MENU
klinika

Kriza me emigrantët

Polonia: Përpjekje e madhe për të destabilizuar Evropën

21.11.2021 - 21:18

Polonia e ka quajtur krizën e emigrantëve në kufirin me Bjellorusisë si një përpjekje të madhe për të destabilizuar Evropën që nga Lufta e Ftohtë. Kryeministri polak, Mateus Moraviecki, tha se udhëheqësi bjellorus, Lukashenko ka nisur një “luftë hibride” kundër Bashkimit Evropian.

Më 21 nëntor, Polonia raportoi se rreth 100 emigrantë kanë bërë përpjekje që nga Bjellorusia të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian. Autoritetet thanë se migrantët ishin agresivë.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, tha të shtunën se Bjellorusia ka ndryshuar taktikën dhe tani po drejton grupe më të vogla emigrantësh njëkohësisht në disa pika kufitare.

Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën, duke dërguar në kufi me Bashkimin Evropian emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme.

Bjellorusia e ka mohuar akuzën dhe ka kritikuar BE-në për mospranimin e emigrantëve.

Në një intervistë me BBC më 19 nëntor, Lukashenko pranoi se ishte “absolutisht e mundur” që forcat e tij të sigurisë të kishin ndihmuar emigrantët, por mohoi që Qeveria e tij t’i kishte sjellë ata në Bjellorusi.

Polonia thotë se të paktën 11 emigrantë kanë vdekur që nga fillimi i krizës gjatë verës.

Lukashenko ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushtin e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.