MENU
klinika

DW: Çfarë bën shtet serb?

Peticion për faljen e vrasësit të Zoran Xhinxhiç

07.11.2021 - 13:29

Një i dënuar për krime lufte kërkon që njeriu që vrau në vitin 2003 kryeministrin e atëhershëm serb, Zoran Xhinxhiç të lirohet nga burgu, sepse ai e sheh atë si hero lufte.

Më 12 Mars 2003, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Serbisë, Zoran Xhinxhiç u vra në kryeqytetin serb, Beograd. Dy vite më parë më 25 janar 2001 ai ishte bërë kryeministër, pas rrëzimit nga pushteti të pushtetmbajtësit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviç. Millosheviçi që kishte nisur tre luftëra donte një shtet të pastër etnik serbomadh në territorin e ish-Jugusllavisë multietnike. Qëllimi i Zoran Xhinxhiç të lindur në vitin 1952 ishte krijimi i një Serbie moderne, demokratike dhe europiane. “Qeveria ime kujdeset për fatin e këtij vendi dhe përpiqet për një bazament të fortë për brezat e ardhshëm, duke e lidhur Serbinë me Europën”, kështu ishte shprehur Zoran Xhinxhiç për programin e tij politik. “Asgjë nuk mund ta ndalë Serbinë në rrugën drejt Europës, në rrugën e familjes demokratike, moderne, të shteteve të zhvilluara.”

Zoran Xhinxhiç donte një Serbi moderne, demokratike
Përpjekja e kryeministrit për afrimin e Serbisë me BE u duk edhe në rifreskimin e anëtarësisë së Serbisë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, prej të cilave Millosheviç kishte dalë. Edhe inflacioni mund të ulej nga viti 2000 në 113% në 8% në vitin 2003. Po ashtu u miratua një ligj për luftën kundër krimit të organizuar dhe u hoq dënimi me vdekje. Millosheviçi po ashtu u arrestua e iu dorëzua Tribunalit të Hagës që e akuzoi për krime lufte.

Më 12 Mars 2003 Zvezdan Jovanoviç, një anëtar i njësisë për operacione speciale, JSO i policisë serbe, nga një ndërtesë në afërsi të selisë së qeverisë serbe qëlloi mbi Zoran Xhinxhiç. Pak më vonë kryeministri ndërroi jetë, vrasësi u kap dhe e pranoi vrasjen gjatë marrjes në pyetje. Për këtë vrasje u arrestua edhe Milorad Ulemek, i ashtuquajturi “Legija”, ish-komandant i JSO, që së bashku me bandën kriminale “klani i Zemunit” ishin përgjegjës për vrasjen e Zoran Xhinxhiç. Jovanoviç dhe Ulemek u dënuan me 40 vite burgim. Në varrimin e Zoran Xhinxhiç morën pjesë 200.000 qytetare e qytetarë nga shteti 7 milionësh, si edhe 70 delegacione nga e gjithë bota.

Heshtja e qeverisë

Në mars 2020 u rikthye në Serbi, Dragan Vasiljkoviç, i ashtuquajturi “Kapiten Dragani”, pasi kishte kaluar tetë vite e nëntë muaj burg në Austri dhe Kroaci për krime lufte në luftën e vitit 1991-95. Në shtator ai themeloi fondacionin “Kapiten Dragani” me të cilin filloi të mbledhë nënshkrime për lirimin e vrasësit të Zoran Xhinxhiçit, Zvezdan Jofanoviçin, të cilin ai publikisht e quan hero lufte. Deri më sot asnjë anëtar i qeverisë serbe nuk është distancuar nga kjo iniciativë.

“Mosveprimi për këtë dhe heshtja e qeverisë për peticionin e një të dënuari për krime lufte për faljen e një vrasësi thotë shumë dhe është një mesazh i qartë”, thotë Natasha Govedarica, drejtoreshë e organizatës gjermane humanitare, Shërbimi Civil për Paqen, ZFD për Deutsche Wellen. “Aparati shtetëror që ende ka njerëz të Millosheviçit është deri më sot i bindur, se Zoran Xhinxhiç duhet të vritej. Një aparat i tillë përkon me një shoqëri, në të cilën një i ashtuquajtur Kapiten Dragani e di, se kush është hero dhe kush është kriminel, kush e meriton lirinë dhe kush duhet të jetë në burg.”

