“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai do të mbërrijë në Bosnje dhe Hercegovinë më 7 nëntor.
Tensionet në Bosnje janë në rritje pasi entiteti i Republika Sërpskës ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe.
Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë.
Në këtë intervistë, Escobar ka theksuar se SHBA-ja po punon ngushtë me Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Ju do të vizitoni të dielën (7 nëntor) Bosnjën. A është kjo vizitë pjesë e presionit, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po e bëjnë ndaj vendit për të shpejtuar reformat për integrime evropiane?
Gabriel Escobar: Nuk do ta quaja presion, por do të thosha që më shumë është një partneritet. Pra, Dejtoni (Marrëveshja që ndali luftën në Bosnje më 1995 v.j) ka mbajtur paqen për 25 vjet, prandaj kemi për qëllim që të shkojmë dhe të shprehim mbështetjen tonë për sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë. Përtej kësaj, unë dua të zhvilloj një sërë takimesh për të diskutuar sa i takon potencialit për zhvillim ekonomik të rajonit dhe mënyrat se si Amerika mund të ndihmojë në krijimin e mundësive, nga të cilat Ballkani do të përfitonte realisht.
Radio Evropa e Lirë: Për çfarë lloj ndihme bëhet fjalë? A mund të na sqaroni?
Gabriel Escobar: Epo, ka shumë mundësi për ndihmë. Së pari, unë i kam dërguar mesazh Bashkimit Evropian se Ballkani është një rajon i mundësive dhe se unë do të doja të shihja përshpejtim të procesit të zgjerimit. Por, unë, gjithashtu, do të doja t’i inkurajoja kompanitë amerikane dhe evropiane që ta shohin Ballkanin për atë që në të vërtetë është: një treg me një rritje të shpejtë, universitete të shkëlqyera dhe në një pozicion të jashtëzakonshëm gjeografik. Pra, kjo lloj ndihme ka për qëllim fillimisht rritjen e ndërgjegjësimit për mundësitë, dhe së dyti, për të eksploruar për rrugët tjera që mund të ndjekim për të ndihmuar, misionet për tregti, mbështetje e USAID-it (Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar) dhe mbështetja potenciale e DFC-së (Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së). Të gjitha këto janë në tryezë. Dhe, unë pres që të takohem me liderë modern dhe liderë, të cilët e kanë këtë lloj mentaliteti për integrimin në sistemin evropian dhe integrimin brenda Ballkanit Perëndimor. Kështu që unë do të zhvilloj takime, jo vetëm me politikanë, por edhe me biznese.
Radio Evropa e Lirë: A do të takoheni me Millorad Dodikun?
Gabriel Escobar: Kjo do të vendoset më vonë në konsultim me ambasadorin tonë në Sarajevë.
Dodiku po përpiqet të gjejë rrugë për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e tij
Radio Evropa e Lirë: Ju keni biseduar me presidenten e Republika Sërpskës, Zheljka Cvijanoviq. Ajo ka kërkuar një qasje më të balancuar. Por, ende nuk e dimë cili ka qenë mesazhi juaj për të?
Gabriel Escobar: Po, mesazhi që i dhashë asaj është i njëjtë si ai që iu kam dhënë të gjithë liderëve në rajon. Dejtoni ka siguruar paqen për 25 vjet dhe është baza e politikës sonë. Çfarëdo lëvizje për të minuar Dejtonin, përfshirë atë që Millorad Dodiku po bën tash, është shumë e dëmshme dhe destabilizuese për rajonin.
Radio Evropa e Lirë: Si të veprohet ndaj kërcënimeve për shpërbërje të vendit, transferim të kompetencave dhe minimin e institucioneve shtetërore, që përkrahen nga Millorad Dodik? Njerëzit janë të frikësuar se mund të ndodhë një luftë e re. Ne ende nuk kemi parë sanksione në lidhje me këto kërcënime?
Gabriel Escobar: Dua të diskutoj me ambasadorin tonë para se të shpallim sanksione të reja. Kjo është në tryezë. Por, unë dua t’i them popullit të Bosnjës: nuk do të ketë një luftë tjetër, ne, bashkësia ndërkombëtare jemi të bashkuar me partnerët tanë në Evropë, dhe ajo që ne duam është të sigurohemi se angazhimet tona për paqen dhe sigurinë e njerëzve në rajon janë plotësuar. Por, sa i takon dobësimit të institucioneve qendrore, do të jem shumë i sinqertë, arsyeja për këtë është në të vërtetë korrupsioni. Ajo që po bën Millorad Dodiku është se ai po përpiqet të gjejë rrugë për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e tij. Kështu që, unë po u kërkoj njerëzve që të mos ia mundësojnë atij ta bëjë këtë.
