MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Po kur të shpall “non-grata” baza e partisë…?

18.11.2021 - 16:56

Me Partinë Demokratike, ka ndodhur e paimagjinueshmja. Ish-kryetarin e shpall “non-grata” një shtet aleat, (SHBA), kurse kryetarin aktual e ka shpallur me kohë “non-grata” baza e partisë. Një paradoks i padëgjuar më parë, të paktën në 30 vitet e tranzicionit. Shkaku duhet kërkuar gjetkë, se përse baza e partisë (para muajsh e votoi si kryetar) nuk pranon verdiktin e kryetarit, dhe mbështet ish-kryetarin,që vetë Basha e ka cilësuar si “babai politik, lideri historik”etj. Gjërat duhen thënë siç janë, pa anësi, pa tifozllëk, pa mllefe, me objektivitet, dhe mbi gjithçka duhet të jetë fati i një partie që përfaqëson idealin e një pjese të konsiderueshme shqiptarësh.Në Partinë Demokratike, ajo ç’ka po ndodh sot,është pasojë e drejtimit bajraktarist të një njeriu,i cili pasi e klonoi atë parti sipas interesave, u “tërhoq” nga politika,dhe bëri zgjedhjen preferenciale për pasardhësin e tij. Përplasja për fronin e partisë, mbetet arsyeja e vetme e betejës mes Berishës dhe Bashës.

Mbledhja me kryetarët e degëve, dhe patinimi që Gaz Bardhi i bëri konkluzioneve të saj, nuk ishte tregues i asaj ç’ka pritet të ndodhë qoftë në 11 apo dhe 18 Dhjetor. Adrenalina dhe ekzaltimi i Berishës, vjen nga mbushja e sallave,fakt i cili e shtyn atë të jetë i vendosur për mbledhjen e Kuvendit, apo dhe marrjen e vendimeve (anti) statutore. Një kryetar partie pa mbështetjen e bazës, është një hiç, dhe që as mendohet, se një ditë mund të fitojë zgjedhjet dhe marrë pushtetin. Braktisja e anëtarësisë, braktisja e selive dhe takimeve me kryetarin aktual, ka nisur prej 2017. Lulzim Basha duhet ta kuptojë se, rruga drejt pushtetit (ashtu siç rruga drejt postit të kryetarit)kalon prej Berishës, pasi ai ka akoma ndikim tek shumica e bazës, pra shumicën e votuesve të asaj partie.Pushtetin Lulzim Basha nuk mund ta fitojë as me Gazin, as me Gridën dhe Salianjin, të cilët nuk marrin as votat e lagjes së tyre. Mjafton të dëgjosh artikulimet e nënkryetarëve të Partisë Demokratike, dhe do të bindesh në ç’nivel mjeran ka rënë ajo forcë politike. Lulzim Basha mbetet i vendosur ta shpjerë deri në fund rrugëtimin e tij vetmitar.

Partia Demokratike nën drejtimin e treshes Basha-Duma-Bardhi, është kthyer në strukturë qesharake, ndërkohë që për 4 humbjet elektorale askush deri sot nuk ka marrë përgjegjësinë.”Kur nuk të qasin në fshat, si kërkon të bijën e priftit”- thonë nga Jugu. Kështu po ndodh edhe me Bashën. Ai ka kohë që e ndjen braktisjen e anëtarësisë. Në degën e Elbasanit, Durrësit apo dhe Korçës, ka vite që nuk shkon këmbë militanti, ndërkohë që krerët e degëve në rrethe emërohen nga Lulzimi, si të ishin punëtorë krahu. Ata sigurojnë pjesëmarrjen dhe paguajnë autobuzët, gjithmonë kur i kërkon kryetari, dhe kaq. Për Bashën, kjo “është baza e partisë”. Rrjedhja drejt partive të tjera, (pas humbjeve rradhazi) apo dhe mbushja e sallave të “foltores”, duhej të ishte shqetësimi kryesor i Lulzimit, dhe në fund të fundit, njeriu bëhet burrë dhe thotë “deri këtu ishte rruga ime”. Por brumosja me teoritë berishiste, nuk e lë Lulin të dorëhiqet. Ai ka dhënë prova se, edhe pse humbet, ndjehet “fitues”, edhe pse mbetet vetëm, sërish ndjehet “plot”. Optimizmin e ka “dhuratë” nga Berisha, kurse “ngopjen me lugë të zbrazët” e ka virtyt të lindur, me ndryshimin se, ish-kryetarin akoma e mbështet baza, kur kryetarin aktual Gazi dhe Grida, Ervini, Emini….