Takim me ministren e Drejtësisë

Edhe mediat në Serbi i japin jehonë publike Vasiljkoviçit që nga dalja nga burgu. Kroacia e dëboi atë pas shlyerjes së dënimit. Gjykata kroate që e dënoi mundi të provonte, se “Kapiten Dragani” ishte përgjegjës ndër të tjera për tortura, keqtrajtim dhe vrasje të të burgosurve në luftën kroate. Këtë nuk e përmendin asnjëherë gazetat, revistat, radiot e televizionet, që e ftojnë atë rregullisht.

Dragan Vasiljkoviç
Në maj 2021 Vasiljkoviç tha para gazetarëve, se ai nuk beson, se ka armiq në qeverinë serbe, kurs për televizionin Pink të afërt me qeverinë ai tha, se nuk ka kontakte me funksionarë të shtetit serb, përveç me ministren e Drejtësisë, Maja Popoviç, me të cilën është takuar. Se përse kanë folur të dy, këtë nuk e tha qartë i dënuari për krime lufte, por vetëm se “kontakti im me shtetin serb është ajo.” Po ashtu “Kapiten Dragani” përsëriti se Zvezdan Jovanoviç është një “hero lufte” gjë që duhet njohur si rrethanë lehtësuese dhe vrasësi duhet të lihet i lirë.

Zyrtari i parë i dënuar i shtetit serb
Që në fillim të luftës së Jugosllavisë në verën e vitit 1991, Zvezdan Jovanoviç iu bashkua grupeve të vullnetarëve serbë. Mendohet, se ai ishte pjesë e grupit paramilitar të armatosur nën Franko Simatoviçin, “Frenki”, nga i cili më vonë u themelua njësia speciale JSO. Simatoviç ishte zyrtari i parë i shtetit serb që u dënua në qershor 2020 në Hagë me 12 vjet burg për krime lufte kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e rregullave të luftës.

“Frenki Boys” të Simatoviçit dhe grupet e tjera paramilitare u shpërbënë me Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995. Zvezdan Jovanoviç iu bashkua njësisë speciale JSO që drejtohej nga Milorad Ulemek. Me të e me JSO ai mori pjesë edhe në luftën e Kosovës në vitin 1999, por asnjëherë nuk u provua dot, se ku është dërguar me mision dhe se çfarë ka bërë gjatë luftës së Kosovës.

Çfarë bën shteti?

Avokati i Beogradit, Mihailo Pavlovic i tha DW-së, se për anëtarët e fondacionit “Kapiten Dragani” sipas ligjit serb nuk ka ndonjë përgjegjësi ligjore dhe as ndonjë urdhërndalimi. Megjithatë mbledhja e nënshkrimeve që kryen Vasiljkoviç e të tjerët në qytetet serbe mund të ishin penguar. Sipas kushtetutës liria e grumbullimit mund të kufizohet, nëse kjo i shërben mbrojtjes së shëndetit publik, moralit apo sigurisë shtetërore. “Në këtë rast special, sipas mendimit tim mjafton e drejta e grumbullimit për të penguar mbledhjen e nënshkrimeve”, thotë Pavlovic.

Në vend të kësaj Vasiljkoviç mundi të organizojë një konferencë shtypi së fundmi në hapësirat e shoqatës së gazetarëve serbë. Pyetjeve të gazetarëve për aktivitete të tilla qeveria serbe nuk iu përgjigj. Por ka të dhëna për qëndrimin e Beogradit. Zëvendëspresidenti i partisë qeverisëse të progresit, Aleksandar Sapiç, tha se Vasiljkoviç ka “të drejtën të shprehë mendimin e tij”. Pozicionet e të dënuarit për krime lufte në lidhje me vrasësin e Zoran Xhinxhiçit ai nuk i mbështet, por ai e mbështet atë, se ai “ka mbrojtur popullin serb”, dhe shprehu keqardhje që Vasiljkoviç ka qenë kaq gjatë në burg.

Natasha Govedarica thotë për DW, se një “qëndrim i tillë i një përfaqësuesi të partisë qeverisëse serbe nuk kontribuon as në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në hapësirën postjugollsave dhe as nuk përmirëson marrëdhëniet mes shoqërive e popujve që jetojnë këtu.”/DW

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë