Ashtu sikur njihet thënia e lashtë ”Roma, nuk u ndërtua në një ditë”, edhe për katedralen “La Sagrada Familia” në Barcelonë vlen e njëjta gjë.
Kësaj fundjave, mbi bazilikën e pambaruar të kullës së re të Virgjëreshës u shtua një yll, me peshë 5 ton. Ndërtimi i katedrales madhështore nisi më 1882. Por, pse një kohë kaq e gjatë, për ndërtimin e ”Familjes së Shenjtë”?
Rrjedha e ngjarjeve që penguan punimet:
1874: Nis fushata për ndërtimin e një godine të re fetare në Spanjë
Librashitësi Josep Maria Bocabella u kthye nga një udhëtim në Vatikan, më 1872, i frymëzuar nga punimet madhështore artistike të fesë katolike, që mbizotëronin kudo nëpër qytet. Ai kaloi 8 vjet në fushata dhe mbledhje fondesh, që edhe Barcelona të kishte një katedrale të re.
Me njohjet e tij, si një prej themeluesve të Shoqatës Shpirtërore të Barcelonës, Bocabella zgjodhi arkitektin Francisco de Paula del Villar, për të rikrijuar një vepër arkitekturore frymëzuar nga stili neo-gotik i Evropës.
Më pas, ai bleu një tokë në lagjen barcelonase “Eixample”, çmim që në ditët e sotme do të kapte shifrën e rreth 1 mijë euro. Por, vizioni i dyshes qe jetëshkurtër, pas një sërë mosmarrëveshjesh mbi stilin e ndërlikuar të katedrales.
Bocabello kërkonte që ”La Sagrada Familia” të ishte ndërtesa më e lartë e Evropës. Nuk kaloi shumë dhe u kuptua se, projektit i nevojitej dikush që mund të punonte me kërkesat e koklavitura teknike dhe koston e lartë monetare.
Ajo çfarë mbeti nga versioni origjinal i arkitektit, ishte dhoma e nëndheshme godinës, ndërsa Bocabella vijoi në misionin e tij, të gjente dikë me ëndrra po kaq të mëdha sa ai.
1882-1884: Gjendet toka, hidhen themelet; prezantimi me Antoni Gaudin
Ambicia e shfrenuar e Antoni Gauditn e çoi projektin në një dimension krejtësisht të ndryshëm më 1882, një vit pas gurit të themelit nga peshkopi Urquinaona. Si arkitekti kryesor, ai e riideoi bazilikën si një objekt me përmasa gjigante, frymëzuar nga vetë natyra dhe lakimet e “Art Nouveau”, me 12 kulla, një për secilin prej dishepujve.
Kur ideja që kishte në letër do të merrte formë, ”Sagrada” do të behej kulla më e lartë katolike në Evropë. Por, Gaudi e dinte fare mirë, se kjo nuk qe punë e lehtë dhe shpesh thoshte se, nuk do të arrinte kurrë ta shihte të përfunduar veprën e tij.
Pjesën më të madhe të kohës, ai e kaloi duke vizatuar modele të detajuara 3D, ndryshe nga skicat tradicionale të kohës, në mënyrë që kushdo që do ta pasonte projektin pas tij, ta kishte të qartë sesi do të duhej të dukej i përfunduar ky projekt.
Kur e pyetën njëherë Gaudin, nëse kjo do të përbënte problem për vizionin e tij, ai u përgjigj: ”Klienti im (Zoti), nuk e ka me ngut”.
1926: Gaudi vdes në një aksident tragjik
Pasi iu përkushtu katedrales për 43 vjet, Antoni Gaudi u përplas nga tramvaji teksa po shkonte në kishë për t’u rrëfyer, një rit i tij i përditshëm.
Gaudi arriti të shihte vetëm një prej kambanoreve ikonë të hapësirës së shenjtë, që kishte përfunduar rreth një vit më parë, pasi vetëm 20 për qind e bazilikës ishte realizuar në kohën kur humbi jetën. Vdekja e tij pezulloi plotësisht punimet për më shumë se një dekadë.
1936: Vritet stafi, shkatërrohen modelet e Gaudit gjatë Luftës Civile
Gjatë Luftës Civile në Spanjë, anarkistët mësynë zyrën e Gaudit. U shkatërruan modelet, u dogjën dokumente e projekteve, si dhe dhoma e nëndheshme e kishës. Gjatë luftës humbën jetën 12 punëtorë të kishës, ndërsa pjesa tjetër e ekipit të ”La Sagrada Familia” rrekej të shpëtonin ç’të mundnin, ngjarje që pezulluan punimet deri në fund të luftës, në vitin 1939.
1938: George Orwell kritikon ashpër projektin
Shkrimtari i mirënjohur britanik George Orwell, vizitoi ”La Sagrada Familia” në një periudhë kur punimet ishin pezulluar prej kohësh. Ai e përshkroi katedralen, si një prej “godinave më qesharake në botë”.
