Fermerët e zonën së Myzeqesë kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë në në vendin e quajtur rrethrrotullimi i “Plugut” në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë.
Fermerët, të shumtë në numër, kërkojnë nga qeveria plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike, duke filluar nga subvencionimi për njësi prodhimi, lehtësimi e burokracirave, nxitja e eksporteve, si dhe barazimi i shkallës së TVSH-së në shitje me atë në blerje në sektorin e bujqësisë.
Në një prononcim për media ata shprehen të zhgënjyer pasi janë detyruar t’i hedhin në kosh të gjitha kulturat e tyre bujqësore për shkak të mungesës së kërkesës në treg.
“Malli nuk shitet po i hedhim të gjitha në kosh. Nuk marrim as lekët e farave që hedhim. Kemi lënë emigrimin, kemi ardhur të investojmë këtu dhe po mendojmë prapë të ikim. Jemi me kredi, kemi bërë aplikimet për subvencione, emrat kanë dal, po nuk kemi marrë asnjë lekë akoma. Jemi shumë të zhgënjyer”, u shpreh një fermer për Fax.
Një tjetër fermerë u shpreh se nëse shteti nuk e ndihmon, ai do të detyrohet që të braktis serën dhe gjithë investimin e bërë dhe të largohet në emigracion.
“Nëse pikat që ne kemi paraqitur si kërkesa nuk plotësohen, atëherë unë do ta braktis serën. Te puna ime unë punoj 16 orë në ditë dhe nuk del asgjë. Ne jemi baza e shoqërisë, ne jemi motori kryesor i ekonomisë, ne prodhojmë”, u shpreh një tjetër fermer.
“S’na ka ngel gjë tjetër. Do ikim, s’kemi lekë as të presim biletën”, tha një tjetër.