MENU
klinika

Njihuni me rregullat për patentën

Gonxhe: Shkelësit e kolaudimeve dhe autoshkollave do mbajnë përgjegjësi

18.11.2021 - 17:14

Në një intervistë ekskluzive për ReportTv kreu i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe ka bërë me dije të gjitha rregullat e reja që kanë të bëjnë me lejen e drejtimit për të gjithë qytetarët, çfarë ndodh me shkeljet, ritestimet, autoshkollat që abuzojnë dhe kolaudimet që abuzojnë. Gonxhja ka thënë se drejtuesit e automjeteve me të paktën 3 shkelje dhe pikë të hequra nga patenta, do të ritestohen. Sipas tij kjo risi do të rrisë parametrat e sigurisë pa kosto. Po ashtu, nga viti i ardhshëm, njohuritë për kodin rrugor dhe sinjalistikën do të futen në kurrikulat e shkollave.

Siguria rrugore është ajo çka u intereson të gjithëve, e më së shumti përdoruesve të rrugës. Por, nuk janë vetëm shoferët, por edhe qytetarët. Rinovimi i një leje drejtimi, marrja e saj, mënyra e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, por nga ana tjetër, si vëzhgohen sistemet e sigurisë dhe si funksionon dhe menaxhohet e gjithë kjo hallkë sot, ne do të kemi një komunikim për shikuesit e Report TV, me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Transportit Rrugor, z. Blendi Gonxhe

Atëherë, ta fillojmë me pjesë që do të sqaronte qytetarët edhe në kuptimin e një lloj meraku apo stresi që mund t’u krijohet atyre që janë drejtues korrektë mjetesh, që nuk kanë masa, që janë model, që janë për t’u falënderuar për sjelljen e tyre, me një historik pozitiv. Asnjë ndryshim nuk do të ketë nga dhjetori dhe nuk do të ndodhë asnjë gjë që të rrisë angarinë apo të vonojë apo të pengojë apo të stresojë këtë kategori drejtuesish mjetesh. Pra, ata që nuk kanë masa të niveleve që janë shkelje të rënda dhe të përsëritura dhe të niveleve që janë me humbje pikësh, ata të jenë krejt të qetë, do të vazhdojnë rinovimin me procedurën e deritanishme. Mbi 3 shkelje të përsëritura, të rënda, të rënda quhen ato shkelje që janë me nivel heqje pikësh dhe që janë, për të dhënë një shembull, alkooli, semafori, manovrat e shpejtësisë së rrezikshme, përdorimi i celularit, ecja pa rrip, pra shkelje që janë të një natyre më të rrezikshme dhe që cenojnë rëndë sigurinë e tyre, të pasagjerëve të tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Në këto raste, kur këto janë të përsëritura, ne do të kemi një sistem, i cili do të gjenerojë në mënyrë automatike një pyetësor, i cili do të jetë në tavolinën e sportelistit, i cili do të marrë praktikën e aplikimit për rinovimin dhe që do t’i drejtohet personit, duke i thënë që, meqenëse ju jeni në listën e alertit, të një risku, për shkak të përsëritjes së shkeljeve të rënda në qarkullimin rrugor, ju lutemi të na përgjigjeni për këto 20 pyetje. Këto do të jenë me një zgjedhje, do të jenë të lehta për t’u kuptuar, për të krijuar një ide mbi sa të freskëta i ka individi nocionet bazë të sjelljes dhe të rregullave të qarkullimit rrugor dhe do të jetë një gjë bazike, në kuptimin që t’i japë idenë personelit që ka përgjegjësi për rinovimin e kësaj praktike, pra të rinovimit të lejes së drejtimit, që të kuptojë se me kë është përballë.

Pra, mund të themi pak a shumë, abetaren e përdorimit dhe të sjelljes në rrugë.

