MENU
klinika

"Bllokohuni pronat atyre që synojnë..."

Gjashtë kongresmenë, letër presidentit Biden

07.11.2021 - 11:32

Gjashtë kongresmenë i kanë dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, ku i kërkojnë që të vendosë sanksione ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.

Në qendër të kritikave të tyre është presidenti Aleksandër Vuçiç, për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.

Dokumenti është i nënshkruar nga kongresistët: Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern dhe Mike Quigley.

“Siç thatë gjatë vizitës tuaj në Beograd në gusht 2016, ‘është kryesisht në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara që populli i Serbisë të rritet dhe të përparojë’. Prandaj, dëshirojmë të inkurajojmë administratën tuaj që të angazhojë Vuçiç në luftën kundër korrupsionit dhe sulmeve ndaj lirisë së shtypit, dy fusha që janë kritike për një Serbi të begatë dhe demokratike dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE”, thuhet në letrën e publikuar nga mediat serbe, raporton “Klan Kosova”.

Në letër i bëhet thirrje shefit të Shtëpisë së Bardhë që të shqyrtohet përdorimi i Urdhrit Ekzekutiv 14033, për të bllokuar pronat dhe për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu në letër thuhet se liria e medies nuk është vetëm një vlerë kyçe amerikane e përfshirë në Kushtetutën e SHBA-së, por se kjo çështje është gjithashtu e rëndësishme për politikën e jashtme të Washingtonit dhe për luftën kundër autoritarizmit në mbarë botën.

“Fatkeqësisht, liria e medias në Serbi ka arritur një nivel të ulët. Siç vërejnë Reporterët pa Kufij: “Serbia është një vend ku gazetarët janë të ekspozuar ndaj sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare. Është gjithashtu e qartë se mediat pro-qeveritare po bëjnë përparim dhe janë në një marrëdhënie reciproke të dobishme me qeverinë”.