Nga Vlora, që kryeministri Edi Rama e cilësoi kampione për keqmenaxhimin e fondeve, ka nisur sot aksioni për pastrimin e territorit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro deklaroi se Vlora nuk mund ta ngrejë flamurin e kombit në këtë muaj të festave kombëtare pa pasur edhe flamurin e pastërtisë. Ajo paralajmëroi një fond shtesë të parashikuar në projektbuxhetin për vitin 2022, për menaxhimin e mbetjeve.
Në këtë takim ku mungonte kryebashkiaku Dritan Leli, Kumbaro e injoroi pozicionin e tij, duke iu drejtuar prefektit Flamur Manaj si komandat i këtij qyteti.
“Është përgjegjësi e atyre që kanë detyrë mbrojtjen e territorit. Nuk mund ta lëmë në këtë derexhe. Nuk do kishte muaj më të mirë për ta nisur. Nuk mund të ngrihet flamuri i Kombit në Vlorë pa flamurin e pastërtisë. Është e rëndësishme që të gjithë të ndërgjegjësohen për ta mbajtur të pastër. Qeveria e ka menduar ta kthejë këtë në sistem.
Në momentin kur po përgatisim buxhetin për vitin 2022, do krijohet një task forcë për bashkitë më problematike që kanë popullim gjatë sezonit turistik. Shtohet fondi në destinacion të bashkive për mbetjet.
Për të ruajtur standardet nga koshi deri te menaxhimi i mbetjeve. Bashkitë mbledhin para nga stacionet e plazhit. Janë para për plazhet dhe sezonin turistik. Është keqmenaxhimi i bashkive që burimet që marrin prej aseteve që kanë nuk i përdorin për mbrojtjen e këtyre aseteve. Falenderoj komandantin e bashkisë, pra prefektin, forcat e ushtrisë dhe studentët”, tha Kumbaro.