Radio Evropa e Lirë? A e konsideroni veten si një njeri që mund të ushtrojë një ndikim vendimtar, jo vetëm për të ndalur retorikën në rritje anti-Bosnje, por gjithashtu të ndalë edhe agjendën Dodikut?
Gabriel Escobar: Sinqerisht, agjenda që po e ndjek Dodiku nuk po mbështetet nga askush në rajon, përfshirë Serbinë, me të cilën ne po zhvillojmë partneritet. Unë nuk po përpiqem t’i ndaj serbët. Në fakt, ajo që po bëjmë ne tani në Serbi është se po shprehim mbështetje për nismën e “Ballkanit të hapur”, e cila mendojmë se është një zhvillim shumë pozitiv në rajon, kemi nënshkruar një ndihmë prej afro një miliard dollarësh ndërmjet Ministrisë së Financave dhe DFC-së, kemi nënshkruar një partneritet të ri universitar ndërmjet Universitetit të Beogradit, i cili është një nga universitetet më të mira midis Budapestit dhe Athinës dhe midis Adriatikut dhe Detit të Zi, pastaj kemi Marinën e SHBA-së dhe Beretat e Gjelbra që zhvillojnë stërvitje me forcat speciale serbe. Kjo është ajo që ne mund të bëjmë për serbët edhe në Republikën Sërpska. Por, janë mesazhet alternative që Dodik po shtyn përpara, Ai më parë do ta shihte Republikën Sërpska të bëhet një Transnjestri, ose Oseti Jugore, vetëm për të mbrojtur pasurinë e tij.
Radio Evropa e Lirë: Sipas një raporti të gazetës Guardian, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka paralajmëruar për “rrezikun real” të luftës. Autenticiteti i raportit nuk është mohuar. Cili është mendimi juaj?
Gabriel Escobar: Epo, shikoni, unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar se nuk do të ketë luftë. Dhe më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia, dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon. Dhe, nëse shikoni se çfarë po ndodh në pjesën tjetër të rajonit, vetëm në Bosnje, a keni këtë lloj tensioni në rritje, të gjithë të tjerët janë të fokusuar në integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik. Pas vizitës sime në Bosnje, udhëtoj për në Mal të Zi për të diskutuar për të gjitha mundësitë që Mali i Zi ka për të ofruar. Do të takohem me një qeveri që është e përqendruar në krijimin e rrugëve reale për zhvillim, duke përfshirë ministrin e Financave, i cili ka folur për krijimin e Malit të Zi si një qendër për E-tregtinë, pastaj zëvendëskryeministrin, i cili ka folur për krijimin e Malit të Zi si një qendër transporti, energjie dhe turistike për Evropën Jugore. Të gjitha këto janë të mundshme. Kjo është ajo për të cilën duhet të flasim. Në vend të këtyre, Dodik po flet për të njëjtat çështje qe 25 vjet.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë se me reforma të kufizuara kushtetuese, të shoqëruara me reforma të sistemit zgjedhor dhe gjyqësor, Bosnja mund të bëhet një shtet shumë më funksional. Si mund të arrihet kjo nëse mungon një marrëveshje për të gjitha çështjet thelbësore?
Gabriel Escobar: Ka shembuj në histori që kanë një qeveri të përbashkët federale dhe entitete të forta. Belgjika është një shembull. Pra, brenda Evropës, Bosnja mund të marrë një formë të tillë. Ne duam një Federatë shumë të fortë dhe një Republika Sërpska shumë të fortë dhe askush nuk e vë në dyshim të drejtën e Republikës Sërpska për të ekzistuar. Është pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit. Ajo për të cilën po flasim janë njerëzit që ndërmarrin lëvizje për të dëmtuar, si Dejtonin ashtu edhe qeverinë qendrore. Dhe, përsëri më duhet të theksoj, ai (anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik v.c) po e bën këtë për agjendën e tij personale.
Turqia, partnere në Ballkan
Radio Evropa e Lirë: A është e dobishme ndërhyrja e Serbisë, Kroacisë dhe Turqisë në punët e brendshme të Bosnjës, apo ka një efekt të dëmshëm?
