MENU
klinika

Sokol Cikalleshi

“E dimë forcën e Anglisë, por nuk dorëzohemi”

10.11.2021 - 15:20

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për të zhvilluar dy ndeshjet e fundit ndaj Anglisë dhe Andorrës. Fillimisht kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë në stadiumin e Uemblit ndaj anglezëve më 12 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë, skuadra e Rejës do të luajë në Air Albania me Andorrën.

Në prag të sfidës me Anglinë, kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat Sokol Cikalleshi dhe Odise Roshi, të cilët kanë folur në lidhje me këto dy sfida.

Fillimisht ishte sulmuesi Sokol Cikalleshi i cili iu përgjigj interesit të mediave, i cili u shpreh se ndihet në formë shumë të mirë dhe shpreson se do ta ndihmojë ekipin në fushë. Ai gjithashtu u shpreh se ekipi do të luajë i bashkuar për të arritur një rezultat pozitiv në Uembli, teksa komentoi edhe pozicionin e trajnerit Reja në krye të ekipit kuqezi.

Vend titullari në ndeshjen ndaj Anglisë? – Ndihem mirë, jam në formë. Kam shënuar në kampionat me ekipin. Nëse do të jem në fushën e lojës, uroj që forma e mirë që kam ta ndihmojë ekipin në një rezultat sa më pozitiv dhe të shikojmë në fushë nëse do të arrijmë të bëjmë atë çka ne mund të bëjmë të gjithë si grup duke luftuar dhe duke qenë të gjithë bashkë, edhe pse është ndeshje shumë e vështirë, por edhe e bukur për t’u luajtur. Jemi gati!

Dyshe perfekte me Uzunin? – Të them të drejtën, nuk mund të them dyshe perfekte pasi kohët e fundit në sulm kanë luajtur shumë lojtarë të tjerë. Nuk është dyshe stabile. Të shikojmë vendimin që do të marrë trajneri. Më vjen mirë që kam shënuar edhe unë edhe Uzuni.

Jo vetëm kemi shënuar, por kemi luajtur të gjithë, unë Uzuni, Balaj, Roshi. Jemi të gjithë në formë dhe nuk besoj se do të jetë shumë e rëndësishme kush do të jetë në fushë, por më e rëndësishme është të nxjerrim më të mirën tonë. Uroj që të bëjmë diçka pozitive.

Reja? – Jam ndjerë shumë mirë me trajnerin Reja dhe kam shënuar. Edhe në aspektin e ekipit dhe duke parë edhe performancën e ekipit, vitet kur ka qenë Reja në krye, kemi kaluar nga epoka De Biazi me një futboll më shumë difensiv, tek epoka Reja ku topin e mbajmë më shumë ne. Kemi raste, luajmë futboll ofensiv. Për ekipe si Shqipëria kjo nuk është pak.

Besoj që nuk jemi ende aty ku duhet dhe mungon pak rifinitura e fundit që ne mund të na çonte në Botëror, detajet e vogla pra. Do të uroja që trajneri Reja të vazhdonte në krye, pse jo dhe duke u mbështetur edhe tek eksperienca e tij, besoj do ta ndihmonte ekipin të arrinte edhe atë pak që i ka ngelur, për të bërë atë kapërcimin që ne duam të gjithë.

Peng në këto eliminatore? – Nëse do të kthejmë sytë nga historia jonë, besoj se në aspektin e Botërorit, nuk kemi pasur ndonjëherë momente që një ndeshje mund të vendoste gjithçka, siç ishte ndeshja me Poloninë. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët, gjithashtu edhe stafi dhe Presidenti, të gjithë, jemi paksa të mërzitur, jo nga ndeshja, por nga situata që na ndodhi, me lojtarët e dëmtuar, gjithashtu edhe covidi, që ndikuan.

Nuk do të them që nëse do të ishim ne, fitorja do të ishte e sigurt, por të paktën do të ishte një grup i plotë dhe mund të arrinim diçka më shumë sepse ishte një ndeshje që nëse do ta fitonim, sot do të flisnim ndryshe. Por ne nuk dorëzohemi, sepse unë më shumë jam realist dhe duhet ta pranojmë nivelin e Anglisë që edhe kur e kemi nisur këtë rrugëtim, e kemi thënë që Anglia është e para në grup dhe ne do të luftojmë me Hungarinë dhe Poloninë.

Fatkeqësisht, na shkuan gjërat keq me Poloninë dhe kjo na ka mbetur peng. Por ky është futbolli dhe ne do të ecim përpara. Patjetër që unë do të doja që në këto eliminatore të lëmë një nga këto ekipe përpara dhe uroj që duke lënë Hungarinë mbrapa, kemi bërë një hap pozitiv përpara. Patjetër që nëse do të linim edhe Poloninë, atëherë do të ishte diçka që nuk e kemi bërë më parë. Uroj që të arrijmë diçka në Angli, po ashtu edhe Polonia të bëjë një hap fals me Hungarinë.

Shanset për të fituar me Anglinë? – Goli në Uembli, nëse nuk do të jepte rezultat, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal timin. Duhet të dimë që nëse do të jemi të gjithë bashkë dhe të nxjerrim më të mirën tonë, atëherë mund të kemi ndonjë shans. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror.

Duke nxjerrë çka kemi ne dhe duke luftuar si në ndeshjen me Francën ku kemi barazuar, apo me Portugalinë, që ne kemi treguar se mund të arrijmë rezultat. Ka qenë shpirti i garës dhe harmonia e grupit që na ka bërë të arrijmë rezultatin. Dhe kjo është rruga e vetme besoj që ne mund të nxjerrim diçka në ndeshjen me Anglinë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mund të bashkohet me ish-trajnerin e tij

Kumbulla në merkato, një tjetër ofertë për të


Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”

I ka bindur të gjithë përveç… Silvinjos

Milani bën gati ofertën për Kristian Shpendin