Në orën 10:00, në “Air Albania” nis punimet Kuvendi Kombëtar demokrat i thirrur nga Sali Berisha që pason takimet e Foltores së ish-kryetarit, i cili u përjashtua nga grupi parlamentar, pas shpalljes “non grata” nga Amerika. Berisha ka paralajmëruar se pas Kuvendit do të dalë një PD e rithemeluar e një ditë më parë, në një video-mesazh ftoi për pjesëmarrje edhe Bashën, të cilit i referohet si “kryetari në letër”.
Ftoj të gjithë ata delegatë të PD-së, drejtues të saj kryesorë duke përfshirë edhe kryetarin e saj në letër, Lulzim Basha, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD, të gjitha ata që mendojnë ndryshe nga ne, të vijnë në rithemelimin e forcës sonë politike.
Ky Kuvend është i të gjithë demokratëve, ftoj të gjithë anëtarët e PD-së që kanë mbështetur fuqishëm lëvizjen për një PD më të fortë e të bashkuar dhe më të hapur, por edhe ata që e kanë parë me skepticizëm, të vijnë për të ndjekur në stadiumin “Air Albania” këtë moment të rëndësishëm të historisë, rivendosjen e pluralizmit politik.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë sot ndonëse Berisha ka paralajmëruar se “vendimet e fundit të Bashës do të anulohen e do të votohet për krijimin e një komisioni të përkohshëm, që të drejtojë partinë, deri në rithemelimin e saj”.
Dikur përmbysnim komunizmin, tani narkoshtetin.
Por për Bashën, “më 11 dhjetor nuk ndodh gjë”. Ai ka shprehur vendosmërinë “për të mos lejuar cënimin e dinjitetit të demokratëve”.
Ndërkaq, vazhdon përplasja për shifrat. Edhe pak orë para Kuvendit të Berishës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, përsëri e akuzoi se nuk ka numrat e duhur ndërsa Kuvendi i thirrur nga Basha zhvillohet pas një jave. Ai tha se 69% e delegatëve firmosën për 18 dhjetorin.
Anëtarët e Kuvendit me përgjegjësi të plotë ndaj anëtarëve të PD-së kanë konfirmuar masivisht pjesëmarrjen në Kuvendin e PD-së, secili prej tyre ka nënshkruar një formular që konfirmon pjesëmarrjen në 18 dhjetor ora 11:00. Kësaj thirrjeje përçarëse nuk i janë përgjigjur 5259 anëtarë të Kuvendit ose 69% e tyre. 1146 anëtarë të Kuvendit nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvend, duke refuzuar thirrjen e Kryesisë së Partisë.
Po sot, me rastin e përvjetorit të themelimit të PD-së, kryetari Lulzim Basha ka ftuar në orën 12:00 të gjithë demokratët në selinë blu, për të festuar. Në ftesën e Bashës thuhet:
Demokracia u transformua nga një koncept në një ideal të pathyeshëm më 11 Dhjetor 1990, në ditën kur vlerat dhe liria e shqiptarëve triumfuan mbi gjithçka! Le të kremtojmë së bashku këtë ditë të shënuar!