MENU
klinika

Plani i qeverisë

Paga minimale do të rritet në 32 mijë lekë

03.11.2021 - 10:44

 Pa u bërë ende një vit nga rritja e pagës minimale në kufirin e 30 mijë lekëve, qeveria ka në plan ta ndryshojë sërish.

Ka qenë Kryeministri Rama ai i cili ka dhënë lajmin për rritjen me 2 mijë lekë të pagës minimale në shkallë vendi, përkatësisht nga 30 mijë lekë që është aktualisht në 32 mijë lekë, por pa qartësuar nëse kjo rritje do të zyrtarizohet në fillim të vitit që vjen apo në muajin korrik. Në përgjigje të një komentuesi në rrjetet sociale, Kryeministri shprehet se qëllimi është që deri në fund të këtij mandati të tretë paga minimale të bëhet 40 mijë lekë.

“Nuk ka pagë 200 mijë lekë në muaj, sepse 300 është paga minimale që vitin tjetër do të jetë 320 dhe në fund të mandatit do të shkojë 400”, ka shkruar Kryeministri Rama. Ky vendim përkon edhe me nismën e re të qeverisë për të rritur pragun e pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë.

Kështu, përmes paketës së re fiskale që është në diskutim, është propozuar që prej janarit të vitit të ardhshëm tatimi mbi të ardhurat për pagat deri në 40 mijë lekë të jetë zero. Ndërsa për pagat deri në 50 mijë lekë të përgjysmohet, nga 13 për qind që është aktualisht në 6.5 për qind.

KONTRIBUTET

Por, si do të reflektohet kjo rritje e pagës minimale në nivelin e kontributeve? Aktualisht pagesat e kontributeve të detyrueshme shoqërore llogariten 24.5 për qind nga të cilat 15 për qind mbulohen nga punëdhënësi dhe 9.5 për qind nga punëmarrësi. Ndërkohë, për sigurimet shëndetësore detyrimi është 3.4 për qind nga të cilat 1.7 për qind i paguan biznesi dhe 1.7 për qind dhe pjesën tjetër i punësuari. Pra në total, 11.2 për qind e kontributeve paguhet nga vet qytetarët, ndërsa 16.7 për qind nga bizneset. Për pagën 30 mijë lekë ky detyrim për punëmarrësit është 3360 lekë, ndërsa për biznesin 5010 lekë.

Me rritjen e pagës minimale me 20 mijë lekë detyrimi për qytetarët do të bëhet 3600 lekë, pra do të rritet me rreth 250 lekë, ndërsa për biznesin do të bëhet 5350 lekë duke njohur një rritje me 350 lekë në muaj. Si një proces zinxhir kjo rritje do të reflektohet më tej në masën e pensionit që do të përfitohet. Pasi një pagë më e lartë e deklaruar do të sjellë rrjedhimisht një pension më të lartë.

TAKSAT

Ndërkohë, prej korrikut të vitit që vjen, do të zerohet tatimi për pagat deri në 40 mijë lekë, ndërsa për pagat deri në 50 mijë lekë tatimi mbi të ardhurat do të përgjysmohet nga 13 për qind që është aktualisht në 6.5 për qind. Përmes paketës së re fiskale është parashikuar po ashtu edhe ndryshimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv. Kështu, tatimi 23 për qind parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë në muaj, nga 150,000 lekë që është aktualisht. Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 5,900. Aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore, sipas Ministrisë së Financave, rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej -1.37 miliardë lekë në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milion lekë.