MENU
klinika

“VOA” hyn në zonat e thella të Afganistanit

Popullsia vuan nga varësia nga droga, konsumohet nga fëmijë

13.12.2021 - 09:32

Afganistani prodhon 80% të opiumit në botë, sipas raporteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përdorimi dhe varësia nga droga ndikon tek miliona njerëz që jetojnë në atë vend. Në këtë pjesë, në kuadrin e disa raporteve televizive mbi krizën e varësisë nga droga në Afganistan, shërbimi afgan i Zërit të Amerikës ishte në provincën Bamyan, 180 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kabul, duke ndjekur nga afër efektet e përhapjes së varësisë nga droga në zonat rurale.

Provinca Bamyan njihet për peizazhet e bukura. Rreth 20 vjet më parë në atë vend (mars 2001), Talebanët shkatërruan dy statuja të lashta të Budës, të cilat ishin më të mëdhatë në botë.

Popullsia e kësaj zone vuan nga varësia nga droga. Zyrtarët lokalë thonë se rreth 50 mijë njerëz ndikohen nga varësia dhe pasojat e lidhura me të.

Në pjesën veriore, në zonat më rurale, droga është edhe më e përhapur se në pjesën qendrore të provincës Bamyan. Rrethi Waras është epiqendra e përdorimit të drogës.

Kjo zonë rrethohet nga kodra dhe lugina të gjelbra. Varfëria mbizotëron kudo, mungojnë shkollat e mira, klinikat, spitalet dhe teknologjia, të mira që i përkasin shoqërive moderne.

Dielli i mëngjesit shkëlqen mbi fshatin Bazobala i cili përbëhet nga 80 familje. Këtu, të gjithë, të rinjtë dhe të moshuarit, gratë, burrat dhe fëmijët janë të varur nga droga.

Shumica e njerëzve këtu përdorin drogë së bashku, madje haptas. Jetët e fshatarëve janë të lidhura me drogën. Kur u bie në dorë, e përdorin. Kur pyeten pse, ata përmendin shumë arsye. Sikurse 18-vjeçari i varur nga droga në fshatin Bazobala Shuqol:

“Papunësia dhe varfëria më shtyu drejt drogës. Shkova në Iran, shumë larg shtëpisë. Isha i papunë dhe situata ishte e keqe, kështu që u bëra i varur nga droga. Kur u ktheva në vend, mendova se situata do të ishte më mirë. Situata është e rëndë edhe këtu.”

Ali Yawar është banor i fshatit Bazobala Shuqol:

“Kam 15 vjet që konsumoj drogë. Fillova me heroinë dhe tani përdor kristal-meth.”

Droga prek edhe fëmijët. Prindërit jo vetëm që konsumojnë drogë por u japin edhe fëmijëve të tyre. Përveç heroinës, opiumit dhe metafetaminës, të varurit e këtij fshati njihen si përdorues edhe të drogave të tjera, si tabletat tramadol kundër dhimbjeve. Një alternativë më pak e kushtueshme se heroina dhe opiumi.

“Për ata që janë përdues të mëdhenj, siç jam unë, edhe shpenzimet janë të larta. Përdor një deri një paketë e gjysëm e cila kushton 32 centë. Tramadoli 500 është më i kushtueshëm”, thotë një i varur nga droga.

Gratë janë gjithashtu të varura nga droga në fshatin Pezhandur. Në shumë familje të kësaj zone gratë përdorin drogë së bashku me burrat dhe fëmijët. Fatima ka 30 vjet që është e varur nga droga. Fatima, djemtë dhe burri i saj drogohen së bashku:

“Jam 65 vjeçe, asmatike dhe e sëmurë. Punoj në shkretëtirë dhe në male deri vonë. Jam shumë e dobët dhe burri im është po ashtu i sëmurë.”

Fshatarët merren me bujqësi dhe rritjen e kafshëve. Të rinjtë shkojnë në male për të mbledhur ushqim për kafshët, dhe fëmijët janë barinj.

Jeta e këtyre fshatrave është e ndikuar nga droga që vjen nga provincat fqinje. Banorët thonë se vazhdimisht janë ankuar tek organet e rendit por nuk ka patur asnjë reagim.

Fshatarët kërkojnë vëmendjen e qeverisë, ndihmë dhe një qendër rehabilitimi për të ndërvarurit nga droga.

Distrikti Waras ka një klinikë me 20 shtretër, qartazi pa kapacitetet për të trajtuar të gjithë të ndërvarurit e rrethit me dhjetëra mijëra banorë. Zyrtarët lokalë duan më shumë. Qasim Ali është Kryetar i Këshillit Popullor të Zonës Peshandur dhe Bazobala:

“Të gjithë janë të varur nga droga. Këta njerëz janë fatkeqë. Arsyeja është varfëria dhe papunësia. Qeveria nuk kujdeset për këta njerëz. I kërkoj qeverisë, komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të të drejtave të njeriut që të ndërtojnë një spital në Shiwqol. Spitali duhet të ketë 100 shtretër ose më shumë që këta njerëz të mund të trajtohen.”

* Në serinë e ardhshme do të flasim mbi ndikimin e thellë të varësisë nga droga tek gratë dhe familjet afgane./VOA