MENU
klinika

"Reagoi SHBA, reagoi BE..."

PDK kërkon që Qeveria të reagojë për deklaratat e Vulinit

13.12.2021 - 14:41

Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për mosreagimin ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Alleksandar Vullin. Javën e kaluar, Vullin deklaroi se masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”.

“Alleksandar Vullin tha që Reçaku është ngjarje fiktive. Jo që nuk pritet nga ai një gjë e tillë, por është e çuditshme që nuk pati reagim nga kjo Qeveri. Reagoi SHBA-ja, reagoi Bashkimi Evropian. Çfarë reagimesh pati nga Kosova në raport me këtë deklaratë? Është e turpshme që ne të dalim me një reagim kaq të dobët, nuk po flas si Qeveri, po si Kosovë dhe shoqëri…”, tha deputeti i PDK-së, Adrian Kastrati gjatë seancës plenare që po mbahet të hënën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ishte i pranishëm në seancën plenare, nuk u përgjigj ndaj kësaj deklarate të deputetit Kastrati. Kabineti i tij nuk i është përgjigjur as pyetjeve lidhur me këtë çështje që Radio Evropa e Lirë i ka dërguar të premten, më 10 dhjetor.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se shteti i Kosovës reagon përmes proceseve gjyqësore ndaj njerëzve që mohojnë masakra të tilla.

“Mos ia degradoni dinjitetin vuajtjeve dhe sakrificës popullit të Kosovës”, tha Konjufca.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kritikuan Vullin për deklaratat lidhur me masakrën e Reçakut, e cila, sipas Uashingtonit dhe Brukselit është një ngjarje e dokumentuar mirë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Vullin ka mohuar disa herë në të kaluarën masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.

"Çdo herë që nuk biem dakord për diçka…"

“Si janë raportet tuaja me Ramën?”/ Përgjigjet Albin Kurti

Portali i njohur i Brukselit i zbulon “sekretin”

Jeta luksoze e Vuçiçit është e paimagjinueshme për serbët

Përfundon marrëveshja e lëvizjes së lirë

Rikthehen kontrollet në Morinë

Brukseli, jashtë loje nëse Trump fiton zgjedhjet

Dialogu Kosovë-Serbi ndryshon pas 5 nëntorit