MENU
klinika

"S’jemi pjesë e nismës Open Balkan”

Kurti nuk komenton deklaratat e Ramës në Beograd

05.11.2021 - 11:05

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk u është përgjigjur pyetjeve të REF-së lidhur me takimin e “Open Balkan” që mblodhi në Beograd Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, Kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe zv/kryeministrin maqedonas, Nikola Dimitrov.

Megjithatë, burime në qeveri thanë se “Kosova nuk është pjesë e nismës, ndaj preferojnë të mos i komentojnë zhvillimet e këtyre ditëve. Ata shtuan megjithatë se qëndrimet e qeverisë së Kosovës kundër kësaj iniciative tashmë janë të njohura”. Kurti është shprehur më herët se Kosova nuk do të bëhet pjesë e “Ballkani i Hapur”. “Qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran.

Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, tha Kurti muajin e kaluar. Kryeministri i Kosovës i mëshoi idesë se “’Procesi i Berlinit’ është korniza dhe rruga e duhur për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë mjaftueshëm të gjerë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative”.

TAKIMI

Kryeministri Kurti priti dje zëvendësndihmësen e Sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery, ku theksuan marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën. Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë. Siç njofton zyra për media e kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohjen për vlerësimin e Presidentit Biden.