Nga Tony Barber “Financial Times”
Pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në vitin 2017, kaluan gati 6 muaj para se të merrte detyrën një qeveri e re e koalicionit. Këtë herë është ndryshe. Nëse ashtu siç edhe pritej, Olaf Scholz i Partisë Socialdemokrate do të konfirmohet si kancelar në një votim në Bundestag të planifikuar për në javën e dytë të dhjetorit, Gjermanisë do t’i duhen pak më shumë se 70 ditë për të formuar një qeveri që nga zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit.
Këtë herë ecuria e negociatave ka qenë çuditërisht i shpejtë, duke pasur parasysh se Socialdemokratët (SPD), të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP) u përballën me detyrën e formimit të koalicionit të parë 3-partiak që do të qeverisë Gjermaninë që nga vitet 1950.
Megjithatë, marrëveshja e koalicionit që u bë publike të mërkurën, fsheh ato që janë potencialisht dallimet politike të sikletshme midis të treja partive, të cilat nuk kanë qeverisur kurrë së bashku në nivel kombëtar. Fushat që duhet pasur në fokus janë pandemia e Covid-19, politika fiskale në kontekstin e saj gjerman dhe në eurozonë, si dhe politika e jashtme në lidhje me Rusinë, Kinën dhe NATO-n.
Normat e reja të infektimit me Covid-19 në Gjermani kanë arritur nivelet e tyre më të larta këtë muaj, që nga shpërthimi i pandemisë në fillim të vitit 2020. Kryeministrat e landeve të fuqishme në Gjermaninë Perëndimore si Baden-Württemberg dhe Bavari, po ushtrojnë presion për vaksinime të detyrueshme, që tashmë janë miratuar në Austri.
Por disa lande në Gjermaninë Lindore, ku ndjenjat kundër vaksinimit janë më të zëshme, i kundërshtojnë masa të tilla gjithëpërfshirëse, siç bën edhe FDP. Vështirësia më e madhe për qeverinë e ardhshme, do të jetë përcaktimi i një linje koherente për politikën shëndetësore, me të cilën mund të bien dakord të tre partitë e koalicionit, sa më shumë që të jetë e mundur në të njëjtën kohë me 16 landet gjermane.
Synimi duhet të jetë shmangia e mesazheve të përziera nga qeveria federale dhe ajo shtetërore, të cilat e kanë ngatërruar dhe përçarë shoqërinë gjermane në javët e fundit të administratës së kancelares Angela Merkel.
Pavarësisht se është më e vogla nga tre partitë e qeverisë së ardhshme, FDP mund të pritet që të ketë një ndikim mbi peshën e saj në fushat kryesore të politikës së koalicionit. Kjo do të jetë veçanërisht e vërtetë për menaxhimin e financave publike, ku siç pritet të ndodhë, kreu i FDP-së, Christian Lindner, do të marrë postin e Ministrit të Financave.
Të treja partitë kanë rënë dakord të mos ndryshojnë qasjen e “frenimit të borxhit” të Gjermanisë, një kufi i përcaktuar me kushtetutë për huamarrjen e qeverisë. Por FDP shkon më tej se SPD-ja dhe Të Gjelbrit, duke mos dashur që fondi i rimëkëmbjes së BE-së pas pandemisë të evoluojë në një instrument të përhershëm.
Në lidhje me politika ekonomike në BE. FDP mban një linjë ngjashëm të ashpër mbi nevojën që eurozona t’i rikthehet rregullave fiskale strikte, që janë pezulluar gjatë pandemisë së Covid-19. Qeverisë së ardhshme do t’i duhet po ashtu të gjejë një mënyrë për të pajtuar angazhimin e saj ndaj disiplinës fiskale, me premtimet e saj për të rritur investimet publike vendase, veçanërisht në fushën e dixhitalizimit, infrastrukturës dhe luftës ndaj ndryshimeve klimatike.
Të Gjelbrit e fituan debatin për të çuar përpara heqjen dorë gradualisht nga qymyri deri në vitin 2030, nga viti 2038 që ishte përcaktuar më parë, por edhe kjo mund të testojë kufijtë e kufizimit buxhetor. Ndërkohë në raport me BE-në, qeveria e re mund të përballet me kërkesa nga Franca, Italia dhe të tjerët, për të qenë më fleksibël kur bëhet fjalë për ri-negocimin e rregullave fiskale.
Së fundmi, të treja partitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar nuk e shohin tërësisht njëlloj politikën e jashtme. Të Gjelbrit dhe FDP-ja bënë këtë vit fushatë për një qasje më të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës,më të ashpër se ajo që ishte ndjekur nga qeveria e Angela Merkel, pjesë e së cilës ishte edhe SPD-ja.
Ndërkohë, ka pasur tensione mbi politikën e armëve bërthamore, apo edhe mbi dështimin e Gjermanisë për të përmbushur objektivin e NATO-s, sipas të cili çdo shtet anëtar duhet të shpenzojë për mbrojtjen të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Me largimin e Merkelit pas 16 vitesh në detyrë, dhe me qeverinë e parë të udhëhequr nga SPD që nga viti 2005, Gjermania gjendet në një terren të ri politik. Aleatët dhe miqtë e Gjermanisë shpresojnë që qeveria e re të ketë një fillim të vrullshëm.