Borussia Dortmund është rikthyer te fitorja pas një humbje dhe një barazimi, duke besuar verbërisht se mund të arrijë Bayern në krye. Verdhezinjtë fituan 3-0 në shtëpi kundër modestëve të Greuther Furth.
Dy gola erdhën nga këmbët e të zakonshmit Erling Haaland. Në pjesën e parë, norvegjezi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa në fraksionin e dytë, dyfishoi shifrat në minutën e 82-të pas një asisti të Brandt.
Në fund, pati kohë edhe për një realizim të Malen. Pas këtij dygolëshi, Haaland ngjitet në kuotën e 13 realizimeve në kampionat (kryeson Lewandowski me 18 gola), ndërsa skuadra pozicionohet në vendin e dytë me 34 pikë, gjashtë më pak se kryesuesit e Bayern.
Sakaq, Greuther Furth mbetet i fundit me katër pikë. Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, Leipzig është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Augsburb në transfertë dhe po në barazim janë mbyllur edhe ndeshjet mes Union Berlin-Freiburg (0-0) e Bayer Leverkusen-Hoffenheim (2-2).