Të ftuar në emisionin ‘Pikat mbi i’ në ‘News24’, analisti Artur Zheji dhe gazetari Sokol Balla komentuan deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, të mbajtur një ditë para Kuvendit të thirrur që do të mbahet në stadiumin në ‘Air Albania’.
Më tej Balla theksoi se ky debat i ka bërë mirë Partisë Demokratike dhe se sipas tij kjo është edhe një meritë e kreut të PD-së Lulzim Basha, ndërsa u shpreh: “Unë besoj që nesër nuk do të ketë teprime”.
Së fundmi Balla shtoi se politika është mjet në duar e qytetarëve dhe jo të politikanëve.
Pjesë nga biseda në studio:
Zheji: Toni i doktorit më paqësor , më i ngrohtë, nuk ishte ndonjë nxitje për lëvizje radikale. Deri tani e shoh si një ftesë publike për të marrë pjesë në një festë demokratësh.
Balla: Për mua besoj se edhe doktori ishte pak konfuz, por besoj që mesazhi ishte për mbështetësit e tij që të mos dekurajohen. Unë di që nga leja është deri pas mesnate, moti do të jetë i keq dhe ,më në fund edhe doktori e pranoi që tek ‘Air Albania’ rrihet mirë si spektator.
Zheji: Tek ‘Air Albania’ do të shkojë si aktor.
Balla: Unë mendoj që është faktor dhe jo thjesht aktor. Besoj që doktori e ka lexuar mirë mesazhin amerikan që i drejtohet mbështetësve të tij dhe Berishës dhe kërkon që mbështetësit të jenë atje.
Zheji: Mua klima e doktorit mu duk e mirë, e pashë si një ftesë për të ftohur gjakrat. Një ftesë jo për luftë, por për diçka më të ngrohtë më festive.
Balla: Ky lloj debati besoj i bën mirë PD, ashtu siç mund t’i bëjë çdo lloj partie tjetër dhe mendoj që me dashje apo pa dashje është meritë e zotit Basha. Le të themi kjo lloj atmosfere brenda PD-së është demokratike dhe kjo falë zotit Basha që këtë e ka lejuar. Unë besoj që nesër nuk do të ketë teprime e shpresoj gjithashtu. Tashmë deri më datë 18 është koha e mjaftueshme që PD të rigrupohet dhe të japë mesazhin e duhur.
Zheji: Sot mendoj që PD është më demokratike, ka më shumë tolerancë të brendshme, ndërsa në PS nuk pipëtihet zëri. Në fund të fundit doktori është themelues i PD-së.