MENU
klinika

Kishte ndërruar jetë 3 ditë më parë?

I riu nga i ftohti në malin e Moravës

09.12.2021 - 14:22

I riu sirian, i cili u gjet i vdekur mbrëmjen e djeshme në malin e Moravës në Korçë, dyshohet se kishte ndërruar jetë 3 ditë më parë.

Report Tv ka mësuar detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë, teksa bëhet me dije se kanë qenë një grup klandestinësh bashkëkombas të tij që gjetën trupin e 27-vjeçarit.

Klandestinët po përshkruanin të njëjtin shteg kalimi i riu, për të mbërritur në Shqipëri, por fatmirësisht nuk patën fatin e keq të të riut.

Trupi i 27-vjeçarit pritet t’i nënshtrohet ekspertizës në Tiranë, për të mësuar më shumë mbi shkaqet e vdekjes, teksa dyshimet janë se humbi jetën për shkak të kushteve atmosferike dhe borës.

Klandestinët ecin me ditë të tëra nga shteti Grek drejt kufirit të gjelbër në Kapshticë e më pas synojnë kryeqytetin, për të depërtuar më pas në vendet e BE. Edhe pse policia ka intensifikuar kontrollet në kufi për të parandaluar kalimin e tyre, sërish një numër i madh emigrantësh mbërrijnë çdo ditë në vendin tonë, ndihmuar nga shqiptarë në këmbim të pagesave të majme.

Vetëm ditën e sotme, Policia në Kukës njoftoi për goditjen e 4 rasteve të shtetasve shqiptarë të cilët u përpoqën të kalonin drejt Kosovës 46 emigrantë sirianë. Ata u kapën në hyrje të Tunelit të Kalimashit, ndërsa i kishin marrë nga 500 euro secilit.