MENU
klinika

Kurti mbështet procesin e Berlinit

Abazoviç s’e sheh “Open Ballkan” si pengesë për integrim në BE

03.12.2021 - 14:12

Tri vendet që nuk e kanë mbështetur Ballkanin e Hapur diskutuan rreth nismës në një konferencë online. Diskutimi se a është “Open Ballkan” një devijim i integrimit në Bashkimit Evropian apo një nismë që përshpejton përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe të BE-së, mblodhi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç.

Kryeministri Kurti tha se Kosova e mbështet procesin e Berlinit, aty ku të gjitha vendet janë të barabarta.

“Çdo iniciativë duhet t’i përshtatet axhendës së Europës, të operojë me rregullat e Evropës, dhe të na sjellin më pranë anëtarësimit të Evropës. Në mbajmë procesin e Berlinit si të vetmen kornizë në të cilën ka shumë iniciativa. Kemi mbështetur procesin e Berlinit do të vazhdojmë të mbështesim procesin e Berlinit ku të gjitha vendet janë njësoj të barabarta”, tha Kurti.

Por zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, nuk e shikon “Open Ballkan” si një nismë që pengon integrimin në BE.

“Synimi i Malit të Zi është t’i bashkohet BE-së, ne nuk po kërkojmë diçka që i ngjan BE-së, çdo gjë që ngjan si zëvendësim i saj është i rrezikshëm për vendin. Por gjithsesi nuk e shoh “Open Ballkan” si një mënyrë që mund të shkatërroje këtë synim. Po e shoh në një mënyrë tjetër që mund të ndihmojë në integrimin europian. Sepse kemi nevoje të rrisim besimin, te kemi më shumë sukses, dhe që të mos ketë shumë barriera”, tha Abazoviç./Express