MENU
klinika

Covid-19

Kosova në pritje të miratimit të dozës së tretë të vaksinës

13.11.2021 - 10:08

Autoritetet shëndetësore në Kosovë thonë se shumë shpejt pritet miratimi i dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 për personat me probleme shëndetësore.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se kjo çështje tashmë është trajtuar nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19.

“E rëndësishme është që Kosova ka një stok të qëndrueshëm të vaksinave dhe ne do të vlerësojmë në bashkëpunim me profesionistët shëndetësor se cilat kategori do të duhej ta marrin dozën përforcuese apo dozën e tretë varësisht prej gjendjes së tyre shëndetësore dhe rrethanave epidemioplogjike në vend”, tha ai.

Deri më 12 nëntor në Kosovë rreth 747 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza apo rreth 40 për qind e popullsisë së përgjithshme. Rënia e numrit të rasteve të reja të të infektimeve, ka bërë që të bjerë edhe interesimi për t’u vaksinuar. Kjo ka bërë që autoritetet të hapin mundësinë e vaksinimit pa caktuar termin, në të gjitha qendrat e vaksinimit por edhe jashtë tyre.

Numri i rasteve të reja dhe të vdekjeve javëve të fundit në Kosovë kanë shënuar rënie të madhe në krahasim me dy muaj më parë kur Kosova u përballë me situatën më të rëndë shëndetësore që nga shfaqja e pandemisë në mars të vitit të kaluar. Gjatë muajit nëntor në Kosovë janë regjistruar dy raste të vdekjes dhe 165 raste të reja të të prekurve si pasojë e COVID-19.

Autoritetet shëndetësore thonë se ka rrezik të përkeqësimit të situatës me shfaqjen e variantit ri Delta plus të koronavirusit.

“Gjatë javës së kaluar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dërguar 70 mostra në një institut gjerman, po flasim për mostra të cilat janë konfirmuar pozitive me Sars-Cov2 në Kosovë dhe nga 59 prej këtyre mostrave të analizuara 12 prej tyre kanë rezultuar të jenë raste të detektuara me variantin Delta Plus”, tha Faik Hoti nga ministria e Shëndetësisë.

Ekspertët shëndetësor janë shprehur të shqetësuar për shkak të tubimeve me qytetarë pa respektim të masave kundër Covid-19, nga partitë politike në Kosovë që të premten përmbyllin fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal që mbahen të dielën.

“Ne u kemi bërë thirrje që institucionet, pavarësisht nëse është fushatë zgjedhore a jo gjithë ata që janë pjesëmarrës në këtë fushatë t’i zbatojnë rekomandimet dhe masat në fuqi sepse vlerësojmë që grumbullimet e panevojshme mund të sjellin një rrezik potencial për shëndetin publik. Për fat të mirë fushata përfundon sot në Kosovë dhe ne shpresojmë që kjo të mos jep ndonjë impakt në situatën e përgjithshme epidemiologjike duke qenë që ka qenë e shkurtër”, tha ai.

Vëzhguesit i kanë kritikuar partitë për standarde të dyfishta në zbatimin e masave kundër koronavirusit ndërsa kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e rritjes së numrit të të infektuarve pas zgjedhjeve.

Aktualisht sipas të dhënave të fundit të ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë janë gjithsej 427 raste aktive me COVID-19. Të premten u regjistruan 16 raste të reja nga një mijë e 351 teste ndërsa u shënua një rast i vdekjes nga pasojat e COVID-19.