Ky është, si të thuash, një filtër, një skanim i këtij drejtuesi mjeti, të cilit do t’i jepet që për 1-2 minuta të zgjidhë këtë fletë pyetësori. E theksoj që është një pyetësor, ky nuk është një test në kuptimin e ritestimit. Dhe në rast se neve na dalin, se këto janë nën 70% të përgjigjeve janë gabim, do të thotë që kemi të bëjmë me një individ, i cili ka nevojë për një rifreskim të shpejtë të nocioneve bazë. Ky individ do të kalojë për një seancë edukative, pak minuta, së bashku me disa të tjerë, të cilët do të jenë po aty në momentin e rinovimit të lejes së drejtimit dhe mund të jenë po ashtu në listën e riskut, po ashtu mund të mos u jenë përgjigjur dot këtyre pyetjeve, do të marrin një seancë edukative, do të marrin një matedial didaktik që do ta kenë të tyrin. Të gjitha këto do të jenë pa pagesë, janë të gjitha të bëra me kostot e DPSHTRR-së. Është pikërisht pra një investim i yni për jetën e tyre, të pasagjerëve të tyre dhe për jetën e të gjithë tjerëve që përdorin rrugën.

Pse tani, sepse janë çdo fundviti rreth 100 000 patenta që rinovohen?

Çdo vit, jo çdo fundvit, në përgjithësi mesatarja është kjo. Pyetja është e drejtë. Natyrisht që këto janë përpjekje që bëhen edhe me përmirësimin e akteve që ne arrijmë. Ne kemi përmirësuar ndjeshëm, mendojmë, edhe me Policinë e Shtetit, Kodin Rrugor në verën e këtij viti, i cili është zbardhur me heshtjen e presidentit në verën e këtij viti. Më pas një grup pune ka punuar për zbardhjen e ndryshimeve në Rregulloren 153, që është VKM-ja që është në e-akte në momentin që flasim, për t’u zbardhur, për të kaluar për t’u miratuar në qeveri dhe për t’u zbardhur. Vijnë pra gradualisht masa, vijnë, si të thuash, gjykime, analiza, ide, risi, të cilat bazohen edhe mbi dinamikën e situatës së aksidenteve rrugore, por edhe mbi përgjegjësitë institucionale, por edhe mbi nivelin dhe për stadin e institucioneve. Ne nuk mund të mendonim dot, p.sh., që më 2018 ne kishim jetike që të kishim sisteme që funksiononin, neve na binin sistemet. Sot në vitin 2021 flasim me sisteme të investuara në vitin 2020, që nuk bien më. Jemi me sisteme të fjalës së fundit të shkencës, të teknologjisë, pajisje të gjeneratës së 10-të, jemi me sisteme të cilat mund ta përballojnë këtë ndërveprim informatik. Një gjë të tillë po e bën edhe Policia. Në këto momente që po flasim, po investon në teknologji dhe në sistemet e veta.

Para disa kohësh, është folur edhe për “testin e idiotit”, për ato sjelljet e çrregullta në rrugë, por nuk do të ishim këtu nëse s’do të kishim sistemin e pikëve, pasi sistemi i pikëve është sinjalizuesi i parë që tregon shoferët me disa shkelje, me pikë të hequra apo do të jenë patenta të humbura. Si paraqitet situata, të paktën në një periudhë 2020-2021 dhe do të jenë ekskluzivisht ata, të cilët janë kapur edhe te pikët për shkelje, që do të kalojnë në këtë testin e informimit?

