MENU
klinika

Vaksinë ose 2 mijë lekë tampon për një kafe

Si do të aplikohet “Green Pass” për të marrë një shërbim në bare e restorante

05.11.2021 - 14:00

BESARTA BASHA/ Pasi të rinjtë nuk iu bindën urdhrit të qeverisë për t’u vaksinuar me kusht që të futen në auditorë, kjo e fundit ka vendosur t’u kushtëzojë hyrjen në kafene.

Një model i huazuar dhe përdorur gjerësisht në disa vende europiane, ai për “Green Pass”, do të aplikohet dhe në vendin tonë shumë shpejt. Këtë e bëri me dije ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, një ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, pa dhënë një datë të saktë se kur do të implementohet. Njëjtë si me universitetet, vendimi fillimisht komunikohet, duke “matur pulsin” e grupeve të interesit, për t’u bërë fakt i kryer ditë më vonë.

DEKLARATA

Duke folur për ecurinë e vaksinimit në vend, e para e Shëndetësisë e tha hapur se certifikata e vaksinës do të jetë kusht për t’u futur në lokale e restorante. “Duhet të kuptojmë edhe situatën që është në Europë, e kanë ato ‘Green Pass’! E kanë! Do ta vëmë edhe ne ‘Green Pass’ në lokale dhe në strukturat e tjera të shërbimit”, deklaroi Manastirliu. Kështu, për t’u konsumuar një kafe a vakt në bare e restorante do të duhet që çdokush të ketë injektuar më parë së paku një dozë vaksine anti-COVID.

Me afrimin e stinës së dimrit, qytetarët janë të prirur të mblidhen në ambientet e brendshme të bareve e restoranteve, shpesh, pa respektuar kurrfarë distance. Kështu, “Green Pass” do të shërbejë si një pasaportë, e cila dëshmon që personi që e posedon është i vaksinuar dhe i mbrojtur nga infeksioni.

Certifikata e propozuar është falas dhe përbëhet nga një kod QR që duhet të mbahet në “smartphone” ose të printohet në letër, me tri alternativa për të provuar se mund të udhëtoni apo merrni shërbime: duke i nënshtruar vaksinimit, duke qenë testuar negativ për një tampon, ose duke qenë kuruar nga COVID- 19 dhe kanë zhvilluar antitrupa. Gjatë fjalës në Kuvend mbi sigurinë e vaksinave që kanë depërtuar në vend, ministrja Manastirliu hodhi poshtë deklaratat se vaksinat në Shqipëri janë të pasigurta duke thënë se të gjitha vaksinat që përdoren janë të aprovuara nga OBSH-ja.

“Ne përdorim vaksinën kineze të pacertifikuar që nuk përdoret nga BE-ja. Ne jemi në amulli të plotë duke bërë një sallatë ruse me vaksinat. Të gjitha vaksinat që janë përdorur dhe përdoren në Shqipëri, janë të miratuara nga OBS-ja dhe nga agjenci të rëndësishme të Barnave. Nga 8 nëntori, SHBA-ja lejon për udhëtim vaksinat kineze, kjo është vendim ku njihet kjo.