MENU
klinika

Korsia e tretë do ndërtohet në…

Rruga Elbasan – Qafë-Thanë, qeveria me zgjidhje emergjente!

19.11.2021 - 11:12

Projekti i zgjerimit me një korsi i rrugës Elbasan – QafëThanë nuk do ta ndihmojë lehtësimin e trafikut të mjeteve që kalojnë në të veçanërisht gjatë fundjavave.

Për deputetin e PD-së Edmond Spaho, zhvillimi në terren është më i shpejtë se reagimi i institucioneve që në këtë rast nuk po ndihmojnë.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Spaho u shpreh se projekti për ta bërë këtë rrugë me 3 korsi dhe jo me 4 apo 5, aq sa është nevoja, është një harxhim i kotë i parave të buxhetit të shtetit, pasi rruga është e mbipopulluar.

“Për sa i takon projektit Elbasan – Qafë-Thanë, kam përshtypjen që zhvillimi në terren ecën shumë më shpejt se sa reagimi nga ana e autoriteteve, në këtë rast Ministrisë së Infrastrukturës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Sot të mendosh për ta kthyer me 3 korsi është të harxhosh paratë kot, sepse është një nga rrugët më të ngarkuara dhe ka një zhvillim shumë të shpejtë. P. sh., Korça është kthyer në një nga destinacionet turistike më të mëdha të vendit. Ashtu si iket në Durrës apo në plazhin e Gjirit të Lalzit, iket edhe në Korçë. Po të shikoni trafikun, në fundjava është jashtëzakonisht i madh, kështu që duhet menduar me 4 korsi, jo me tre. Të ndërtosh sot me tre kur nevojat janë për katër a më shumë, është e pavend. Pa kaluar tek aksi Librazhd-Përrenjas, që nuk kalon dot kurrë, se janë maunet rresht”, tha Spaho.

Propozimi dhe ideja e deputetit të PD-së u mbështet edhe nga deputeti i PS-së Erion Braçe, i cili u shpreh se rëndësia dhe trafiku i kësaj rruge vjen pasi ka dalje në dy dogana.

“Ajo rrugë nuk ka vetëm trafikun e turizmit, po ajo ka edhe trafikun ndërkombëtar të mallrave. Ka dalje në dy dogana”, tha Braçe.

Ndërkohë, për përfaqësuesin e ARRSH-së në Komision, zgjerimi vetëm me një korsi vjen për shkak të relievit dhe vështirësive të terrenit.

“Studim-projektimi i fizibilitetit konsiston në ndërtimin kryesisht të korsisë së tretë në këtë aks rrugor, lidhet thelbësisht me risqet e sigurisë që paraqet ky aks, duke qenë se shtrihet në një terren relativisht malor dhe ka vështirësi të lartë dhe ka disa kryqëzime me hekurudhën që kalon në atë zonë me një gjeologji problematike. Për këto arsye, do të ndërtohet korsia e tretë në akset ku është e mundur për të lehtësuar qarkullimin”, tha përfaqësuesi i ARRSH-së në Komision.

Por drejtori i politikave në Ministrinë e Infrastrukturës, Thimio Plaku, bëri të ditur se korsia e 3-të është vetëm një zgjidhje emergjente e qeverisë për nevojat dhe problemet emergjente të këtij segmenti.

Ai tha që është aplikuar në programet e financimit të BE-së për ndërtimin e autostradës Elbasan – Qafë-Thanë sipas standardeve europiane në një gjurmë të re.

“Për sa i përket pjesës së Korridorit 8, Elbasan – Qafë-Thanë kjo zgjidhje që paraqitet sot, pra zgjerimi i pjesshëm, është ndërhyrja emergjente për të zgjidhur problemet emergjente. Por në kuadrin e WBEF, që është instrumenti financiar i investimeve të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, kemi planifikuar projektin e një rruge të re, në një gjurmë të re, Elbasan – QafëThanë.

Po punojmë paralelisht dhe kemi aplikuar te WBEF për një rrugë të re të standardeve europiane, autostradë me dy karrexhata me dy korsi dhe korsinë e emergjencës, ashtu siç e ka të nevojshme ky aks rrugor”, tha Plaku.

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!