Debatet e forta në Byronë Politike, që vulosën fatin e ish-kryeministrit më jetëgjatë të komunizmit, Mehmet Shehu. Ky i fundit ishte në sulmin e anëtarëve të Partisë Komuniste, pas fejsës së djalit, Skënder Shehut, me vajzën e Qazim Turdiut, Silva Turdiut.
Më dhjetor 1981, në Komitetin Qendror të gjithë anëtarët e Byrosë lexuan autokritikën e Mehmet Shehut. Është data 17 dhjetor, vetëm një ditë para se Mehmet Shehu, ish-kryeministri të ndërronte jetë. Enver Hoxha kishte thirrur mbledhjen e Byrosë me temë të qartë, “Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”. Vetëm një muaj më parë Mehmeti i kishte dërguar Enverit një kopje të autokritikës. Ish-diktatori i kishte bërë tri vërejtje që ishin pasqyruar në autokritikë nga Mehmeti.
Kishte ardhur momenti që të gjithë të jepnin mendimet e tyre dhe të bënin pyetjet. Fejesa e Skënderit, djalit madh të Mehmetit me Silvën, vajzë nga familja Turdiu, nuk do të shihet aspak me sy të mirë nga anëtarët e Byrosë. Në të kundërt, ky do të jetë “sebepi” i një lumi akuzash nga më të ndryshmet mbi Mehmetin.
Panorama.al do të publikojë me anë të një cikli të gjatë, procesverbalin e plotë të dy ditëve të mbledhjes së Byrosë, me të gjitha batutat dhe gabimet. Kjo do të jetë e vetmja mënyrë për të zbuluar të vërtetën e atyre ditëve fatale dhe të shumëpërfolura. Kush ishin njerëzit që denoncuan më shumë dhe klanet e krijuara për të devijuar nga autokritika e thjeshtë e një gabimi në ndarjen e partisë.
Pyetjet e Ramiz Al isë, Kadri Hazbiut, Prokop Murrës, Besnik Bekteshit, Rita Markos, Simon Stefanit, Llambi Gegpriftit, Pali Miskës, Lenka Çukos, etj. Roli i ish-diktatorit. Si u grupuan të gjithë rreth tij dhe mënyrat e ndryshme për rrënimin e Mehmetit.
Si reaguan shokët e vjetër të Mehmetit dhe akuzat për djalin e pjesën tjetër të familjes. Pamundësia e Mehmetit për t’u mbrojtur dhe ndërhyrjet e “paditura” të Enverit pas akuzave të forta.
Roli i Ramiz Alisë dhe pse pas akuzave të tij një grup anëtaresh të Byrosë “ndërseheshin” në sulme të tjera. Duket se atë 17 dhjetor janë bërë të gjitha llogaritë dhe janë krijuar të gjitha koalicionet kundër armikut të radhës brenda llojit. Atë të mërkurë, punët do të shkojnë si mos më keq për Mehmet Shehun.
Sot gazeta po boton procesverbalin e parë, atë të fillimit të mbledhjes. Hapjen e saj nga Enveri dhe 10 pyetjet e para të anëtarëve të Byrosë. Përgjigjet e Mehmetit dhe pyetjet kritike të Pali Miskës: Përse vë ti djalin përpara interesit të partisë?
Procesverbali i Mbledhjes së Byrosë Politike të KQZ të PPSH të datave 17 e 18 dhjetor 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike!
Në këtë mbledhje marrin pjesë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën i vdiq e ëma.
Shoku Enver Hoxha: Sot në rend të ditës të Byrosë Politike kemi shqyrtimin e një gabimi politik që ka bërë shoku Mehmet. Siç e dini, për këtë ai ka paraqitur një autokritikë me shkrim dhe ju keni marrë dijeni mbi përmbajtjen e saj. Në qoftë se shoku Mehmet ka ndonjë shtesë për të bërë, mund ta bëjë apo të fillojmë menjëherë nga diskutimet?