Natyrisht, pra, të gjithmonë alerti krijohet bazuar mbi një numër, e thashë, 3 e sipër shkeljesh, të atyre kundërvajtjeve dhe shkeljeve dhe masave që janë marrë, të cilat kanë pasur shoqërime edhe heqje pikësh, pikërisht janë ato që janë të rënda, me rrezik, që janë me pasoja, që janë me rrezikshmëri dhe që duket që kanë një shkallë papërgjegjshmërie, jo edhe aq padijenie sesa papërgjegjshmërie, dhe që duket që këtu kemi nevojë për një trokitje në mendjen e personit, për t’i kujtuar edhe një herë atij përgjegjësitë civile, penale, përgjegjësitë ndaj të tretëve, përgjegjësitë ndaj fëmijëve të vet, ndaj familjes së vet, ndaj vetes së vet në radhë të parë, se edhe ai është njeri, që numërohet për shoqërinë. Dhe për “testin e idiotit”, është një diskutim që ne kemi pasur pavarësisht këtij termi që ndoshta mund të mos na tingëllojë mirë, është i zgjidhur me Kodin Rrugor sepse ata që humbin patentën dhe që kthehen me humbjen e patentës, kanë testim të ri për normat e sjelljes dhe këtu jemi te kategoria që ne e kemi ashpërsuar tashmë, kemi kaluar edhe më tutje sesa testi në fjalë, sepse ne kemi kaluar në nivelin që kur të humb patenta, me zbardhjen e VKM-së nr. 153, që është Rregullorja e Kodit Rrugor, nuk do të vish më për ritestim në DPSHTRR, por do të shkosh në autoshkollë.

Sot shkaktari kryesor, në leximin tuaj, të paktën jeni ndër më ekspertët e kësaj fushe, është rruga, është mjeti apo është individi?

Po të marrim thjesht anën numerike, natyrisht që drejtuesi i mjetit do të na figurojë në kuptimin sasior, si shkaktari kryesor në kuptimin e numrave. Por nëse marrim se sa përdorues mjetesh dhe sa përdorues rruge e përdorin rrugën, dhe të cila kategorive janë ata, dhe nëse kemi shumë më pak përdorues rruge, po themi, pedalues sesa përdorues mjetesh, dhe po të shohim se sa numra të lartë pedaluesish janë shkaktarë dhe numra të lartë brenda numrave të tyre janë të lartë ata që nuk vënë kokoren, atëherë do të skandalizoheshim me numrat dhe do të dilte që papërgjegjshmëri më e madhe se për dikë që pedalon pa kokore në një ambient dhe në një habitat kaq të rrezikshëm sa ç’është rruga, është edhe më e lartë sesa papërgjegjshmëria e një drejtuesi mjeti në një situatë të caktuar, me katër rrota, në një kabinë, i mbyllur brenda në kushte më të sigurta në habitatin e rrezikut që ne po flasim. Pra, po të diskutojmë me numra, është diskutim shumë i gjatë, d.m.th., nëse do të kishim, si të thuash, shkallë që sa më i papërgjegjshëm është faji, po themi, dhe sa më i pafalshëm është një gabim që bëhet, mund të dilnim dhe jo te drejtuesi i mjetit. Ne kemi shumë probleme me rrugët natyrisht, ne kemi probleme shumë me edukatën që i vogël, që mungon, dhe po punojmë shumë me sektorin e sigurisë rrugore.

Në fakt jemi në një Shqipëri, ku ka shumë nocione p.sh., që edhe fizikisht mungojnë. Kemi kryqëzime, kemi qytete që semafori nuk ekziston fare, vijat e bardha po ashtu, por jemi në një situatë kur më 2021 librat e shkollës, prapë edukata e përdorimit të rrugës, e njohurisë për mjetin, për përgjegjësinë, për sjelljen, prapë na mungon. Ju keni bërë shpeshherë aktivitete, por keni gjetur një derë të hapur për t’u futur edhe në arsimim, pra në librat e shkollës, siç është edukata, edukata filletare, ajo edukata qytetare? Keni gjetur hapësirë të hyni në shkolla, jo si një aktivitet, po them në libra

