MENU
klinika

Mungesë dokumentacioni

2 vite nga tërmeti!38 miliardë lekë të shpenzuara

04.12.2021 - 15:44

Dy vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 është vështirë të thuash se në cilën pikë të procesit të rindërtimit jemi apo sa për qind e tij është realizuar. Buxheti i shtetit ka shpenzuar deri më tani 38 miliardë lekë në dy vjet, teksa disa qindra milionë euro janë donacione me marrëveshje ku njësitë e zbatimit i kanë zgjedhur donatorët. Deri në fund të tetorit ishin shpërndarë mbi 1 mijë njësi individuale dhe 800 grante me dëmtime (DS4), dhe brenda vitit do shpërndahen 1050 apartamente e njësi individuale të tjera.
Durrësi mbetet një kantier i hapur me disa projekte në fazë punimesh dhe me shumicën në fazë financimi e projektimi. Të paktën 3850 familje janë ende me bonus qiraje. Tirana ka avancuar më në rrethina me disa qindra shtëpi të përfunduara, ndërsa dy lagjet e reja “KombinArt” dhe “5 Maji” pritet të mbyllen pas vitit 2022. Ajo që mund të thuhet sot është se rindërtimi ka ende një rrugë të gjatë para. KLSH konstaton se procesi i rindërtimit ka pasur mungesë të theksuar koordinimi institucional dhe dokumentacioni, duke e bërë të vështirë vlerësimin e ecurisë dhe eficiencën.

Nertila Maho

Dy vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, Shqipëria ka vazhduar rrugën e saj të “shërimit” të plagëve që la pas kjo ngjarje. Përtej dramës njerëzore të jetëve të humbura që nuk mund të rikuperohen, kalvari që pasoi, ishte i atyre që humbën çatinë mbi kokë.

Me mijëra familje ende sot jetojnë në banesa me qira, tek të afërm apo streha të sajuara sipas mundësisë, në pritje që banesat e tyre të përfundojë në kuadër të procesit të rindërtimit. Është e vështirë të thuash sot një përqindje realizimi për procesin më kompleks që ka përfshirë ndonjëherë vendin, kjo edhe për hir të mënyrës së “rrëmujshme” të menaxhimit, diçka e konstatuar nga autoritetet audituese.

Sigurisht fotografimi dhe hedhja në rrjete sociale e lagjeve të reja në njërën apo tjetrën bashki është një fakt i pamohueshëm se punë është bërë, sikurse është një fakt i pamohueshëm mungesa e plotë e transparencës dhe koordinimit të procesit. Por ku ndodhemi sot me rindërtimin?

Në fund të tetorit, zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, deklaroi se ishin shpërndarë 1100 njësi individuale dhe mbi 800 grante për dëmtime DS4, ndërkohë që gjatë nëntorit do të shpërndaheshin edhe 1050 apartamente dhe njësi individuale për banorët e prekur nga tërmeti.

Gjatë këtij muaji, janë shpërndarë përmes shortit banesa të përfunduara në disa zona, ku në Bubq 102 familje përfituan në banesa të reja, në Fushë-Krujë 221 banesa, në Lezhë 97 familje. Ndërkohë që Kryeministri ishte në Vaqarr më 20 nëntor, për 33 banesa të reja të cilat pritet të pasohen me shpërndarjen e banesave në Ndroq teksa vazhdon puna në Zall Herr.

Procesi ka avancuar edhe në Bashkinë e Laçit, ku që prej shtatorit u deklarua se kanë përfunduar 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vend-parkime, qendër tregtare dhe mbetet që të bëhet kalimi tek përfituesit. Ky projekt u mbështet nga qeveria e Turqisë me 42 milionë euro.

Durrësi, në një pjesë të mirë nën projektim, nis ndërtimi në Spitallë e Manzë

Durrësi ishte pika ku tërmeti goditi më fort e pasojat ishin të jashtëzakonshme. Pavarësisht se kanë kaluar dy vite dhe janë marrë masa, gjurmët e tërmetit mund t’i dallosh lehtësisht në këtë qytet edhe nëse kalon sot.

Rindërtimi për Durrësin dhe rrethinat e tij ka filluar, por mbeten para ende një pjesë e madhe e punës, po të kemi parasysh bilancin që bën Bashkia lidhur me punët e përfunduara dhe ato në proces. Një pjesë e mirë e projekteve të rëndësishme janë ende në fazë projektimi ose financimi, ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se kemi edhe dy zona të reja që do të ndërtohen nga e para me gjithçka, Spitalla dhe Manza.

