MENU
klinika

Samiti i klimës

“Derbi” global midis ndotësve të djeshëm dhe të sotëm

03.11.2021 - 15:30

Nga Claudio Paudice “Huffington Post Italia”

A munden vendet përgjegjëse për më shumë se gjysmën e emetimeve të gazrave serë në atmosferë që prej vitit 1750, t’u besojnë premtimeve nga ata që janë aktualisht përgjegjës për rreth 1/5 e tyre? Pas samitit të G20-ës në Romë, u pa se distanca midis pozicioneve të SHBA-së dhe BE-së nga njëra anë, Kinës dhe Rusisë nga ana tjetër, është sërish e madhe.

Pas atij samiti gota është padyshim gjysmë bosh:ka një angazhim për ta mbajtur ngrohjen globale nën nivelin 1.5 gradë Celcius, është pranuar se nevoja për të ndërhyrë është e vërtetuar mbi baza shkencore. Por afati i vitit 2050 për një botë me emetime zero është zhdukur, i zëvendësuar nga afati i përgjithësuar i tipit “brenda ose rreth” mesit të këtij shekulli.

Marrëveshja dështoi për shkak të kundërshtimeve të disa vendeve, ndër të cilat veçohet Kina, India dhe Rusia. Pikërisht tek ato e drejtoi kritikën edhe presidenti amerikan Joe Biden para se të largohej nga Roma për të shkuar në Gllasgou:“Jemi të zhgënjyer që ata nuk iu përmbajtën angazhimeve të tyre në lidhje me ndryshimet klimatike”.

Zhgënjimi lidhet në thelb me afatin kohor që i kanë vendosur vetes të dyja shtetet për të arritur neutralitetin klimatik:viti 2060, pra 10 vjet më shumë se sa objektivi i vendosur nga shumica e vendeve perëndimore.

“Për Rusinë, 2050-a nuk është një numër magjik. Nëse kjo është ambicia e BE-së, vendet e tjera kanë ambicie të tjera”-paralajmëroi Ministri i Jashtëm rus Serghiei Lavrov gjatë samitit tëG20. “Rusia do të përpiqet që të arrijë neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060, duke hedhur poshtë ambiciet boshe. Edhe sepse për vitin 2050 ishte rënë dakord nga G7, ndaj nuk ishte e drejtë që ai propozim të paraqitej në samitin e G20”- shtoi ai.

Më pas Kremlini iu përgjigj akuzave të SHBA-së:“Moska është e angazhuar në mënyrë aktive me axhendën e klimës, dhe është përpara Evropës në parametra të ndryshëm të tranzicionit energjetik”.Një përgjigje e ngjashme me atë të Moskës erdhi nga Pekini:

“Në 200 vitet e fundit të industrializimit, vendet e zhvilluara kanë pasur një përgjegjësi të pashmangshme për emetimet e gazrave serë, dhe SHBA ka refuzuar historikisht ta ratifikojë Protokollin e Kiotos dhe është tërhequr nga Marrëveshja e Parisit, duke e dëmtuar seriozisht besimin dhe efektivitetin e bashkëpunimit global në trajtimin e problemit të ndryshimeve klimatike”.

Putin nuk foli në samitin e klimës në Gllasgou, as nëpërmjet tlidhjes online, pasi ky ishte një format i paparashikuar nga samiti, ndërsa Xi Jinping dërgoi një mesazh me shkrim. Pozicioni i Pekinit është i qartë, dhe u zyrtarizua 4 ditë përpara fillimit të samitit të Gllasgout me prezantimin në OKB të planit të përditësuar të reduktimit të emetimeve.

Objektivat janë arritja e kulmit të emetimeve deri në vitin 2030, dhe zero emetime deri në vitin 2060. Sipas analistëve, këto janë përmirësime të vogla në planin ekzistues, por jo të mjaftueshme përballë një vendi që aktualisht është përgjegjës për më shumë se 1/4 e të gjithë ndotjes me karbon.

Në fakt, Kina mbetet prodhuesja më e madh e gazrave serë në botë. Sipas qendrës së pavarur kërkimore “Rhodium Group”, në vitin 2019 ajo prodhoi rreth 27 për qind të emetimeve globale të gazrave serë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara 11 për qind, India 6.6 për qind, Bashkimi Evropian 6.4 për qind, Indonezia 3.4 për qind dhe Rusia 3.1 për qind.

Pra, sot Kina i ka kaluar vendet e zhvilluara duke i 3-fishuar nivelet e saj të emetimeve që prej vitit 1990, dhe duke i rritur ato me 1/4 gjatë dekadës së fundit. Por në këtë vend jetojnë mbi 1.4 miliardë njerëz, dhe kjo është arsyeja pse emetimet për çdo kinez janë shumë më të pakta se ato të prodhuara nga një amerikan, 10 kundrejt 17.6 ton.

