MENU
klinika

“Ruajti imazhin e SHBA, nuk ndihmoi Kosovën dhe Serbinë”

Kurti: Marrëveshja e Uashingtonit, lëvizje taktike para zgjedhjeve presidenciale

22.11.2021 - 23:15

Kryeministri Albin Kurti ka folur për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kohën kur ai po udhëheq me ekzekutivin e vendit. Duke folur për marrëveshjen me Serbinë që u arrit në Uashington më 2020, thotë se më shumë ishin “tentim për marrëveshje të shpejtë sesa ndihmë për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë.

Kurti komentet i bëri në diskutimin “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”

“Sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës situata tani është shumë ndryshe, për më mirë natyrisht. Presidenti Biden është ndër liderët më progresiv në botë. Nëse e shohim programin e tij, është socio-demokratik për çka kemi nevoje të gjithë jo vetëm SHBA’ja por të gjitha vendet. Unë kisha mundësinë që në pallatin Elize në darkën që thirrur nga presidenti Markon të takohem me Kamala Harris, nënkryetare e SHBA. Kishte një fjalim të jashtëzakonshëm në këtë forum”, shtoi ai.

Ai u ndal edhe te marrëveshja e arritur në Uashington në kohën kur në SHBA ishte administrata e Donald Trump.

“Sa i përket marrëveshjes së shtatorit në Uashington, ka aq shumë elemente në atë marrëveshje, nuk po them se secili element në këtë marrëveshje nuk është i mirë, siç është njohja reciproke me Izraelin siç ishte pika e fundit dhe është implementuar dhe është pozitive. Por prapë më duhet të them se ky lloj zotimi unilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar ishte shumë më shumë lëvizje taktike e administratës paraprake para zgjedhjeve në SHBA dhe ka pasur synim që të ndërtojë diçka të qëndrueshme për të shtruar të ardhmen e sigurt. Unë e shoh këtë më shumë si një tentim për një marrëveshje të shpejtë që do ta mbante imazhin ndërkombëtar dhe politikat vendase të ish-presidentit sesa në të vërtetë të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara”, theksoi Kurti.

Kosova dhe Serbia, përkatësisht ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq, më 4 shtator 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.