“Siti i Spitallës ka filluar infrastrukturën – gjithsej 996 apartamente, fushë sportive, qendër shëndetësore, park, njësi shërbimi.

Ka nisur ndërtimi për njërin lot, që përfshin 15 banesa kolektive, në të cilat është kryer përforcimi i nëntokës, po fillohet me ndërtimin e plateve.

Siti i Manzës ka filluar infrastrukturën – do të ndërtohen gjithsej 226 apartamente, bibliotekë, çerdhe + kopsht, njësi shërbimi. Ka përfunduar muratura për të 9 pallatet dhe po kryhet procesi i instalimeve elektrike dhe hidraulike. *Për 2 pallate është hedhur shorteu ku përfitues janë 42 familje “nënvizuan nga Bashkia e Durrësit.

Për dëmtimet DS5 të rënda nga Bashkia e Durrësit janë miratuar 1098 banesa individuale, në kudër të procesit të rindërtimit, nga të cilat kanë përfunduar 214. Ndërsa sa u takon pallateve që kishin këtë dëmtim, pjesa më e madhe janë në punime.

Më pak i avancuar është procesi për DS4 që përbën edhe pjesën dërmuese të procesit. Bashkia dha në shifra se janë 110 pallate në detyrë projektimi; 11 pallate në proces punimesh; 13 në fazë prokurimi; 71 pallate janë dërguar për financim. Në lidhje me banesat individuale janë 123 banesa individuale në detyrë projektimi, 35 në fazë prokurimi dhe 69 janë dërguar për financim. Në Bashkinë e Durrësit, aktualisht po trajtohen ende me bonus qiraje 3850 familje.

Tirana avancon në rrethina, por lagjet e reja do të duan kohë përtej 2022

Në Bashkinë e Tiranës, procesi i rindërtimit duket se ka ecur më shpejt në rrethina, kjo edhe për shkak se kompleksiteti i ndërtimit është më i ulët. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, tha se në 13 Njësi Administrative Rurale janë ndërtuar 380 banesa individuale dhe 120 janë në proces.

“Lagjet e reja në Ndroq, Baldushk, Zall Herr, Vaqarr dhe Pezë do të akomodojnë 200 familje. Këto lagje, në përbërjen e tyre, do të kenë jo vetëm banesat individuale, por edhe institucione arsimore, shërbimesh e institucione social-kulturore” – nënvizon Ruseti.

Pjesa me më shumë ngarkesë në këtë proces është ndërtimi i dy lagjeve të reja, të cilat po ngrihen nga e para dhe ku është e përqendruar pjesa më e madhe e atyre që do të marrin banesa të reja.

Dy lagjet e reja “KombinArt” dhe “5 Maji” do të akomodojnë më shumë se 1900 familje të prekura nga tërmeti, dhe gjithashtu familjet që preken prej këtyre projekteve madhore, të cilat do të shpronësohen përmes kompensimit me shkëmbim.

“Deri në fund të këtij viti, ne do të kemi gati shtëpitë e reja për 100 familjet e para, që do të marrin në dorë çelësin e banesës së tyre në pallatet e para te ‘5 Maji’. Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë banorëve që preken nga projektet e ‘5 Majit’ dhe ‘KombinArt’, që të firmosin kontratat me Bashkinë e Tiranës, për të përfituar shtëpitë e tyre. Çdo banor do të marrë të njëjtën sipërfaqe sa ka aktualisht në metra katrorë, në pallatet e reja që po ndërtohen” thotë nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.

Brenda vitit 2022, në Tiranë parashikohet të kenë përfunduar të gjitha banesat individuale dhe pesë lagjet në zonat rurale, ndërsa dy lagjet në qytet do duhet pak më shumë kohë.

Në Bashkinë e Tiranës janë shpallur fitues për përfitim të grantit të rikonstruksionit 10 mijë aplikante, nga 18 mijë që kanë aplikuar.

Buxheti, 36 miliardë lekë për rindërtimin në dy vite. Donacionet jashtë buxhetit arrijnë qindra milionë euro

Shifra e saktë sesa janë shpenzimet në funksion të rindërtimit mbetet e paplotë, për aq kohë sa nuk ka një dokument publik që bën transparencë mbi paratë publike, donacionet brenda dhe jashtë buxhetit, apo kreditë në proces.

