Gani Shehu, ish-shefi i sektorit ligjor ne Burgun e Peqinit, është lënë në burg nga Gjykata e Posaçme. Ai akuzohet se u ka dërguar autoriteteve të drejtësisë një dokument të falsifikuar, përmes të cilit anëtari i bandës së “Gaxhait” Viktor Imeri ka përfituar ulje të viteve të burgut.
Shkresa i ishte dhënë avokatit të të dënuarit Viktor Imeri, për të lehtësuar pozitën e këtij të fundit në gjyq. Nga ky dokument që iu dërgua autoriteteve, është liruar nga burgu Viktor Imeri, i njohur dhe si anëtar i bandës së “Gaxhait”. Ky i fundit është gjithashtu daja i Edison Harizajt, i cili mbeti i vrarë në një atentat mafioz në Durrës.
Viktor Imeri bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Lidhur me këtë ngjarje, pasi vuajti dënimin Ymeri u lirua nga burgu në 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005, të Vajdin Lames dhe Artan Arsi. Imeri është shpallur fajtor si një ndër autorët e kësaj vrasje.
Historia e dokumentit të falsifikuar
I penduari i drejtësisë Luftar Reçi tregoi kohë më parë se Viktor Imeri ishte një nga personat që kishte marrë pjesë në vrasjen e Vajdin Lames dhe shoferit të tij Artan Arsi. Sipas tij, këtë ia kishte thënë vetë Lame në Burgun e Peqinit.
Prokuroria dyshon se Viktor Imeri për t’i shpëtuar burgut, ka vënë në lëvizje ish-shefin e sektorit ligjor në Burgun e Peqinit, Gani Shehu, që ky i fundit të nxirrte një dokument sipas të cilit thuhej se personi i akuzuar për dy vrasjet e mësipërme, nuk ka qenë i rehabilituar në Peqin.
Ky dokument është konsideruar i falsifikuar nga SPAK ndaj nisën hetimet që çuan në burg Gani Shehun.
Avokatët e Viktor Imerit e përdorën këtë dokument në gjyq, duke pretenduar se klienti i tyre i arrestuar nga SPAK për vrasjen e Vajdin Lamaj, ka qenë në burgun e Drenovës kur ka ndodhur krimi dhe jo në burgun e Peqinit.
Gjithashtu avokatët nëpërmjet dokumentit të lëshuar nga ish-zyrtari i burgut, kanë pretenduar se Luftar Reçi ka gënjyer në dëshminë e tij.
Sipas avokatëve, Reçi gënjen kur thotë se kanë qenë së bashku me Viktorin në burgun e Peqinit, sepse për kohën që ai i referohet në dëshminë e tij, Viktor Imeri ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Drenovës në Korçë.
Si provë për vendin ku ka vuajtur dënimin Viktor Imeri, avokatët e këtij të fundit kanë përdorur përgjigjen zyrtare që burgu i Peqinit u ka dërguaratyre në datën 14 janar 2021. Kjo përgjigje ëhstë në fakt dhe dokumenti që SPAK dyshon se është falsifikuar nga ish-shefi Gani Shehu, që Viktor Imeri t’i shpëtojë drejtësisë.