MENU
klinika

Skenari

Si mund ta pengojë statutin e Berishës padia e Bashës në SPAK

15.12.2021 - 21:23

Padia e dorëzuar në SPAK nga ana e Partisë Demokratike ndaj tre deputetëve dhe dy sekretarëve të vet me akuzën e falsifikimit të dokumentacionit, më shumë se penalizimin e dënimin e personave të kallëzuar duket një lëvizje taktike e kampit të Lulzim Bashës për të penguar regjistrimin e ndryshimeve statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit, të thirrur nga Sali Berisha.

Basha nuk njeh as Kuvendin dhe as vendimet e marra prej tij dhe mbi këtë bazë është ngritur padia për falsifikim të vulës dhe logos të partisë ndaj deputetëve Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Edmond Spaho dhe sekretarëve Ivi Kaso e Ervin Minarolli.

Të pestë këta persona ishin pjesë e komisionit që drejtoi punimet e Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha. Në këtë Kuvend u vendos shkarkimi i Lulzim Bashës, Kryesisë dhe nënkryetarëve të PD-së, ndryshimi i statutit dhe ngritja e një komisionit për rithemelimin e partisë.

Që ndryshimet e pretenduara nga Berisha të kenë efekt ligjor ato duhet të regjistrohen në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës. Këtu, sipas konsultimeve të Gazetës Si me juristë, ekspertë dhe njohës të procedurave ligjore në raste të tilla, padia në SPAK mund të bëhet pengesë.

Pse? Sipas ekspertëve, Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës mund të mos regjistrojë këto ndryshime përsa kohë ka një pretendim të ngritur në Prokurorinë e Posaçme për vlefshmërinë e vendimmarrjes së Kuvendit të 11 dhjetorit.

Ekspertët thonë se kjo i jep kohë Lulzim Bashës që të regjistrojë në gjykatë ndryshimet e statutit të miratuara në Kuvendin e mbledhur më 17 korrik të këtij viti. Kërkesa zyrtare për regjistrimin e këtyre ndryshimeve është bërë në fillim të kësaj jave, ndërsa të martën është përfolur se gjykatës do t’i drejtohet edhe Berisha për të regjistruar statutin e tij të 11 dhjetorit.

Hipotezat e hedhura nga ekspertët e juristët e kontaktuar nga Gazeta Si konfirmohen edhe nga burime pranë kampit të Berishës. Sipas burimeve, padia në SPAK vlerësohet kryekëput si lojë taktike e kampit të Bashës të paktën për të shtyrë në kohë shqyrtimin nga gjykata të kërkesës për regjistrimin e statutit dhe vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit, që u dorëzua këtë të mërkurë.

Burimet thonë gjithashtu se kjo ishte një ndër arsyet që e shtynë Sali Berishën të mëynte godinën e partisë ditën e hënë në krye të Komisionit të Rithemelimit. Berisha e ceku tërthorazi këtë padi gjatë fjalës që mbajti në momentin që po ngjiste shkallët e selisë.

“Është një firmë tjetër turpi e zotit Basha që padit në prokurorinë e Edi Ramës kolegët e vet. Nuk ka akt më të padenjë”, deklaroi Berisha.

Kjo lëvizje e ish-Kryeministrit u interpretua si shfaqje publike “e forcës” dhe presion ndaj Lulzim Bashës në këtë përplasje që tashmë duket se ka hyrë në një hulli pa kthim./Si