Po, keni të drejtë, ju kuptoj. Gjithsesi, unë dua ta filloj nga vetja. DPSHTRR, që të paktën unë kam gjetur, ashtu siç unë e kam gjetur, nuk ishte në nivelin që të mund të udhëhiqte procese të tilla dhe duhej të kishte një rol udhëheqës në procese të tilla. Ne kemi gjetur manuale të gabuara, ne kemi gjetur manuale të cunguara, ne kemi gjetur drejtues të niveleve të ndryshme në DPSHTRR që punonin në DPSHTRR dhe u shisnin libra autoshkollave. Testi ynë i marrjes së lejes së drejtimit ka qenë një kurth, ka qenë një çark, që edhe një inteligjent i shkallës më të lartë do të rrëzohej. Ne, para se të fillonim ribërjen e testit, riformulimin e testit dhe leximin e tij, kemi futur të gjithë administratën në test. 70% e DPSHTRR-së vetë, të gjithë njerëzit që punonin këtu, ngelnin. Pra testi nuk ishte bërë për të testuar dijenitë, por ishte bërë, unë kam arsyet e mia të forta për ta thënë këtë gjë, për të ngelur çdo njeri, në mënyrë që të bëje çfarë të doje, të mësoje e të bëje, do të ngelje, do të ishe subjekt i një shoku apo miku apo i një ndërhyrjeje që do të bëje për të marrë patentën. Ne presim nga Ministria e Arsimit shumë shpejt një marrëveshje me Drejtorinë Arsimore, për të shtuar orët brenda edukatës qytetare, ku ne të jemi të paktën me dhjetëfishin e kohës që sot në edukatën qytetare zë trafiku dhe siguria rrugore, ne të jemi me dhjetëfishin dhe jo vetëm me nocionet që deri më sot kanë qenë të zakonshme si biçikleta, fëmijët etj., por me nocionin direkt të automjetit, që fëmijë. Ne besojmë që më 2022, do të jemi në nivelin që do të jetë gabim për çdo institucion, që nuk do të përfshijë edukatën e këtij niveli dhe këtë literaturë të këtij niveli që ne po bëjmë, ta përfshijë në kurrikulën arsimore vjetore standarde.

Ju para pak kohësh keni folur edhe për autoshkollat, të cilat do të jenë në monitorim edhe testi teorik është që është, sepse bëhet në salla online, por edhe për testin praktik, aty ku, si kryhet një parakalim, si futet në një kthesë, duhet sinjali, duhet rripi, si bëhet një parkim. Janë elemente të qytetërimit urban aq të nevojshëm përditë sepse nëse dikush e merr kthesën në fund fare, pa të ndezur një sinjal, bëhet shkaktar aksidenti. Por nëse ai nuk e ka mësuar kurrë në ndonjë autoshkollë, ose e ka mësuar makinën në mënyrë autodidakte, çfarë ndodh me autoshkollat?

Kemi mjaft probleme me mjetet e tyre, kemi probleme me vjetërsinë e mjeteve të tyre, kemi probleme me stadin ekonomik të vendit tonë, kemi probleme me koston që ka një autoshkollë për një qytetar që aplikon, kemi probleme me orët që ai bën atje, kemi probleme se ai qytetari e ka librin dhe duhet të firmosë orët që ka marrë dhe kohën që ka marrë, por ndonjëherë firmos pa i bërë ato. Pra duhet të shkojmë tani deri në nivelin e një kontrolli gati-gati që të kemi mundësi të vëmë mikroçipe në trupat e njerëzve dhe të kthehemi tani te kjo puna e fantashkencës së çipave nëpër trupa. Nuk mund të arrijmë dot të kemi një kontroll të tillë që të kontrollojmë edhe ndërgjegjen e njerëzve. Në qoftë se shkon në një autoshkollë dhe regjistrohesh dhe gënjen veten tënde, firmos regjistrin që ke bërë kursin, të paktën orët, si mund ta gjejë inspektori ynë që vjen dhe kontrollon regjistrin dhe librin? Ne nuk mund të jemi pas kësaj makinës së autoshkollës gjithë kohën. Ne kemi nevojë edhe për një vetëdije, edhe për një reagim. Ne duam që prindi që e çon këtë fëmijë për të marrë patentën, të ketë një vetëdije të caktuar.

Së paku, kur bëhet provimi, mund ta reduktoni?

