MENU
klinika

Kategoritë përfituese

Këshilli Administrativ i ISSH miratoi bonusin e pensionistëve

08.12.2021 - 14:29

Edhe në këtë fundvit qindra mijëra pensionistë në të gjithë vendin, bashkë me pagesën mujore të pensionit do të marrën edhe bonusin e akorduar nga qeveria në masën prej 5,000 lekësh.

Vendimi për dhënien e shpërblimit të fundvitit tashmë është miratuar edhe nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në mbledhjen e zhvilluar gjatë ditës së djeshme nën drejtimin e kryetares, njëherazi dhe ministre e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Për shkak të situatës së krijuar në vend edhe nga pandemia e Covid-19, si dhe për të shmangur mbingarkesën pranë sporteleve dhe arkave të tërheqjes së pensionit, edhe për këtë vit bonusi i pensionistëve do të shpërndahet sipas një grafiku të detajuar, i cili po përgatitet nga ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe do të bëhet publik gjatë ditëve në vijim. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, pensionistët që nuk do të arrijnë dot të marrin gjatë dhjetorit masën e shpërblimit prej 5,000 lekësh, do të mund ta marrin atë edhe në fillim të vitit të ardhshëm.

“Me vendim unanim, Këshilli miratoi projektin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pensionistëve me 5,000 lekë për festat e fundvitit 2021, si dhe rezultatin financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Efekti financiar për dhënien e bonusit është parashikuar në vlerën 3.5 miliardë lekë dhe një pjesë e tij do të financohet nga buxheti i ISSH-së. Shpërblimet do të kalohen në llogaritë e pensionistëve që në muajin dhjetor 2021 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2021, ato të paguhen edhe gjatë vitit të ardhshëm”, sqarojnë autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë mbledhjes, drejtori i përgjithshëm i ISSH-së Astrit Hado konfirmoi edhe një herë qendrueshmërinë financiare, si dhe performancën pozitive në grumbullimin e të ardhurave, tendencë e cila parashikohet të jetë e tillë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Kategoritë përfituese

Shpërblimin për festat e fundvitit 2021 do ta përfitojnë të gjithë personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”. Shëprblimi do ta marrin edhe të gjithë personat që marrin pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe sipas Ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

Një tjetër kategori përfituese janë edhe personat që marrin pension sipas Ligjit 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 9179, datë 29.01.2004 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar.

Në skemën e mbështetjes me shpërblim janë edhe personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Bonusi prej 5,000 lekësh do të shkojë edhe për të gjithë personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas Vendimit 190, datë 03.05.1995 të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e Ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

Po ashtu, shpërblimi do të jepet edhe për të gjithë personat që marrin pension per shkak të profesionit te veshtire, sipas nenit 5 të Ligjit 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.