Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, është ankuar se asnjëherë ambiciet e tij në politikë nuk u implemenentuan edhe kur ishte pjesë e qeverisjes. Ai tha se po të ishin vwnw në zbatim planet e tij do të kishte punësuar 150,000 veta.
“Po të ishte krijuar ai zinxhiri i pafund dhe të krijohet mundësia që qytetari të shfrytëzojë çdo pëllëmbë të tokës. Sipas kalkulimeve tona, ne kemi mundur të krijojmë mbi 150 mijë vende të punës, sepse në atë kohë me bujqësinë s’është marrë askush. Dhe në momentin që ne e kemi proklamuar këtë mundësi, njerëzit pa e kuptuar projektin dhe idenë fillonin të thonin se këtu është një parti që po do ta bie sistemin e lindjes”.
Megjithatë, ai thotë se aty ku ka qenë partia e tij s’ka qenë e mundur të flitet për korrupsion, hajni apo keqpërdorim.
“Kam ardhur me një program preciz, shumë të kuptueshëm dhe të realizueshëm. Ka qenë edhe manifesti ynë në zgjedhjet e 2007. E kemi promovuar kudo programin tonë, por s’jam i sigurt që programi ynë u kuptua nga njerëzit. S’është kuptuar sepse do të kishte koncez të votave shumë më tepër që kemi pasë. Programi ka hasur në vesh të shurdhër për arsye se në atë kohë s’ka pasë debate ku është folur për program. Kam qenë i befasuar në atë se si ndryshon realiteti. Unë vij prej biznesit dhe hyj në një ambient krejt tjetër, në debate ku vinin në pyetje gënjeshtrat dhe thashethemet”.
Pacolli tha se u kritikua edhe duke i thënë se po dëshiron që studentët t’i bëjë bujq.
“Kemi qenë pjesë e Qeverisë, por kemi arritur të ndikojmë me aq pjesëmarrje sa kemi pasë. Të gjitha idetë tona kanë mbetur rrugëve. Në biznes kam hapur vende pune, por në politikë ka qenë diçka tjetër, sepse s’janë marrë për bazë”.