Patjetër që nuk diskutohet, por meqë folëm për autoshkollat, pra kemi autoshkolla që ne i monitorojmë në kushte, në numra, kemi kufizuar numrin e atyre që ata mund të trajnojnë sepe ka qenë pa limit. Kemi ulur numrin, në mënyrë që ta kemi nga 12 në 8, pra kemi llogaritur kohën që ata munden, me atë të punësuar që kanë, sa kursantë mund të procesojnë në mënyrë që ne të shkojmë drejt orareve të sakta, në mënyrë që të mos gënjehemi tek oraret, se këtu kishte autoshkolla të cilat sillnin 100 veta kur kishim 2 të punësuar. Edhe matematikisht nuk dilte koha, se s’mund t’i bënim, siç kishim kohën e koncesionit të famshëm të kontrollit teknik. Linjat, të cilat mund të bënin vetëm 150 automjete, kishin bërë 700 në ditë sepse s’kishin kaluar fare automjetet në ato linja, i kishin printuar certifikatën. Pra ne jemi në këtë situatë. Tani këtu kemi nevojë shumë të madhe për ndërgjegjen e njerëzve. Të mos firmosin kot, diku ku ka një problem duhet ta denonconi, duhet të ankoheni në platformën tonë, edhe anonimat, “jam në kurs, kam ardhur sot, profesori s’ka ardhur fare; s’ka drita; s’ka gjëra; salla s’punon; s’ka materiale didaktike, m’i kanë marrë paratë kot”. Duhet të denoncojnë, që ne të dimë ku të shkojmë në atë moment dhe të kontrollojmë.

Ju shpesh postoni dhe keni një shënim aty: një në tre mjete arrin ta kalojë kolaudimin, por aty ka që ende vazhdojnë guxojnë, vijnë me goma të çara e me çudi të tjera. Pse e bëjnë këtë, vazhdojnë të mendojnë se kundrejt parasë apo hajde ta provojmë?

Kryesorja që e bëjnë është sepse ashtu kanë kaluar gjithmonë. Ata kanë bindjen që në mos sot, nesër; në mos ky, ai; në mos kjo gomë apo ajo tjetra; hajt se do t’ia hedh edhe kësaj here siç e kam kaluar çdo vit. Bëjnë një gabim të madh që vijnë në atë gjendje sepse harxhojnë kohën dhe koston e shërbimit të refuzuar, i cili u heq nga xhepi një vlerë të caktuar monetare. Bëjnë gabim të madh ata që vënë lekë në kroskot sepse kjo është e ndaluar dhe shkon direkt për denoncim, për kallëzim penal. Është e njoftuar në të gjitha hyrjet e kontrolleve teknike. Ne e dimë, jemi koshientë, që sa kohë kemi njerëz në shërbim, sa kohë që të gjithë ne jemi njerëz dhe nuk jemi engjëj mbi tokë, por jemi njerëz, ka subjektivitet dhe ka mundësi, dhe ka risk për subjektivitet, por investime si të këtij viti apo të vitit të kaluar, si të kësaj epoke në teknologji për sisteme në automotorizimin shqiptar, nuk janë bërë ndonjëherë. Në mos sot, nesër, do kapesh. Mos abuzo me Kodin Rrugor, mos abuzo me automjetin, mos abuzo me dokumentet, mos abuzo me ndryshimin konsultiv, mos abuzo me vendosjen e impiantit të gazit pa e certifikuar atë sepse në mos sot, nesër, do paguash gjobën, do kapesh, do vonohesh, do të duhet të ndryshosh lejen, do të duhet të ndryshosh timonin, do të penalizohet punonjësi që të ka kaluar. Gjendet me të gjitha llojet e regjistrave tanë logoja përkatëse e praktikës së bërë. Kapet personi, kush ka firmosur dhe të gjithë. Të gjithë me radhë shkojnë përgjegjës, por nuk duhet të ndodhë e gjitha kjo pa pasur një reagim edhe nga vetë qytetarët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN