Nga Fareed Zakaria “The Washington Post”
Marrëveshja e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për “rritje të veprimit kundër ndryshimeve klimatik” u pa me të drejtë si një hap përpara. Por gjithsesi tani për
tani, ai është një hap shumë i vogël. Kjo pasi nuk përmban llojet e objektivave specifike që karakterizuan marrëveshjen e vitit 2014 të negociuar nga administrata Obama, e cila i parapriu marrëveshjeve të Parisit.
E megjithatë kjo marrëveshje shënon rifillimin e dialogut serioz midis dy ekonomive më të mëdha në botë dhe emetuesve më të mëdhenj të gazrave serë, gjë që do të shpjegonte edhe arsyen pse kaq shumë vende të botës mendojnë se deklarata i ofroi një energji të re veprimit mbi krizën e klimës.
E finalizuar pas disa vitesh marrëdhëniesh të tensionuara midis Uashingtonit dhe Pekinit,
kjo marrëveshje nxjerr në pah dilemën qendrore mbi politikën e jashtme të SHBA-së në të ardhmen. A duhet të fokusohet ajo në zgjidhjen e problemeve më të mëdha dhe më sfiduese globale, apo duhet të fokusohet tek konkurrenca me Kinën?
Sikurse vëren Uri Friedman në “The Atlantic, presidenti Joe Biden foli në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator për “një të vërtetë themelore të shekullit XXI” sipas së cilës “siguria jonë, prosperiteti ynë, dhe vetë liritë tona janë të ndërlidhura”, dhe deklaroi se “ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë”.
Kur mendojmë mbi çështjet më të fundit të së ardhmes – si kriza e klimës, pandemitë, lufta kibernetike dhe siguria kibernetike – është e vështirë të mendohet se sa shumë mund të arrihet pa njëfarë bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
E megjithatë, Joe Biden ka premtuar se administrata e tij do të ndjekë një politikë “të konkurrencës ekstreme” me Kinën. Dhe në fakt, ai ka përqafuar shumë nga politikat e ish-presidentit Donald Trump ndaj Pekinit, mbi tregtinë , teknologjinë dhe mbi Tajvanin. Vazhdimi i secilës prej këtyre qasjeve, mund t’i sjellë përfitime taktike Shteteve të Bashkuara. Por siç e thekson Friedman, ato mund të bien ndesh me një strategji të fokusuar tek riparimi dhe rindërtimi i një sistemi ndërkombëtar.
Kjo e fundit është mënyra e vetme për të trajtuar sfidat e përbashkëta në rritje, të cilat vendet nuk mund t’i menaxhojnë dot individualisht. Për administratën e mëparshme, nuk ka pasur ndonjë përplasje midis këtyre dy qasjeve, për shkak se ajo nuk besonte në rendin ndërkombëtar liberal, të bazuar në rregulla.
Për Donald Trump, sistemi i tregtisë së hapur, aleancat e Amerikës,madje edhe fokusi tek të drejtat e njeriut, ishin që të gjitha mashtrime që u dhanë mundësi vendeve të tjera
të përfitonin në kurriz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndaj ai përqafoi me shpejtësi një qasje shumë të ndryshme, në të cilën Uashingtoni do të ndiqte shumë më nga afër interesat e veta, shpeshherë edhe duke thyer rregullat dhe duke shkelur normat.
Populistët e djathtë, nga Trump tek Vladimir Putin i Rusisë, Viktor Orban i Hungarisë
dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, e pranojnë se institucionet, rregullat dhe vlerat ndërkombëtare janë kufizime mbi aftësinë e tyre për të vepruar si të duan dhe kur të duan.
Të gjithë ata duket se preferojnë një botë ku dominon nacionalizmi dhe proteksionizmi. Dhe nëse kjo do të thotë shkatërrim i globalizimit,sistemit të tregtisë së hapur, Bashkimit Evropian, madje edhe NATO-s, aq më mirë.
Por Biden po del nga tradita e politikës së jashtme amerikane që e ndërtoi këtë rend të hapur, të bazuar tek rregullat. Në një intervistë që dha për mua në CNN javën e kaluar, Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare, e parashtroi qartë qëllimin e politikës së SHBA-së ndaj Kinës.
“Objekti i administratës Biden, është të formësojë mjedisin ndërkombëtar, në mënyrë që ai të jetë më i favorshëm për interesat dhe vlerat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, dhe partnerëve të saj në demokracitë që kanë të njëjtën qasje dhe mendësi”- tha ai.
Sullivan përshkroi gjithashtu se si duhet të jetë ky mjedis i ri ndërkombëtar:“Një sistem ekonomik ndërkombëtar i hapur, i drejtë, i lirë dhe ku vlerat dhe normat bazë që janë të mishëruara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të respektohen në institucionet ndërkombëtare”.
A mund të ndiqen që të dyja këto objektiva në të njëjtën kohë? Në vitin 2019, Sullivan dhe Kurt Campbell, sot ndihmësi kryesor i Sullivanit mbi rajonin e Indo-Paqësorit, shkruan së bashku një ese “Foreign Affairs”, ku argumentonin se çelësi duhet të jetë arritja e një “ekuilibri midis bashkëpunimit dhe konkurrencës”.
Eseja, që mund të përmbajë thelbin e strategjisë së Biden përkundrejt Kinës, paraqet një politikë të kujdesshme dhe të matur në fushën ushtarake, politike dhe atë ekonomike. Por duke parë mjedisin e polarizuar të Uashingtonit, është e vështirë të imagjinohet se Shtëpia e Bardhë mund të jetë në gjendje të ecë përpara në mënyrë të nuancuar dhe të sofistikuar për një çështje që është bërë po aq nxitëse politikisht sa Kina.
Në esenë e tyre, Sullivan dhe Campbell, hedhin poshtë një analogji të thjeshtë me Luftën e Ftohtë. Por nga ana tjetër argumentojnë me të drejtë, se nga ajo luftë e gjatë mund të nxirren disa mësime. Ata e vënë theksin tek rëndësia thelbësore që ka rindërtimi i forcës së Amerikës në vend, me qeverinë që duhet të kryejë investime në shkallë të gjerë në shkencë, teknologji dhe infrastrukturë,ashtu siç ndodhi në vitet 1950-1960.
Në atë ese ata flasin edhe për rëndësinë që kanë aleatët. Për mendimin tim, leksioni qendror i Luftës së Ftohtë, është se ajo që i dha mundësi Shteteve të Bashkuara që të dominonte dhe fitonte, nuk ishte përmbysja e disa qeverive pro-Moskës në Afrikë dhe Amerikën Latine, as ndërhyrja ushtarake në Vietnam apo anashkalimi i diktaturave të krahut të djathtë në Amerikën Qendrore.
Por ishte ndërtimi nga Uashingtoni i një sistemi të hapur ndërkombëtar që siguronte paqen, prosperitetin dhe lirinë, dhe që i lejoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces të lulëzojnë dhe përparojnë. Nëse ajo arritje qendrore e politikës së jashtme amerikane do të sakrifikohej për të fituar një avantazh të përkohshëm taktik kundër Pekinit, ky do të ishte një gabim dhe një tragjedi historike.