MENU
klinika

Epidemiologu i njohur apel qeverisë

Hiqni orën policore dhe të mos lejohen aktivitetet masive

13.11.2021 - 19:23

Rritja e infektimeve nga koronavirusi ka shkak grumbullimet e mëdha në stadiume dhe aktivitetet e tjera me pjesëmarrje të lartë.
Ilir Alimehmeti thotë për A2 CNN se popullsia shqiptare nuk e ka arritur imunitetin e nevojshëm për të lejuar grumbullime masive. Epidemiologu argumenton edhe situatën pas hapjes së shkollave dhe universiteteve që, sipas tij, nuk dhanë efekte në rritjen e pozitivitetit në vend.

“Në shkolla, grumbullimet janë 30-40 persona, por në 12 tetor, ne patëm grumbullime me mbi 20 mijë vetë. Menjëherë nisi rritja e kurbës. Këto duhet të eliminohen”, tha Alimehmeti.

Edhe dimri që presim do të jetë i vështirë, veçanërisht për personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe as janë vaksinuar.

“Mundësitë janë që situata e ftohtë të japë një acarim, por jo si vitin e kaluar. Këshilla është, kush nuk është i imunizuar duhet të imunizohet sot”, tha epidemiologu.

Në dy spitalet Covid janë të shtruar 165 pacientë. Sipas Alimehmetiti, nuk është shifër e ulët, por as nuk jemi në nivelet kritike të një viti më parë, ku ishin të hapur 4 strukturat Covid dhe spitalet rajonale.

Referuar situatës epidemiologjike dhe nivelit të imunizimit të popullatës, Alimehmeti i rekomandon ekspertëve të Komitetit Teknik heqjen e orës policore, vetëm për lëvizjen e qytetarëve dhe jo për aktivitetin e bizneseve, ndërsa grumbullimet dhe aktivitet e ndryshme nuk duhet të jenë masive.