Gabriel Escobar: Unë do të thosha se në kontekstin e mbrojtjes së sovranitetit të Bosnjës dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Bosnjës, Kroacia dhe Serbia kanë një zë pasi janë nënshkruese të Dejtonit. Pra, ne mirëpresim diskutimet tona me të dy kryeqytetet. Sa i takon Turqisë, në kontekstin e Ballkanit, ata(përfaqësues të Turqisë) kanë qenë pjesë me ne aty, ata kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik. Pra, si anëtare e NATO-s, ne mirëpresim angazhimin tonë me Turqinë edhe në Ballkan.
Radio Evropa e Lirë: Cilat, sipas jush, janë ato pikat e nxehta në Ballkanin Perëndimor?
Gabriel Escobar: Unë do të thosha se përgjithësisht ato nuk i kemi. Pra, nëse shikoni marrëdhëniet tona me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ata, për mendimin tim, janë gati të fillojnë negocatat e anëtarësimit në BE. Dhe, ne shpresojmë që ata do ta bëjnë këtë, që BE-ja ta miratojë këtë dhe t’i fillojë ato diskutime këtë vit kalendarik. Partneriteti ynë me të dyja këto vende, si brenda NATO-s dhe dypalësh, ka qenë i jashtëzakonshëm. Ata kanë qenë aleatë të mirë, partnerë të mirë, janë miq të shkëlqyeshëm dhe kjo është ajo që unë po i them Bashkimit Evropian. Kjo është ajo që ata mund të presin nga këto vende.
Pastaj, Mali i Zi ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt Evropës. Ata janë një partner solid i NATO-s. Ne jemi duke punuar shumë ngushtë me Bashkimin Evropian për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga BE-ja. Dhe, unë jam i lumtur të them se ne nuk kemi ndonjë fushë mosmarrëveshjeje me Bashkimin Evropian për këtë çështje. Siç e thashë kemi partneritetin në zhvillim me Serbinë që ka qenë shumë përfitues për të dyja vendet. Ne kemi festuar së fundi 140-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike me Serbinë. Dhe, ajo trajektore që kemi pasur për një shekull e gjysmë, shpresojmë të vazhdojë.
Në Bosnje, ne kemi perspektiva shumë të mira për integrimin evropian, nëse njerëzit pranojnë se Bosnja duhet të mbetet një vend sovran, i pavarur, i plotë në aspektin territorial duke respektuar plotësisht Dejtonin.
Radio Evropa e Lirë: Pra, prioritetet tuaja nuk ndryshojnë kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, siç edhe keni thënë kur jeni emëruar në këtë pozitë.
Gabriel Escobar: Ashtu është, ato nuk kanë ndryshuar. Kur e shikoj, shikoj 20 vjet më parë, njerëzit që po lindin në Ballkan tani, duhet të gjejnë mundësi për të jetuar një jetë normale, ekonomikisht të qëndrueshme në vendet ku kanë lindur, nëse ata dëshirojnë, sepse për momentin, është një zgjedhje shumë e vështirë për njerëzit të qëndrojnë në Ballkan për shkak të situatës ekonomike. Pra, sipas mendimit tim personal, dhe për këtë kam qenë edhe vetë dëshmitar, njerëzit e Ballkanit ia dalin shumë mirë kudo. Populli në Ballkan dhe unë po flas për shqiptarët, boshnjakët, kroatët, serbët, cilëtdo qofshin, kanë ndërtuar vendin tim, ata po ndërtojnë Evropën, ne kemi nevojë për ta për të ndërtuar Ballkanin. Dhe, ne duam të bashkëpunojmë me atë brez për të gjetur mundësi.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet më shumë në situatën në Bosnje dhe Hercegovinë? Duket se ata janë disi më shumë larg problemeve që kemi këtu…
Gabriel Escobar: Nuk është e vërtetë. Përfaqësuesi i Lartë është një evropian, forcat paqeruajtëse të cilave kohën e fundit iu zgjat mandati janë evropiane. Pra, shumë nga strukturat ndërkombëtare brenda Bosnjës, janë evropiane tani dhe gjithçka që bëjmë ne, është në konsultim me kolegët tanë evropianë, në fakt, që nga Dejtoni, deri në zgjidhjen e krizës së targave mes Serbisë dhe Kosovës muajin e kaluar u bënë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Ne planifikojmë të vazhdojmë kështu.