Përktheu Beti Njuma
Nga “The guardian”
Nëse duam të tregohemi të ndershëm, duhet të rrëfejmë ndjenjat tona të këqia.
Në parim, ne e mbrojmë të vërtetën duke treguar të vërtetën për vetveten.
Kam mësuar se ndjenjat e këqija janë të pashmangshme; nëse duam të tregohemi të ndershëm me veten dhe të tjerët, ne duhet t’i shprehim ato. Duhet të na bëhet shprehi.
Si? Para së gjithash duke e detyruar veten të mos i maskojmë ato si ndjenjat e një njeriu të patrembshëm që e ka të vërtetën shumë të rëndësishme. A mos po torturohemi nga mirësia femërore e një mikeshe të cilën të gjithë e pëlqejnë, ndërsa ne na duhet të luftojmë për thërrimet e saj të dashurisë? Bukur: nuk duhet të reagojmë duke i thënë gjithkujt se suksesi i saj është rezultat i një hipokrizie të orkestruar me shume kujdes. Mbi të gjitha nuk duhet ta përligjim apo ta përgojojmë duke thënë se është dashuria për të vërtetën ajo që na prin, që na bën po aq hipokritë sa ajo.
Në vend të kësaj, le të përpiqemi. Le të mësohemi të mendojmë se mirësia e shoqes është e lindur dhe ta reduktosh atë në një ushtrim mjeshtëror hipokrizie është thjesht shenjë e zilisë që ndiejmë. Nga kjo përpjekje, sigurisht askush nuk përfiton: ne mbetemi ziliqarë, dhe vazhdojmë të vuajmë prej saj. Padyshim, a jemi ndjerë më mirë kur luanim rolin e një personi të çiltër, që luftonte kundër mashtrimit?
Pra çfarë duhet të bëjmë? Epo, duhet të bëjmë një përpjekje tjetër: të gjejmë tonin e duhur me të cilin t’i rrëfejmë mikeshës sonë se suksesi i saj na lëndon, se e kemi zili, se na vjen turp nga vetja kur, në vend që ta pranojmë se ajo zotëron cilësi që ne s’i kemi, sillemi poshtë e përpjetë duke thënë se ajo është hipokrite. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atehëherë kemi hedhur dy hapa gjigantë.
Së pari do të zbulojmë se e mbrojmë në parim të vërtetën duke thënë të vërtetën për vetveten. Dhe së dyti, do të fitojmë diçka shumë më të admirueshme sesa mirësia e lindur: aftësinë për të shqyrtuar dhe kontrolluar vetveten.
Por, po sikur mikesha jonë të ishte njëmend hipokrite? S’ka problem. Është një lojë e rrezikshme për t’u luajtur dhe shumë shpejt mikeshës do t’i dalin të palarat në shesh: do ta humbasë reputacionin që ka fituar dhe ne do të lumturohemi. Po, do të lumturohemi, dhe përsëri do të duhet të bëjmë llogaritë me një ndjenjë të keqe: kënaqësinë e ligë të të qenit dëshmitare në rënien e njerëzve të suksesshëm, kënaqësinë e regjistrimit të pështjellimit dhe dëshpërimit të tyre pas një periudhe të lumtur.
Si duhet të sillemi pas kësaj? Mos vallë do të ndjehemi në anën e fitimtarit, do t’i tregojmë ngadhnjyeshëm gjithkujt se ishim ndër ata që e kuptuam të parët se mikesha jonë – që s’është më mikesha jonë – ishte një hipokrite?
Jo: edhe një herë duhet të përpiqemi të jemi të sinqertë me vetveten. Do ta pranojmë se na shijojnë fatkeqësitë e të tjerëve, do ta pranojmë se kjo na jep një ndjesi çlirimi. Nga Shën Agostini e më pas, duke folur me çiltërsi brutale, jo me të tjerët por me vetveten, ndonjëherë kjo na shpëton që ç’ke me të!