Shoku Mehmet Shehu: Shtesë tjetër, shoku Enver, nuk kam për të bërë. Jam përpjekur dhe kam reflektuar sa kam mundur për të realizuar shkaqet, arsyet përse e bëra këtë gabim të rëndë politik dhe me aq sa kam mundur do të tërheq mësime nga ky pësim. Shokët le të thonë mendimin e tyre si ta shikojnë e si ta gjykojnë të arsyeshme. Unë jam gati të dëgjoj.
Shoku Simon Stefani: Kam disa pyetje për t’i bërë shokut Mehmet.
1- Si mendoni ju, shoku Mehmet, e keni marrë parasysh apo nuk e keni marrë parasysh se ç’qëndrim do të mbante partia ndaj këtij veprimi tuaj të gabuar?
2- Këto veprime që keni bërë ju, janë rezultat i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i presionit të armikut të klasës mbi ju?
3- Disa veti apo vese negative, siç i quani ju e që duken te ju, sa kanë influencuar negativisht në punën tuaj si drejtues?
4-A e keni informuar organizatën bazë të partisë për gabimin që keni bërë dhe a është diskutuar në të në bazë të normave të partisë?
5- Me gjithë kritikat e bëra, pse e dërguat djalin përsëri jashtë? Pse nuk iu nënshtrua ai më parë si komunist analizës së veprimit të tij në organizatën bazë të partisë?
Shoku Llambi Gegprifti: 1-Sentimentalizmi i theksuar dhe i tepruar jashtë normave komuniste, thotë shoku Enver, ka qenë një faktor ndikues negativ te shoku Mehmet. Ai thotë se ky sentimentalizëm i theksuar mikroborgjez jashtë logjikës komuniste e ka shtyrë që të bëjë një veprim të tillë për djalin e tij, Skënderin. Unë pyes: A je çliruar plotësisht tani nga ky sentimentalizëm?
2- Në autokritikën e tij, shohu Mehmet hotë se po të ishte ndihmuar nga shokët e nga njerëzit për konstatimet që kanë pasur dhe t’ia kishin vënë në dukje hapin e gabuar që po ndërmerrte do ta bënte këtë veprim. Për të cilët shokë e ke fjalën, shoky Mehmet, që e kanë ditur këtë problem dhe nuk ta kanë vënë në dukje?
Shoku Enver Hoxha: Ka pyetje të tjera?
Shoku Ramiz Alia: 1-A ke bindje të plotë, shoku Mehmet, se ky veprim, ky gabim i madh politik që bëtë e ka dëmtuar partinë, dhe se po të mos ishte ndërhyrë do ta dëmtonit atë shumë rëndë?
Shoku Pali Miska: 1-Në autokritikën që bën shoku Mehmet i nxjerr fare të pafajshëm dhe i përjashton nga përgjegjësia si Fiqretin, ashtu edhe djalin, ndërsa përgjegjësia e tyre është e qartë. Përse e bën këtë shoku Mehmet dhe merr mbi vete çdo gjë?
2- Jeni të bindur se gabimi i madh politik i që bëtë është rrjedhim logjik i tërë atyre të metave, dobësive e gabimeve që keni pasur në punë dhe në jetë? I njihni apo nuk i njihni këto të meta, dobësi e gabime? Gabimi politik që bëtë nuk është diçka aksidentale, as mendim i veprimit të një dite.
Shoku Rita Marko: 1- Ç’mendoni ju për atë që thuhet në ma sat e në opinion rreth qëndrimit dhe sjelljeve të djalit tuaj të vogël dhe nuses së tij?
2- Ç’mendoni ju për arrogancën në sjelljet e veprimet tuaja? A është fjala këtu për shfaqje të rastit, momentale, siç thoni në autokritikë, apo rrjedhim i mendjemadhësisë dhe i mbivlerësimit të mendimeve e të punës suaj?
