Partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut nuk e pranojnë dorëheqjen e Zoran Zaev. Drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të Lëvizjes Besa, të PDSH-së, dhe partitë tjera më të vogla maqedonase, pas takimit të zhvilluar mes tyre mbrëmjen e së hënës vlerësuan se qeveria duhet të vazhdojë punën me çdo kusht për të çuar reformat përpara, përfshirë edhe kontestin e hapur me Bullgarinë dhe integrimet për në Bashkim Evropian.
Mazhoranca është qëndrueshme dhe nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ishte qëndrimi i përbashkët i koalicionit.
“Të gjithë bashkërisht dhamë njëzëri përkrahje për shumicën parlamentare, për programin e Qeverisë për vazhdueshmërinë e politikave aktuale në veçanti në aspektin e integrimit evropian, në aspektin e reformave, në aspektin e sigurisë dhe siguruam edhe vetë kryeministrin Zaev se, ne partnerët tjerë jemi njëzëri në mbështetje të politikave qeveritare”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Artan Grubi, sekretar organizativ i BDI-së.
Edhe lëvizja BESA, që fitoi BDI-në në Tetovë që është komuna më të madhe e banuar me shqiptarë, doli kundër dorëheqjes së Zaevit.
“Nga takimi u dakordësuam se në këtë situatë, në këtë pozicion politik në të cilin gjendet shteti zgjedhjet e parakohshme eventuale do të kishin komplikuar akoma më tepër edhe aspektin ekonomik, social shëndetësore dhe të sigurisë”, tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja BESA. Pas takimit, kryeministri në dorëheqje, Zoran Zaev nuk është prononcuar për mediat.