Kjo mospërputhje shpjegohet pjesërisht nga mënyra e ndryshme e jetesës:amerikanët fitojnë më shumë, zotërojnë më shumë makina me benzinë, ​dhe udhëtojnë më shumë me avion sesa kinezët. Prandaj, nuk është për t’u habitur që duke iu përgjigjur Biden, Pekini kujtoi se “emetimet kumulative historike për frymë në SHBA, janë 8 herë më të larta se tonat”.

Pra, me fjalë të tjera Kina pretendon “të drejtën” për të ndotur, në mbështetje të rritjes së saj ekonomike të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Evropa e kanë shfrytëzuar kryesisht në të kaluarën. Sot Amerika e Veriut është përgjegjëse për 30 për qind të emetimeve kumulative globale, dhe Evropa për 33 për qind të tyre.

Vendi që ka kontribuar më shumë në këtë ndotje janë Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë emetuar gazra serë në atmosferë më shumë se çdo vend tjetër në botë (25 për qind). Këto janë shifra të cilat në mosmarrëveshjen e vazhdueshme midis Perëndimit dhe Lindjes mbi çështjen e ndryshimeve klimatike, nuk mund të mos vihen re dhe shfrytëzohen nga Rusia dhe Kina.

Dhe kjo jo pa arsye, pasi një pjesë e konsiderueshme e gazrave serë të emetuara mbeten në atmosferë për qindra vjet. Por sot ka një ndërgjegjësim më të madh mbi rreziqet e ndryshimit të klimës që lidhen me ndotjen njerëzore, dhe do të ishte miopi që ta reduktonim këtë çështje në ndarje llogarish midis fuqive të mëdha.

Po ashtu,do të ishte hipokrite të mohohej se një pjesë e madhe e prodhimit kinez që shkakton shumë ndotje, është i destinuar t’u shërbejë tregjeve perëndimore. Pekini prodhon më shumë se gjysmën e qymyrit në botë, dhe e konsideron atë jetik për ekonominë e vet.

Po ashtu, Kina prodhon gjysmën e çelikut dhe çimentos, sektorë këta shumë intensivë të energjisë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Rusinë me fushat e saj të gazit, një burim natyror fosil, ndonëse më pak ndotës se qymyri, rëndësia strategjike e të cilit është treguar javët e fundit kur ka pasur një mungesë serioze të lëndëve të para dhe ndërprerjes së furnizimeve ndaj BE-së nga “Gazprom”.

Sa i përket burimeve të rinovueshme, edhe pse SHBA ka përfituar nga energjia e prodhuar me lëndë djegëse fosile për shumë vite, ajo nuk është në një pozicion shumë komod. Kjo pasi burimet e gjelbra përfaqësojnë vetëm 9 për qind të konsumit kombëtar, krahasuar me 10 për qind në Kinë.

Sipas Enerdata, në vitin 2020 Kina prodhoi 745.000 gigavat orë energji nga energjia e erës dhe diellit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vetëm 485.000 gigavat orë. Vonesat e akumuluara ndër vite në marrjen e masave, janë reflektuar në nivelet rekord të përqendrimeve të gazrave serë.

Në vitin 2020, niveli i dioksidit të karbonit (CO2) u rrit në 413.2 pjesë për 1 milionë (ppm), metani në 1.889 pjesë për 1 miliard (ppb), dhe oksidi i azotit në 333.3 pjesë për 1 miliard. Këto nivele janë përkatësisht 149 për qind, 262 për qind, dhe 123 për qind e niveleve para-industriale.

Dhe sikurse e përmend raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike të OKB-së i prezantuar në samitin e Gllasgout, temperaturat mesatare globale janë rritur tashmë me 1.09 gradë që prej vitit 1750. Edhe një rritje me 0.41 gradë të tjera, dhe objektivi maksimal prej 1.5 gradë do ta shndërronte në ferr planetin thonë.

Raporti liston pasoja konkrete dhe të dukshme që janë vënë re që këtë vit:valë të jashtëzakonshme të të nxehtit ekstrem goditën Amerikën e Veriut në qershor dhe korrik, me temperatura 4 deri në 6 gradë mbi mesataren dhe qindra të vdekur nga vapa e madhe dhe zjarret.

Lugina e Vdekjes në Kaliforni shënoi temperaturën rekord 54.4 gradë. Temperaturat ekstreme kanë prekur edhe rajonin e Mesdheut. Më 11 gusht në Siçili ato arritën 48.8 gradë, një rekord evropian. Apelet e liderëve politikë për të vepruar shpejt, dhe për të vendosur objektiva më të detyrueshme, kanë qenë deri tani të kota.

Shtetet e zhvilluara kanë premtuar të financojnë vendet në zhvillim me 100 miliardë dollarë në vit, dhe BE-ja është e vendosur “të mbajë angazhimet e saj” me një fond prej 30 miliardë dollarësh. Por do të duhet jo pak energji për të bindur vendet më nguruese si Kina, pa të cilët nuk mund të nënshkruhet realisht asnjë marrëveshje shumëpalëshe. /abcnews.al/