3- Ju në autokritikë thoni se, po të më kish é in bërë shokët vërejtje, unë do ta kisha korrigjuar gabimin. Pyes: A keni pasur në atë kohë ndonjë që të merrnit kontakt me shokët që kanë munguar dhe sidomos me ndonjë që kishit afër deri te shoku Enver? Keni 1 pasur ndonjë vështirësi për të mos i pyetur ata?
Shoku Prokop Murra: 1- Shoku Enver në mbledhjen e fundit të Byrosë Politike shtroi një sërë çështjesh shumë rëndësishme, autokritika juaj është dorëzuar një ditë më vonë. Tani pyes: Përse shoku të Mehmet nuk shprehet në autokritikën e tij për asgjë lidhur me këto çështje?
Shoku Enver Hoxha: Unë në Byronë Politike shtrova disa çështje organizative.
Shoqja Lenka Çuko: 1- Po ta kishte bërë këtë veprim ndonjë komunist i thjeshtë ç’qëndrim do të mbanit ju, shoku Mehmet?
2- A është informuar shoku Mehmet se cila ka qenë jehona ndaj veprimit të tij në masat poshtë?
3- Shoku Mehmet duke mbivlerësuar punën e tij mos mbivlerësonte edhe zonën apo krahinën e vet dhe nënvlerësonte të tjerat?
Shoku Muho Asllani: 1- Kush e ka njohur më përpara familjen e Qazim Turdiut, si familje ose si individ, shoku Mehmet apo shoqja Fiqrete? Fejesa e djalit të tyre me vajzën e Qazimit u bë vetëm si rastësi?
Shoku Besnik Bekteshi: 1- Për sa i takon autokritikës, atë e bëri me iniciativën e vet shoku Mehmet, apo iu kërkua shokët?
2- Për të shtuar një çikë rreth pyetjes që bëri shoku Ramiz; do të dëmtohej partia në qoftë se kjo fejesë do të përfundonte dhe çfarë dëmtimesh mendon shoku Mehmet konkretisht do t’i sillte partisë veprimi i tij?
Shoku Manush Myftiu: 1- Shoku Mehmet thotë se po ta bënte një tjetër gabimin që ka kryer ai, nuk do ta lejon te. Si e gjykon ai këtë. Kur nuk ia lejon një tjetri një gabim të tillë pse ia lejoi vetes?
2- Në ç’pozitë e vë veten e tij në raport me të tjerët?
3- Thuhet se njëra nga arsyet që e çoi në gabim është sentimentalizmi. Por në rastin konkret, kur është fjala për një gabim të rëndë politik, a duhet sentimentalizmi të kalojë deri në këtë cak sa të cenohet vija e partisë?
Shoku Enver Hoxha: Mund t’u përgjigjeni, shoku Mehmet, se më duket që s’ka më pyetje.
Shoku Mehmet Shehu: Shoku Simon pyeti se si mendoja unë, çfarë qëndrim do të mbante partia në rast se fejesa do të ishte realizuar? Domethënë do të kthehej kjo në martesë?
Unë mendoj se partia do të mbante qëndrim të drejtë, nuk do ta miratonte atë dhe unë do ta prishja martesën, pra do ta kuptoja gabimin. Po a e mbajtët parasysh ju, thotë shoku Simon, këtë çështje në atë moment që e morët këtë vendim? Siç e shpjegoj në autokritikën time, në atë moment gjykova siç e gjykova, dhe sigurisht nuk gjykova drejt. U tërhoqa më tepër nga sentimentalizmi mikroborgjez kundrejt djalit, për arsyet që thuhen në autokritikën time dhe mendova se mund të ishte e mundur një fejesë e këtillë. Përveç arsyeve të tjera, që thuhen në autokritikën time, dy kanë qenë shkaqet themelore që më bënë mua të kaloj në atë gabim.
