preshiç i tha gjeneral Naumanit që ai po na shkatërron ushtrinë? Millosheviçi po shkatërronte ushtrinë jugosllave?
Wesley Clark: Po, e vërtetë. Ushtria jugosllave ka ndjekur udhëzimet e tij, por edhe ata e dinin që veprimet e Millosheviçit ishin të gabuara. Po deri në ç’masë është shkatërruar ushtria jugosllave? Kjo është pyetja. Nëse flasim me njerëzit, pas ndalimit të bombardimeve, janë tërhequr me qindra mjete serbe të shkatërruara dhe më pas serbet kanë bërë një fushatë keqinformimi duke thënë se NATO-ja nuk ka goditur asnjë nga objektivat. E vërteta është se kemi shkatërruar 1/3 e ushtrisë serbe vetëm prej sulmeve nga ajri.
Blendi Fevziu: Gjeneral, të paktën dy herë keni qenë në situata të vështira, në Vietnam ku u plagosët dhe gjatë incidentit që vrau Robert Frejzerin në Bosnjë. Si i keni përjetuar këto dy momente?
Wesley Clark: Kryesisht, nëse je lider ushtarak, duhet të stërvitesh në kohë paqe që të mundesh të bësh atë që të kërkohet në kohë lufte. Nëse jeni stërvitur siç duhet, me qëndrimin dhe kurajën e duhur, morale dhe fizike, e ke një mundësi t’ia dalësh mbanë.
Blendi Fevziu: Në Vientman keni qenë shumë i ri, mendoj. 25-26 vjeç.
Wesley Clark: Në luftë nuk ka asnjë garanci. Mësimi që kam nxënë nga jeta është: Përpiqu të mos shkosh në luftë. Lufta nuk ka lavdi, as në krye dhe as në fund. Gjithmonë do të vriten njerëz të pafajshëm, do të bëhen gabime dhe nëse është e mundur t’i zgjidhësh problemet pa luftë, mos lufto. Mos vrit njerëz, lëri diplomatët të debatojnë, sepse ata kanë shumë dëshirë ta bëjnë. Lëri të debatojnë. Por mos i lejo ata të heqin dorë shpejt nga debati. Këtë e kam kuptuar në Kosovë. Në fillim të Marsit kam ngrënë mëngjes me Medlin Ollbrajtin dhe ajo tha: Serbët nuk do ta firmosin marrëveshjen. Kërcënojnë se do të vrasin civilë. Ata do të vrasin. Ç’do të bëjë NATO-ja? NATO-ja është zotuar se do të godasë nëse serbët nuk binden dhe nuk i ndalojnë vrasjet. NATO-ja s’do të mundet të tërhiqet. Po të vrasin civilë? Do të na duhet të bombardojmë më fort. Sigurisht, s’mund ta dinim paraprakisht a do të përfundonte në një ditë, dy ditë, 15 ditë a ku ta di unë. Duhet të thyenim Milloshevicin, vullnetin e tij për të rezistuar dhe ia dolëm.
Blendi Fevziu: Pyetja e fundit. Pse keni zgjedhur karrierën ushtarake?
Wesley Clark: Që në moshë të re kam kuptuar se Bashkimi Sovjetik ishte një kërcënim për paqen në botë, kanë bombën H (me hidrogjen). Nikita Krushovi, lideri sovjektik erdhi në SHBA dhe tha: Do t’ju groposim, o amerikanë! Pastaj pati një krizë në Berlin në 1961 dhe doja të bëja diçka për vendin tim. Mund të isha bërë fizikant, inxhinier, por në shpirt isha një patriot dhe doja t’i shërbeja popullit. Pasi fitova aftësitë ushtarake, e kuptova se në fakt mund të bëj shumë për vendin tim, duke shërbyer në ushtri dhe e bëra. Jam shumë mirënjohës. Por tani e kam hequr atë uniformë për gati 21 vjet dhe kam pasur një karriere të mrekullueshme në biznes, akoma mbaj fjalime dhe leksione në universitet. Jam i përfshirë në biznes, financë, teknologji, komunikim, mjekësi. Ka shumë mundësi. Shoqëria demokratike ka nevojë të mbrohet nga njerëz si Millosheviçi. Duhen njerëz të zgjuar, me kurajë dhe të angazhuar në uniforma, por nuk kanë pse rrinë gjithë jetën në atë uniformë. Duhet njerëz të zgjuar, me kurajë dhe të angazhuar edhe në biznes. Tani që u ktheva në Shqipëri pas 22 viteve, shoh Tiranën, më duket krejtësisht një qytet tjetër. Një frymë tepër madhështore ka lindur në këtë vend. Jam shumë i impresionuar.
Blendi Fevziu: Faleminderit shumë, Gjeneral. Ju falënderoj për intervistën, por mbi të gjitha për gjithçka keni bërë për vendin dhe popullin tonë. Faleminderit shumë./TvKlan