MENU
klinika

“Xhuxhi 339, do marrësh lekët e hidrovorit?”

Çfarë çoi në shkarkimin e nënkryetarit të Bashkisë Durrës

11.11.2021 - 13:10

Pas një denoncimi publik ku theksonte midis të tjerash se ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, komandonte ende këtë bashki, kryetarja e komanduar, Valbona Sako, ka urdhëruar shkarkimin e Arbër Brahos, nënkryetar i këtij institucioni.

Në letrën e firmosur nga Sako nuk jepen arsyet e largimit nga detyra të Brahos, djali i ish-deputetit socialist Spartak Braho. Në dokumentin e shkarkimit nga detyra, një kopje të të cilit e zotëron “Panorama”, thuhet se vendimi është marrë më 9 nëntor, ndërsa është bërë publik pasditen e djeshme.

AKUZAT NDAJ DAKOS

Në dokumentin e firmosur nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, nuk flitet për motivet e shkarkimit të Brahos, ndërsa vendimi cilësohet si “lirim nga detyra”. Ajo që dihet është se ky hap i kryebashkiakes vjen pas një statusi që Braho ka bërë në rrjetet sociale, ku denonconte Vangjush Dakon dhe kryetaren aktuale të bashkisë për abuzimet me tenderat në Bashkinë e Durrësit. Braho përmend edhe një tender për autoshkallën e zjarrfikëses në Durrës me vlerë 70 milionë lekë, e cila nuk kishte funksionuar kurrë për shkak të amortizimit. Braho akuzon Dakon se nuk po e lëshon qytetin që të marrë frymë. Ai e konsideron ish-kryebashkiakun se kiryetarin e bandës së hajdutëve.

“O Xhuxhi 339, në lidhje me ato që folëm paradite, unë s’mund të them kurrë HAJDUT për ty, ti minimumi mund të jesh kryetari i grupit të hajdutëve që vetë ti ke sjellë si kryetar në Bashkinë Durrës pas ikjes tënde dhe s’po e lëshoni këtë qytet të marrë frymë me vjedhje pafund. Ju, që s’keni lënë lekët e dosjeve të letrave dhe të stilolapsave, normalisht që s’mund të linit as lekët e autoshkallës pa marrë dhe do merrni dhe të hidrovorit, apo e kam gabim? E që s’kam folur deri tani që thua ti, jo se isha pjesë e ju hajdutëve. Më vinte zor mua që vidhnit ju”.

Ishte ky statusi i shkruar nga Braho në “WhatsApp”, që ka sjellë edhe shkarkimin e tij nga detyra. Braho pretendon gjithashtu se Dako e ka kërcënuar pasi ka refuzuar të ndërhyjë për lirimin e një prej 6 zyrtarëve të arrestuar për tenderin e autoshkallës.

DOSJA “339”

Dosja “339” përmban përgjime telefonike për blerjen e votave në vitin 2017, ku rezulton i përfshirë edhe kryebashkiaku i asaj kohe, Vangjush Dako. Emri dhe zëri i zotit Dako është regjistruar në biseda telefonike të përgjuara të anëtarëve të këtij grupi kriminal të “Avdylajve” në zonën e Shijakut, i cili krahas trafikimit të narkotikëve, dyshohet për shitblerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.

“Astrit Avdylaj, kreu i grupit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak, telefonon kreun e Bashkisë së Shijakut për të lënë një takim me të, Vangjush Dakon kryebashkiaukun e Durrësit, me një kandidat në perspektivë dhe të ardhme ‘Liri’ (Ilir Ndraxhi) një person që grupi kriminal ‘Avdylaj’ kërkon të caktohet si kandidat i PS-së për deputet. Mbledhja bëhet vetëm për një çështje: për të finalizuar marrëveshjen që Ilir Ndraxhi do të caktohet si kandidat për deputet i PSsë në Durrës që të përfaqësojë interesat e klanit kriminal ‘Avdylaj’, ndërsa Avdylajt do t’i japin mbështetje maksimale PS-së në fushatë në Durrës”, sqaronte BILD-i më 5 qershor 2019, pas publikimit të përgjimeve. Gjatë operacionit “Vol-Vo 4” u arrestuan 74 persona, të cilët nga hetimet kanë kryer disa vepra penale si trafik i drogave, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe ndërhyrje të paligjshme në procese zgjedhore.