MENU
klinika

Shpresë për shpëtimin e Valbonës

Pas 4 muajsh zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë

10.11.2021 - 13:17

Vetëm pas 4 muajsh nga një vendim i Gjykatës së Lartë në vend dhe vetëm pas insistimit me shkrime dhe raportime të Report për skandalin e moszbatimit të vendimit më në fund në Luginën e Valbonës është ndërprerë betonizimi dhe shkatërrimi.

Të martën në mesditë, përmbaruesja gjyqësore Satbere Shahu, e shoqëruar nga policia ka pezulluar kontratën e koncesionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë.

Nënkryetari i Bashkisë Kujtim Rexha tha për Report Tv se është bërë bllokimi i perkohshëm i punimeve ne dy HEC-ET në Dragobi dhe se nuk ka pasur incidente për ekzekutimin e vendimit te Gjykatës së Lartë. Policia ka mbështetur zyrën e përparimit dhe Policinë Bashkiake Tropojë

Në të gjithë Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës vijonte puna e makinerive për të ndërtuar hidrocentralet që degradonin më tej lumin dhe bukuritë e Alpeve Shqiptare edhe pse një vendim i Gjykatës së Lartë kishte ndërprerë punën aty prej muajsh.

Rea Nepravishta, aktiviste e të drejtave të njeriut, ka folur për këtë skandal, që sipas saj i tejkalon çështjet mjedisore por lidhet me çështjet e zbatimit të ligjit. Nepravishta bëri thirrje që përmbarimi të vërë në zbatim menjëherë vendimin e Gjykatës së Lartë.

Më 21 korrik Gjykata e Lartë ka vendosur të pezullojë ndërtimin e HEC-eve mbi Valbonë nga kompania GENER 2, deri kur të merret një vendim i formës së prerë për këtë çështje të rëndësishme. Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, Shoqatës “TOKA” dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, duke ndaluar çdo veprim mbi Valbonë. Banorët dhe shoqatat kundërshtojnë projektin e ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga kompanitë “GENER 2” dhe “DRAGOBIA ENERGY” të Bashkim Ulajt. Bashkim Ulaj është një nga oligarkët që Lulzim Basha ka “harruar” ta përmendë në denoncimi politik që ka bërë në Kuvend.

Palë në këtë proces janë edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, institucione të cilat në kohë të ndryshme kanë marrë pjesë në dhënien e lejes për ndërtimin e HEC-ve mbi Valbonë. Beteja kundër betonizimit të Valbonës ka nisur që në vitin 2015. Banorët e 27 fshatrave të Tropojës kanë denoncuar falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun, që ishin pjesë e dokumentacionit të kompanive që morën të drejta për HEC në Valbonë. Kompanitë kanë paraqitur dokumentacion sikur banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për sigurimin e padisë

Vendimi i Gjykatës së Apelit 2018 që pezullon ndërtimin e HEC-ve në Valbonë