“Sa divizione ka Papa?”- pyeti në një rast Stalini, duke theksuar se pavarësisht autoritetit fetar ose politik, forca ushtarake është ajo që mund të dominojë gjithmonë në gjeopolitikë. Megjithatë në shekullin XXI-të, shumëkush mund të pyesë me të drejtë se për çfarë shërben forca ushtarake.
Më shumë se 3 muaj pas fitores së rrufeshme të talebanëve, dhuna terroriste në Afganistan po vazhdon ende. Duket se pjesëtarët e ushtrisë afgane të mundur, u janë bashkuar radhëve të “fondamentalistëve ndërkombëtarë”, për të vazhduar luftën kundër talebanëve.
Pra fitorja ushtarake në terren nuk ka zgjidhur asgjë. Talebanët përballen nga njëra anë me rezistencën e atyre që janë nostalgjikë për lirinë dhe përparimin që patën për 20 vjet, dhe nga ana tjetër me atë të fanatikëve islamikë.
Por mbi të gjitha, po përgatitet të ndodhë një katastrofë humanitare me përmasa të paprecedenta, e inkurajuar në intensitetin e saj nga kombinimi i ngrohjes globale, sanksioneve ndërkombëtare kundër regjimit taleban, dhe dhunës së vazhdueshme në terren.
Largimi i trupave amerikane dhe i aleatëve të tyre, si dhe fitorja e talebanëve në terren, nuk ka zgjidhur asgjë, përkundrazi.
Dhuna etnike në Etiopi
Edhe në Etiopi – vendi më i populluar afrikan pas Nigerisë – përdorimi i forcës ushtarake,
nuk ka zgjidhur asgjë. Pas një sërë fitoresh fillestare kundër “rebelëve Tigrajanë”, forcat e qeverisë qendrore të Etiopisë, po pësojnë disfata të njëpasnjëshme. Ata komandohen nga kryeministrit dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Abiy Ahmed.
Por tani Fronti Çlirimtar i Popullit Tigraj, gjendet në portat e kryeqytetit Adis Abeba. Ndërkohë, dhjetëra mijëra civilë kanë humbur jetën, dhe qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur në një konflikt etnik që duket se po del jashtë kontrollit, dhe ku të gjitha palët po sillen njëlloj keq ndaj popullatës civile. Në fund të fundit, pyetja është nëse Etiopia po bëhet për kontinentin afrikan ajo që ishte Jugosllavia për Evropën në fund të Luftës së Ftohtë:një entitet që zhytet shpeshherë në dhunë.
Shantazhi i Lukashenkos
Vetëm regjimet e Bashar Al-Assad në Siri, apo të Alexander Lukashenkos në Bjellorusi – ku që të dyja kanë përfituar nga mbështetja e Rusisë së Vladimir Putin – mund të krenohen se e kanë përdorur me sukses forcën kundër popullatës së tyre.
Në Siri, megjithëse akuzat për gjenocid kundër regjimit janë ende në fuqi, Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe sapo ka vizituar Damaskun, duke i dhënë legjimitet Assad-it. Por me çfarë kostoje? Për të qëndruar në pushtet, Assad e ka kthyer vendin e tij disa dekada prapa.
Ai sundon ende, por mbi një “pirg rrënojash”. Sa i përket Lukashenkos, ai ka zbuluar përdorimin e emigrantëve si armë, dhe i keqpërdor viktimat e dhunës në Lindjen e Mesme, si një mjet shantazhi kundër vendeve të Bashkimit Evropian, që guxojnë të kritikojnë cinizmin e tij revoltues. Mesazhi i tij për Evropën”Ju doni të më izoloni dhe vendosni sanksione, unë do të pezulloj furnizimet e gazit rus që kalojnë nëpër territorin tim, dhe do t’ju pëmbyt me një fluks të madh refugjatësh”.
Skenari i pushtimit kinez të Tajvanit
E megjithatë, si të mos mjaftonin këto paralajmërime, është Kina ajo që duket tashmë e gatshme të nisë aventurën e saj ushtarake. Gjithçka po ndodh sikur të mos kishin asnjë dobi leksionet e fundit nga angazhimi ushtarak i SHBA-së në Afganistan dhe Irak.
Kështu, në shkretëtirën Taklamakan në Kinës Veriperëndimore , forcat e armatosura kineze po stërviten në kuadër të operacionit “Deti i Vdekjes”, dhe kjo sipas imazheve të siguruara nga satelitët monitorues. Ata përdorin si shënjestra kopjet e disa luftanijeve amerikane të vendosura në Paqësor.
Ato mund të përdoren si objektiva trajnimi për raketat kineze të gjeneratës së re kineze. Për shkak të dëshirës ës saj për të pohuar statusin e vet si fuqia kryesore në Azi sot, dhe në botë nesër, Kina po i shumëfishon përpjekjet e saj, dhe po shton ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes, si të mos i perceptonte dot limitet “sistematike” që kanë sot veprimet ushtarake tradicionale.
Udhëheqësit kinezë dhe ata amerikanë, po krijojnë përshtypjen se po flirtojnë rrezikshëm me përplasjen e armatosur. Në Uashington, kjo “narrativë” duket gjithnjë e më e besueshme: Thuhet se shumë shpejt Kina do të ketë në dispozicion mjetet detare për të zbarkuar me trupat e saj në Tajvan.
Por duke pasur parasysh gjeografinë e vështirë të ishullit, rezistenca tajvaneze do të vazhdojë në brendësi, e ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj aziatikë. A i ka ekonomia kineze mjetet për të përballuar një konflikt të gjatë, gjë që do të sillte shumë më shumë se sa vetëm disa pasoja negative në rritjen e saj ekonomike?
Sigurisht, ekziston një dëshirë e qartë për ta dekurajuar Kinën në ndjekjen e këtij syimi, për të cilën këmbëngulin shumë nga miqtë e mi amerikanë. Është njëlloj sikur Uashingtoni ta paralajëmërojë Pekinin:”Ju mund ta pushtoni Tajvanin, por kini kujdes; një zbarkim i suksesshëm nuk do të zgjidhë asgjë. Rezistenca tajvaneze do të vazhdojë me mbështetjen tonë”.
Në kokën e tyre, liderët kinezë dhe ata amerikanë të japin përshtypjen e një flirtimi të rrezikshëm me katastrofën, a thua sikur të dyja palët t’i jenë dorëzuar hipotezës së një përplasjeje të pashmangshme. Përparimi i dialogut kino-amerikan mbi ndryshimet klimatike në kuadrin e samiti të COP26, nuk duhet të krijojë asnjë iluzion.
Prioriteti i liderëve kinezë dhe atyre amerikanë, nuk është të ndihmojnë në shpëtimin e planetit, por që Kina të rifitojë statusin e saj në botë, dhe që Shtetet e Bashkuara ta ruajnë atë. Duket sikur ata nuk kanë mësuar asgjë, apo sikur nuk kanë kuptuar asgjë nga paralajmërimet që na vijnë nga historia./ Nga Dominique Moisi “Worldcrunch”