E para, çështja e traumës psikologjike që ka pasur prej kohësh djali; e dyta, gabimi im dhe ky ishte më i rëndë, që këtë familje e ndava, e konsiderova në kufirin e ngushtë të Qazim Turdiut, duke u nisur nga ajo se ç’do të më bëjë mua kjo familje që i ka këputur marrëdhëniet me pjesën tjetër të saj të jashtme. Pastaj janë edhe shkaqet e tjera që numërohen, siç është rrëmbimi që më bën që të gaboj etj.
Shoku Pali Miska: Përse vë ti djalin për para interesit të partisë?
Shoku Mehmet Shehu: Unë, shoku Pali, në këtë çështje nuk u nisa nga vënia e interesave të partisë nën interesat e djalit e të familjes, sepse fakt është që në këtë gabim që bëra u prek edhe interesi i partisë, u prek edhe interesi i familjes, edhe i vetë djalit. Nuk u nisa pra nga ajo. Po të nisesha nga kjo, që të vija interesin e djalit dhe të familjes mbi interesin e partisë, do të isha një armik, por nuk e gjykova çështjen kështu, në këtë mënyrë. Në këtë lëmsh kontradiktor jam plotësisht dakord me të gjitha kritikat.
Shoku Simon Stefani: Jo, shoku Mehmet, nuk jam aspak i kënaqur me përgjigjen që jepni. Nuk jam i kënaqur në kuptimin se ju kështu nuk nxirrni, si të thuash, rrënjët e gabimit, pse e bëtë atë. Mos mendoni ju se partia do t’ju falte për këtë gabim, se jeni, si të thuash veç të tjerëve, pse vijën e partisë ju e njihni, e dini? Për sa i përket ndarjes që i bëni familjes së Turdiut, në familje të ngushtë e në familje të gjerë, ku i gjeni ju këto emërtime kur partia me orientim e me udhëzime të veçanta të Byrosë Politike i ka saktësuar mirë kush hyn në trungun e familjes, të afërmit dhe njerëzit e tjerë, pa lënë shteg për të livadhisur? Shqetësimi ynë qëndron në atë qa tha shoku Pali, pse ju vutë interesat e familjes, interesat e djalit mbi interesat e partisë?
Shoku Mehmet Shehu: Jo, shoku Simon, nuk u nisa nga ajo që të vë interesat e djalit mbi interesat e partisë. Mendova gabim duke e marrë ngushtë familjen e Qazim Turdiut si një profesor dhe kuadër i dekoruar, që një djalë e ka në universitet, një vajzë gjithashtu e ka në universitet, të shoqen e ka llogaritare në Kombinatin e Autotraktorëve, se ka edhe të arratisur, por që i ka shkëputur marrëdhëniet. Bile u informova se Qazimit i ka qenë kërkuar nga organet e Sigurimit të Shtetit që t’i shkruante të vëllait në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shkëputur lidhjet me armiqtë domethënë për të hequr dorë nga puna armiqësore, po ai nuk ka pranuar, dhe atëherë Qazimi i kishte shkëputur marrëdhëniet me të.
Shoku Kadri Hazbiu: Ç’rëndësi ka kjo? Kjo për mendimin tim s’ka asnjë rëndësi. Pse të futemi në këto hollësira ne?
Shoku Enver Hoxha: I shkroi letër, s’i shkroi letër, kjo është punë agjenturale dhe ti i di këto gjëra, Mehmet.
Shoku Kadri Hazbiu: Ç’rëndësi ka për ne kjo, që nuk e lehtëson atë aspak.
Shoku Mehmet Shehu: Unë kështu e gjykova këtë punë. Kjo sigurisht e ka dëmtuar punën e partisë, po unë nuk u nisa nga ajo që të vë interesin e djalit mbi interesin e partisë. E gjykova gabim. Një pyetje tjetër është që vetitë negative…