MENU
klinika

Çfarë pritet

Sot sërish Kuvend, vijojnë diskutimet për paketën fiskale dhe projektbuxheti 2022

16.11.2021 - 10:10

Kuvendi do të mblidhet sërish ditën e sotme ku do të vijojnë diskutimet për paketën e re fiskale dhe projektbuxhetin 2022, që është miratuar parimisht në komisionet parlamentare.

Seanca e djeshme u shoqëruar nga debate e përplasje të forta mes qeverisë dhe opozitës.  Kryeministri Rama tha se ky është një buxhet që nuk ka lënë asnjë sektor apo shtresë sociale pa mbështetje. Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Lulzim Bashës i cili akuzoi se Qeverinë se e ka vënë buxhetin 2022 në shërbim të klientëve të saj. Diskutimet në seancën maratonë ditën e djeshme u mbyllën pas gati 11 orësh, ndërsa do të vijojnë edhe ditën e sotme

Projektbuxheti i vitit 2022, parashikon të mblidhen 536.8 miliardë lekë dhe shpenzime në vlerën e 637.6 miliardë lekëve.

Ndërsa sa i takon paketës fiskale, ndryshon ligji për TVSH-në, ku hiqet kompensimi 6% për fermerët, rivendoset taksa 10% për inputet bujqësore dhe vendoset tavan i ri për investimet në bujqësi që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.

Vetëm nga ndryshimet fiskale të propozuara pritet që të mblidhen 5.2 miliardë lekë dhe të rritet formalizimi i ekonomisë.

Ndryshimet e propozuara dhe buxheti pas miratimit sot në parim në Kuvend do të zbresë përsëri për tu shqyrtuar dhe miratuar nen për nen në komisionet parlamentare.