I dyshuar si kreu i grupit kriminal që organizoi dhunimin dhe grabitjen e një biznesmeni në fshatin Nikël të Krujës, është lënë prapa hekurave nga ana e gjykatës. Saimir Kuçi akuzohet si një nga autorët e grabitjes së një shume prej rreth 100 mijë eurosh në vilën trekatëshe të Nazmi Çangut.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” pa afat. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Kuçi mësohet se i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Por referuar provave të deritanishme, gjyqtarja Alma Kolgjoka pranoi kërkesën e prokurorit Olgert Rumnici, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e Kuçit.
Grabitja me dhunë e Nazmi Çangut ndodhi orët e para të mëngjesit të 24 tetorit, kur sipas dëshmisë së biznesmenit, një grup personash i maskuar dhe të armatosur u futën në vilën e tij, duke e dhunuar me sende të forta.
Sipas pretendimeve të Çangut, grabitësit i morën një armë gjahu “Shotgun”, bizhuteri e monedha floriri, si dhe para që kapnin vlerën e rreth 100 mijë eurove. Policia ka arritur të identifikojë Saimir Kuçin dhe Artan Prengën mes autorëve të dyshuar dhe sipas të dhënave, ata u tradhtuan nga gjurmët e ADN-së që lanë në vendngjarje. Saimir Kuçi u arrestua në banesën e tij në Tiranë, ku iu kapën një sërë mjetesh që përdoren për grabitje, si bllokues valësh, maska e doreza.
“Gjatë kontrollit të këtyre banesave, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 14 telefona, një palë pranga, armë të ftohta, lëndë narkotike, 1 bllokues valësh, pajisje elektronike, detektor për kërkim sendesh të çmuara, një maskë bashkë me doreza, ora të markave të ndryshme me vlerë, bizhuteri floriri, koleksion monedhash (60 monedha të vjetra të shteteve të ndryshme)”, sqaronte Policia më 6 nëntor.
Artan Prenga dhe bashkëpunëtorët e tjerë në grabitjen e biznesmenit Çangu janë në arrati. Kuçi nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi është arrestuar edhe më parë pikërisht për grabitjet dhe vjedhjen e disa kasafortave dhe bizneseve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Kuçi, i cili konsiderohet si “koka” e grupit kriminal, bashkë me katër anëtarë të tjerë kanë kryer të paktën 11 grabitje në Tiranë, Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat. Këto grabitje janë faktuar nga ana e prokurores dhe janë kryer nën kërcënimin e armëve. Nga përllogaritjet rezulton se janë kryer vjedhje me vlerë deri në 650 milionë lekë. Kuçi akuzohet për vjedhjen e shumave të majme në banesa, në zyra biznesesh, si edhe në Ambasadën daneze në Tiranë dhe u arrestua gjatë operacionit “Hijet e Natës” në 2009-ën.