Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh i vendosur se në 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombërar i PD, ashtu sic kanë vendosur demokratët që kanë firmosur.
“Përpjekje të tilla për të bllokuar në një mënyrë apo tjetër vullkanin apo këtë lëvizje vullkan janë sa qesharake aq edhe të turpshme.
5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave, peng kryetari i PD mbledh kryesinë fallso apo fake të kësaj partie e cila në masën 60% të saj është zgjedhur në dhunim të statuti të partisë. Pra jo me votën e fshehtë të këshillit kombëtar, por emëruar nga peng kryetari i partisë sic donte ai dhe njofton datën që jep pengu i tij Edi Rama për Kuvend të PD 18 dhjetor.
Me këtë rast unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik, firmat e të cilëve do të skaliten në muralin e pluralizmit politik shqiptar, por edhe të PD se nuk do ketë kurrë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbe firmat e tyre dhe se Kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe se ai Kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës së peng kryetarit, por sipas rendit të ditës që ata guximtarë kanë firmosur në formularin e tyre. Pra të harrojë kush se mund të luajë me revolucionin paqësor që po zhvillohet në Shqipëri. Ky është një revolucion më paqësori, por është një revolucion që mjerë ata që kërkojnë të përballen me të” tha Berisha.