MENU
klinika

Në fillim të dhjetorit

6 bashki pa kryetar/ Kushtetuesja zbardh vendimin

22.11.2021 - 16:54

Bashkitë, Durrës, Shkodër, Vorë, Dibër,Rrogozhinë dhe Lusnjë paçka se Gjykata Kushtetuese e tha fjalën e saj vijojnë të mos drejtohen nga një kryetar.

Gjykata më e lartë në vend, mbështetur në një opinion të Komisionit të Venecias,  la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit duke rrëzuar kërkesën e shoqatës së bashkive për ti shpallur ato totalisht të pavlefshme.

Top Channel mëson se do të jetë java e parë e Dhjetorit kur palët në këtë proces përfshi edhe presidentin e republikës Ilir Meta, do ta kenë të zbardhur vendimin e plotë.

Faktori kohë sa vjen dhe po ngushtohet për presidentin Ilir Meta të cilit kushtetuta i kërkon që për këto vakant, të shpallë zgjedhje të pjesshme.

Në të fundit intervistë televizive zoti Meta premtoi se do ta trajtojë me shumë vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtuese por pati edhe një paralajmërim se kjo mbase nuk është një çështje e mbyllur.

Ilir Meta: Nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë.

Ky qëndrim i presidentit lë të kuptohet se dekretimi zgjedhjeve në 6 bashki nuk do të ndërmerret lehtësisht nga kreu i shtetit.

Të interesuarit e vetëm në pasjen e të tilla zgjedhjeve janë kupola drejtuese e PS, të cilët i  kanë kujtuar presidentit detyrimin kushtetues.

Edi Rama: Jemi Gati.

Turbulenca ku është futur PD nga foltorja e Sali Berishës, e bën këtë forcë politike indiferente ndaj nevojës së qeverisjes së këtyre 6 bashkive me kryetarë.