Lidhja Social Demokrate (LSDM) zgjodhi kryetarin e ri të partisë në votime të drejtpërdrejta nga një trup prej mbi pesëdhjetë mijë anëtarësh. Dimitar Kovaçevski është kryetar i ri i social-demokratëve, i cili mori mbi 37 mijë vota.
Dy garuesit e tjerë për kreun e partisë, Jovan Despotovski dhe Frosina Remenski morën rreth 3300 dhe 2800 vota përkatësisht. Votimi u bë nëpër organizatat komunale të partisë në të gjithë vendin. Më parë, kryetari zgjidhej nga kongresi i partisë.
Zgjedhja e kryetarit të ri u imponua për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë, pasi LSDM-ja pësoi humbje të thellë në zgjedhjet lokale para disa javësh.
Zoti Kovaçevski gëzonte mbështetjen e fuqishme të zotit Zaev dhe të disa zyrtarëve të lartë të LSDM-së.
Në një konferencë me gazetarët pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, kryetari i ri Kovaçevski tha se do të vazhdojë rrugën e pararendësit të tij Zoran Zaev për zhvillimin demokratik të Maqedonisë së Veriut.
“Sot fitoi LSDM-ja, ndërsa prej nesër duhet t’i përvishemi punës, sepse qytetarët presin nga ne, që të punojmë me përgjegjësi dhe me përkushtim”, theksoi ai.
Zoti Kovaçevski tha se do t’i japë përparësi kthimit të unitetit brenda partisë dhe se programet sociale e demokratike të saj duhet të jetësohen në praktikë brenda shtetit. Ai theksoi parimin për një shans të drejtë dhe hapjen e partisë dhe institucioneve për ata, të cilët kanë kapacitet profesional.
Rivali i tij, Jovan Despotovski, i cili është drejtor i një agjencie shtetërore, e hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes së tij në qeverinë e re me një post ministror. Ai tha se do të qëndrojë anëtar i thjeshtë i partisë. Ndërkaq, ish-nënkryetarja social-demokrate Remenski u shpreh se “edhe më tej do të vazhdojmë të punojmë së bashku”.
Kreu i ri i social-demokratëve aktualisht është zëvendës-ministër i Financave. Ai e merr drejtimin e partisë në një kohë të vështirë si në aspektin shëndetësor, ndërsa vendi është ndër më të prekurit në rajon nga pandemia e Covid-19, po ashtu edhe në aspektin e vështirësive ekonomike dhe krizës energjetike.
Kryetari i ri i LSDM-së pritet të marrë edhe mandatin për formimin e qeverisë së re, përkatësisht të një riformatimi të pritshëm të kabinetit, ku krahas Lidhjes Social Demokrate me partnerët e saj të vegjël dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e Partisë Demokratike Shqiptare, do të përfshihet edhe partia Alternativa.
Ndërkohë, partia tjetër më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE e opozitës po të dielën në Kongresin e 17 të saj rizgjodhi kryetarin aktual, Hristijan Mickovski për një mandat të dytë. Ai ishte kandidati i vetëm për këtë post. 489 nga 493 delegatët e pranishëm në Kongres, votuan për rizgjedhjen e zotit Mickovski.
Duke folur para delegatëve ai theksoi nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, teksa tha se “populli me padurim pret të dëgjojë për vendime për ndryshime, për një vizion që nuk do të shndërrohet në gënjeshtër dhe për një qasje ndryshe në politikë”. Ai shtoi se partia e tij do të sjellë ndryshime. “Ne, tha ai, jemi opsioni të cilit populli dëshiron t’i besojë dhe duhet të bëjmë çmos që (populli) të mbështetet tek ne.”
Partia ka paralajmëruar një doktrinë të re; ndryshime të zyrtarëve të saj dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë financiare të vetë partisë. /VOA/