“Ndryshe nga shumica e kishave në Barcelonë, nuk ishte dëmtuar gjatë revolucionit – e lanë për shkak ‘vlerave artistike’ thonë. Unë mendoj se anarkistët treguan që nuk kanë aspak shije përderisa nuk e hodhën në erë kur iu dha mundësia” – shprehej Orwell.
1939-1986: Ndërrim i shpeshtë i arkitektëve dhe probleme me financimin
Punimet vazhduan gjatë diktaturës së Francisko Frankos, në Spanjë. Franko, nuk shfaqi ndonjë interes të madh për ”La Sagradën”, por nga ana tjetër, nuk kishte çfarë të bënte. Gaudi kishte këmbëngulur që kisha të financohej nga komuniteti katolik spanjoll. Katër arkitektë të ndryshëm morën përsipër projektin gjatë kësaj kohë: Francesc de Paula Quintana në 1939, Isidre Puig i Boada dhe Lluís Bonet i Garí në 1966, Francesc Cardoner i Blanch në 1983 dhe Jordi Bonet i Armengol në 1985.
Momenti i parë që iu dha spanjollëve një ndjesi të vërtetë sesi do të dukej produkti final, erdhi më 1976, me përfundimin e kullave kambanore, që shoqëronin Fasadën e Pasionit të Gaudit.
2007: Plani i qeverisë për të ndërtuar tunel nëntokësor, pritet me polemika
Shpallja Trashëgimi Botërore në UNESCO, më 2005, ishte një rreze drite në fund të tunelit, për 200 të punësuarit në ndërtimin e ”La Sagrada Familia”. Por, kjo deri në momentin që qeveria shpalosi një projekt ku paraqiste planin për të ndërtuar një linjë hekurudhore nëntokësore, aty ku ishin dhe themelet e kishës thuajse 100-vjeçare.
Kjo vuri në pikëpyetje pasojat që do të mund t’i sillte strukturës së godinës, por me kaq shumë punë për t’u bërë, kjo ishte gjëja e fundit që arkitektët dhe inxhinierët kishin nevojë. Ndërtimi i hekurudhës nisi më 2010, pasi qeveritarët ngulmuan se tunelet nëntokësorë nuk do ta pengonin punën e deritanishme.
2010: Shenjtërimi nga Papa Benedikti XVI
Papa Benedikti XVI vizitoi ”La Sagrada Familia” në vitin 2010, për ta shenjtëruar si bazilikë zyrtare.
Në meshë morën pjesë 6,500 persona, ndërsa me dhjetëra mijëra të tjerë e ndoqën ceremoninë në rrugët e qytetit.
Rreth 15 vite më parë, pjesa e brendshme e kishës nuk kishte çati, por qëndronte midis dy fasadave dhe tetë kullave kambanore, njëra që i ngjasonte një kështjelle ranore, ndërsa vepra tjetër ishte frymëzuar nga rryma e kubizmit.
Një strukturë e posaçme u mbivendos në navatën kryesore, në mënyrë që të mbaheshin shërbesat fetare. Por, si çdo zvarritje tjetër që e ka karakterizuar historinë e kishës, edhe mbajtja e meshave kërkoi 7 vjet të tjera.
Aktualisht, ”La Sagrada Familia” është e hapur për vizitorët, çdo të diel, nga ora 9:00 e mëngjesit.
2019: Punimet pritet të mbarojnë më 2026, pas miratimit të lejeve të reja
”La Sagrada Familia” sot është aq e vjetër, saqë pjesët e përfunduara në fillim të shek. XX, tanimë duhet të riparohen. Në këtë fazë, qeveria spanjolle ka nisur të nxisë zhvilluesit e projektit, për të tërhequr më shumë fonde financiare, duke kërcënuar se nëse projekti nuk do të kishte licensë, punimet do të pezulloheshin plotësisht.
Më 2017, UNESCO mundësoi 37 milionë € për të blerë lejen e mbikëqyrjes, por qeveria këmbënguli që duheshin edhe garanci të tjera, që siguronin se plani do të çohej përpara. Kësisoj, u miratua leja 7-vjeçare, ndërsa data e përfundimit të punimeve u vendos për në vitin 2026. Nëse punimet do të përfundojnë sipas afateve, data do të përkojë me 100-vjetorin e vdekjes së Gaudit. Por, ky qe plani përpara se covid-19 të pushtonte Evropën, rreth dy vite më parë.
2021: Ku jemi sot?
Projekti po ecte shumë mirë, deri në momentin e pandemisë. Covid-19 ndaloi plotësisht punimet në strukturë, hera e parë që prej luftës civile në Spanjë. Pezullimi i punimeve për disa muaj më shumë, ka të ngjarë të shtyjë afatet, teksa skuadra përpiqet të nxitojë për të fituar kohë. Rreth 20 milionë persona vizitojnë zonën në vit për të admiruar pjesën e jashtme të kishës, ndërsa 4 milionë paguajnë biletën 26 euro për të parë dhe pjesën e brendshme.