Ato që mund të llogariten me saktësi janë paratë që buxheti i shtetit ka shpenzuar për këtë proces, ku del i ndarë më vete fondi i rindërtimit.

Procesi në vitin e kaluar, pati një ecuri të ngadaltë, kur u shpenzua vetëm 52 për qind e planit të parashikuar. Në vitin e pandemisë, qeveria kishte planifikuar 32 miliardë lekë shpenzime për rindërtimin, por ndërkohë u shpenzuan pak më shumë se 16 miliardë. Gjatë këtij viti, ecuria ka qenë me ritme më të mira në raport me një vit më parë.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri në muajin tetor, ishin shpenzuar 22 miliardë lekë nga fondi i rindërtimit nga 28 miliardë të parashikuara, gjë që do të thotë se kemi një realizim prej 79 për qind. Pjesa tjetër e fondeve mbetet për t’u shpenzuar në muajt nëntor dhe dhjetor. Vitin e ardhshëm, fondi i rindërtimit është parashikuar në buxhetin e vitit 2022 rreth 20 miliardë lekë apo sa 1.1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por shpenzimet e bëra deri më tani nga buxheti nuk tregojnë në fakt situatën reale të shpenzimeve të bëra në terren. Këtë e konstaton edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në një raport auditimi të dedikuar thotë se ka donacione me marrëveshje të cilat nuk kalojnë përmes buxhetit dhe që njësia e zbatimit të projektit është zgjedhur nga donatori.

“Gjatë periudhës nën auditim, procesi i rindërtimit është financuar nga buxheti i shtetit,

donacione të derdhura në buxhetin e shtetit, por edhe nëpërmjet donacioneve të cilat nuk kanë kaluar nga buxheti i shtetit. Për projektet e financuara në këtë mënyrë, njësia zbatuese është zgjedhur nga donatorët. Referuar të dhënave, donacionet jo të kaluara nga buxheti i shtetit rezultojnë, të nënshkruara me marrëveshje gjatë periudhës nën auditimi, rezultojnë: – 204,941,104 Euro; – 17,465,120 lekë; – 76,500,000.00 Dollarë” – vlerëson KLSH. Kjo e çon shpenzimin për rindërtimin në vlera dukshëm më të larta sesa ajo që shohim në buxhet.

Rindërtimi pa transparencë, KLSH: Mungon dokumentacioni në të gjithë hallkat

Një nga ngërçet që ka shoqëruar procesin e rindërtimit ka qenë ai i transparencës. Këtë ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në një auditim të dedikuar është konstatuar mungesa e madhe e dokumentacionit që ka shoqëruar procesin më të rëndësishëm të qeverisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

KLSH thekson se mungesa të tilla prekin eficiencën dhe transparencën për një proces i cili, nga një raport paraprak që u hartua falë financimit të institucioneve ndërkombëtare, u llogarit se shkarkoi dëme në nivelin e 1 miliard eurove.

Për shkak të mangësive në dokumentacion duket se është e vështirë të vlerësosh sot ecurinë e procesit, eficiencën me të cilën janë përdorur fondet, por edhe shkeljet që kanë shoqëruar këtë të fundit. Më problematike duket se është çështja që lidhet me programet e strehimit, ku kanë shkuar edhe shumica e fondeve dhe sipas audituesve, që në gjenezë kur nisi procesi janë shfaqur probleme.

Sipas KLSH – veprimtaria e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin për ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit ka shfaqur mangësi në drejtim të dokumentimit të saj.

“Mungon në mënyrë të dokumentuar evidentimi i burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimi i mënyrës së përdorimit të tyre. Ndjekja e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore, për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë mbetur të pastrehë, nuk është dokumentuar plotësisht;

Ndjekja e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për strukturat e posaçme, të ngritura me ligj apo vendim, për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti është karakterizuar nga rutina e përditshme, pa e dokumentuar atë plotësisht;

Informacionet mbi mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion, apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë etj., janë të paplota;

Ushtrimi i kompetencave të veta në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; krijimi i grupeve të punës dhe organizimi i veprimtarive për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; bashkërendimi i punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit për përballimin e pasojave dhe zbatimin e programeve të procesit të rindërtimit është kryer në mungesë të dokumentimit të kësaj veprimtarie” – thuhet në raport.

MONITOR